TIRANË- Pasi u kryen homazhet në nder të ish-zv/ministrit të Brendshëm, në orën 14:40 trupi i pajetë i Ferdinand Ponit u përcoll në banesën e fundit.
Homazhet në nder të Ferdinand Poni, i cili ndërroi jetë dje në mesditë si pasojë e një ataku kardiak në Prizren u kryen në hollin e Teatrit Kombëtar nga ora 12:30 deri në 14:30 të ditës së sotme. 

Në homazhe morën pjesë kolegë të tij këshilltarë të djathtë dhe të majtë të Këshillit Bashkiak. Rreth orës 13:00 mbëriti në hollin e Tetarit Kombëtar edhe ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij për të kryer homazhet në nderim të Ferdinand Ponit. 

Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, të kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha vendosën kurora me lule dhe u përkulën përpara arkivolit me trupin e pajetë të ish-zv/ministrit të Brendshëm Ferdinand Poni. 
 
ORA 14.35: BASHA: HUMBËM KAPITENIN E PUSHTETIT LOKAL
Para përcjelljes së trupit të pajetë të Ponit në banesën e fundit, një fjalë lamtumire mbajti kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha para Teatrit Kombëtar. Ai tha se humbja e Ponit është madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij por edhe për Partinë Demokratike dhe pushtetin vendor që humbi një “kapiten të pushtetit lokal”. 

"Humbja është shumë e madhe dhe njeriu nuk i bën dot menjëherë të gjitha llogaritë, por e di se humbje të pamatshme ka dhe ndien familja e Ferdit, nëna e tij Fata, shoqja e tij e jetës Meri, djemtë  Rei dhe Ralfi, motra e tij Majlinda dhe vëllai i tij Bardhi; humbje të madhe ndiejnë të afërmit dhe miqtë e tij të shumtë që u derdhën sot për t’i dhënë respektet e fundit; humbje të jashtëzakonshme ndiejnë demokratët; ndiej unë; ndjen Partia Demokratike por edhe miqtë e kolegët e tij anembanë, sepse kemi humbur Ferdi Ponin, avokatin dhe mbrojtësin më të flaktë për pushtetin lokal, në të gjitha nivelet.

"Na ka ikur kapiteni i pushtetit lokal, zëri i fuqishëm dhe me autoritet për këtë kauzë, shpesh të trazuar; kemi humbur drejtuesin energjik, të vendosur dhe të guximshëm që drejtoi procesin e modernizimit të regjistrit të gjendjes civile dhe përgatitjen e platformës për pasaportat dhe kartat biometrike; kemi humbur kryekëshilltarin demokrat në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, zërin e fortë të interesit qytetar por që për të njëjtat interesa, të qytetarëve, dinte të gjente gjuhën e urtë të kompromisit"

'Vendi ka humbur personalitetin erudit, një nga ekspertët më supremë të decentralizimit, autonomisë vendore dhe zgjedhjeve, njeriun e përkushtuar me pasion pas punës dhe ndjenjës të shërbimit publik, avokatin këmbëngulës dhe të palëkundur në bindjet dhe parimet që besonte, atdhedashësin dhe patriotin që punoi pa pushim për modernizimin e qeverisjes dhe vendit",- tha Basha në fjalën e tij të lamtumirës. 

BERISHA: HUMBJE E MADHE PËR PD, PONI AUTORI I MODERNIZMIT

Në një dalje për medIat, Berisha edhe një herë shprehu ngushëllime për familjen dhe miqtë të Ferdinand Ponit. Ai tha se Poni do të mbëhet mend si një njëri që ka punuar me vendosmëri dhe përkushtim të madh. Humbja e parakohshme e Ponit është një humbje e madhe edhe për Partinë Demokariake, tha Berisha.

“Ferdinadn Poni ishte modeli i zyrtarit të përkushtuar, eficent, intelektualit që punoi me vendosmëri të madhe në projekte shumë të rëndësishme në moderzinimin e këtij vendi. Avokatit të pamposhtuar të Partisë Demokratike, progaramit dhe vlerave të partisë. Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për Partinë Demokratike dhe shoqërinë shqiptare. Poni është autori i modernizimit. Dhe unë ju garantoj se kjo është vetëm një anë të veprimtarisë së tij. Në fushën e zgjedhjeve ai ishte një zë i fuqishëm, i ditur dhe u largua nga ne në kulmin e energjive të tij, por ka lënë pas tij një veprimtari  që do të mbahet mend", tha Berisha pasi kreu homazhet. 

ORA 14:05. BASHA HOMAZHE FERDINAND PONIT
Në orën 14:05, kreu i Partisë Damokratike, Lulzim Basha kreu homazhe tek arkivoli i të ndjerit Ferdinand Poni në hollin e Teatrit Kombëtar. Basha ishte i shoqëruar nga bashëshortja e tij.

THAÇI: LAJMIN E PRITËM ME PIKËLLIM DHE DHIMBJE
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëllon familjen për vdekjen e parakoshmë të Ferdinand Ponit.
Ne telegram thuhet se, “me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e ish-zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni. Vdekja e parakohshme z. Poni është humbje për familjen, miqtë e tij si dhe për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Duke ndarë dhembjen me ju e nderuara familje Poni, si dhe me zyrtarët e PDSH-së, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shprehet në telegram kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

NGJARJA DJE
Ferdinand Poni ndërroi jetë dje në një lokal në Prizren në moshën 49 vjeç.

Kreu i këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak pësoi atak kardiak ndërsa ndodhej për një vizitë punë në qytetin e Prizrenit.

Mësohet ndodhi dje në orën 14:00 në një lokal, në Prizren të Kosovës, ku Poni kishte ndaluar për të pirë një gotë ujë. 

Kreu i Këshillit të Qarkut Tiranë, Tasim Mema, i cili shoqëronte Ponin gjatë vizitës në Prizren tha për A1 Report se ishin nisur në mëngjes, rreth orës 09:00 drejt Prizrenit për çështje pune dhe se gjatë udhëtimit nuk kishte pasur asnjë shqetësim. Ferdinand Poni është baba i dy djemve. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)