TIRANË, 21 Dhjetor/ATSH/.- Partia Demokratike në Durrës denoncoi sot dhënien në administrim për parkim të sheshit më të madh të qytetit, një kompanie pa konkurs dhe në mënyrë korruptive për klientët e pushtetit.
Përmes një njoftimi për shtyp të PD-së, bëhet e ditur se tenderi për dhënien në administrim për parkim është nesër 22 dhjetor 2014, por prej një muaji kompania private ka nisur administrimin e sheshit "26 nëntori 1912".
Partia Demokratike e degës së Durrësit dhe deputeti Oerd Bylykbashi e cilësuan këtë një skandal të rëndë ligjor dhe i kërkuan Prokurorisë të nisë hetimet për këtë shkelje të ligjit dhe përdorim të pasurisë publike.
Deputeti Bylykbashki tha se ky veprim përbën vepër penale dhe jo vetëm përgjegjësi politike.
"Kjo është e papranueshme. Nëse kemi një garë të hapur që e ka afatin nesër, çdo veprim që është deri më tani është shkelje ligji dhe ka jo vetëm përgjegjësi politike e publike, por edhe penale. Në fakt kjo është prova se si ky pushtet po shpërndan pasurinë publike, po shpërndan paranë publike tek klientët të tij nëpërmjet tenderash fallso", tha Bylykbashi.
Sipas kryetarit të PD-së së Durrësit Osman Stafa, kryebashkiaku Vangjush Dako ka paracaktuar fituesin e garës./m.m/