/ATSH/ -Referuar vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, tarifat e pagesës vjetore për autorizim për ofrimin e shërbimit të programit audioviziv përmes IP-TV, pra përmes internetit, variojnë nga 80 mijë lekë deri në 1 milion lekë, në varësi të numrit të popullatës së zonës për të cilën ofrohet shërbimi.
Autoriteti i Mediave Audiovizive po rregullon tashmë edhe tregun e transmetimeve on-line, duke miratuar rregulloren dhe tarifat përkatëse për operatorët e këtij tregu.
Miratimi i rregullores vjen në kushtet kur zhvillimet teknologjike kanë bërë të mundur, tashmë, ofrimin e disa llojeve të reja shërbimesh të programeve audio ose audiovizive, që nuk kanë qenë të rregulluara më parë, në një kohë që, pranë AMA-s, janë paraqitur edhe kërkesa nga subjekte të ndryshëm, të cilët kanë shfaqur interes për marrjen e autorizimeve për ofrimin e këtyre shërbimeve të reja audiovizive, si IPTV/OTT etj.
Në rregulloren e re të autorizimeve janë shtuar përkufizime të reja, për shërbimet IPTV, OTT dhe Internet TV. Në rregullore, sipas njoftimit të AMA-s, janë detajuar të gjitha kërkesat ligjore, ekonomike, teknike dhe të programacionit, që duhet të plotësohen nga subjektet aplikues në lidhje me shërbimin për të cilin shfaqet interes, si kërkesat që lidhen me llojet e të ardhurave.
Por përveç miratimit të rregullores për funksionimin e këtij tregu, janë miratuar edhe lista e tarifave që duhet të paguajnë operatorët që futen për herë të parë në treg ose që rinovojnë licencën për ofrimin e shërbimit.