Përcillet me nderim për në banesën
e fundit Mjeshtri i humorit Veli Rada

Përcillet me nderim për në banesën<br />e fundit Mjeshtri i humorit Veli Rada
TIRANE- Aktori i mirënjohur i humorit, Veli Rada, është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të djeshëm në moshën 72-vjeçare. Rada, aktori profesionist i Estradës së Tiranës dhe ish-komentatori sportiv i Radio Tiranës ka ndërruar jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë që e mundonte prej kohësh. Familjarët e aktorit janë shprehur se për më shumë se një muaj aktori Rada ndodhej në një gjendje të rënduar shëndetësore. 
Veli Rada që në hapat e para të debutimit në Estradën e Tiranës në vitet ‘70-‘75 ishte një nga aktorët më spikatur dhe me kalimin e viteve ai krijoi një profil të veçantë si aktor.

Me interpretimet e tij mbresëlënëse në Shqipëri, Kosovë, Maqedonisë, etj, Rada fitoi simpatinë e publikut artdashës në të gjitha trojet shqiptare. Ai ka interpretuar me aktorët më të talentuar të humorit shqiptar me të ndjerin Skënder Sallaku, me Fadil Hasën, me Behar Merën, Marjana Kondin, e të tjerë. Ka luajtur shume role në zhanret e larmishme të estradës, si komedi, skeçe, monologje, kuplete, dialogje, etj. Në aktrimin e tij ka spikatur prirja për të ravijëzuar karaktere personazhesh me natyrë disi nervoze, njerëz prepotentë, drejtues e administratorë burokratë, politikanët ekstremistë, etj.

Kritika e ka vlerësuar për mënyrën sesi Rada përdor në skenë gjeste të prera, duke krijuar një të folur “të ashpër”, që iu jep situatave në skenë një sens komik. Talenti i tij si humorist është shfaqur edhe në realizimet e zhargoneve të të folurit, duke krijuar shumë humor sidomos kur flet në zhargonin e rëndë të labërishtes, por edhe në atë të zonave të tjera të Shqipërisë.

Pas roleve të vogla që ka luajtur në gjinitë e estradës, Veli Rada ka luajtur edhe në komeditë “Tre dhëndurët”, “Lezeti i kolltukut dhe krevatit”. Në komedinë dhe filmin “Revolja e humbur” (1995) luajti rolin e hetuesit, me të cilin krijoi figurën dinake të nëpunësit të sigurimit të shtetit në periudhën e diktaturës.

Aktori i Humorit shqiptar Veli Rada pas studimeve në degën e aktrimit në vitet ‘70, prej 35 vitesh ka zhvilluar një karrierë intensive në spektakle, komedi, teatër dhe telekomedi. Nga presidenti i Republikës është vlerësuar me titullin “Mjeshtëri i Madh”, ndërsa në vitin 2013 është nderuar nga bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e Kryeqytetit”. Homazhet në nderim të Veli Radës u bënë dje në sallën e Teatrit të Metropolit në Tiranë në orën 13:00. Familjarë, të afërm, miq e kolegë e përcollën më pas drejt banesës së fundit, aty ku do të prehet përgjithmonë. 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shprehur dje ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit Veli Rada. “E konsideroj vërtet një humbje të madhe për kulturën tonë shqiptare dhe veçanërisht për gjininë e humorit që Veliu ushtroi vazhdimisht në Shqipëri. E gjithë shoqëria shqiptare ndjen një dhimbje për këtë ndarje, sepse nuk do ta kenë më mes tyre për së gjalli në skenat e humorit dhe ekranet e televizorëve duke interpretuar skeçe dhe pjesë të tjera humoristike, nëpërmjet të cilave, jo vetëm që i bënte njerëzit për të qeshur duke u falur momente argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me mençuri mjaft plagë të shoqërisë shqiptare”, tha presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Përpara se ta përcillnin në banesën e fundit, deputetja Jorida Tabaku, pasi shprehu ngushëllimet, Veli Radën e cilësoi si një demokrat të orëve të para. “për ne do të kujtohet gjithnjë me një buzëqeshje. Do të kujtohet gjithmonë ashtu siç ishte në skenë, i cili mbas 35 vitesh karriere, duke i provuar dhe bërë të gjitha detyrat për një artist, u vlerësua me dy çmime; “Mirënjohja e Tiranës” dhe “Mjeshtër i Madh”, tha Tabaku.  Ngushëllime ka shprehur edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, si dhe kolegët e tij artistë.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës