Një 39-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për falsifikim të dokumenteve, është arrestuar nga policia e Korçës.
S.M, banues në Vërdovë, u ndalua në pikën kufitare të Qafë-Thanës në hyrje të Shqipërisë, pasi gjykata ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit ‘Kontrata’, i finalizuar rreth 3 muaj më parë, ku si rezultat i të cilit u ndalua ish-drejtori dhe një punonjës i Postës Korçë dhe u morën masa shtrënguese ndaj disa punonjësve të tjerë.
Sipas Policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shfrytëzuar postin për të falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq dhe Pogradec.
Shuma totale e përfituar si paradhënie nga qiradhënësit është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.