Perfomanca e administratës fiskale
dhe mbështetësit e rrënimit 8-vjeçar 

Një ndër sfidat kryesore të qeverisë Rama, theksuar dhe në programin e qeverisë është mirëadministrimi fiskal dhe formalizimi i ekonomisë. Realiteti i trashëguar në administratën fiskale ishte një sfidë për qeverisjen e re për të ndërtuar  një sistem të saktë dhe transparent në administrimin fiskal, një administratë profesionale në zbatimin e politikave fiskale në favor të biznesit të ndershëm  dhe qytetarit.  Të dhënat fiskale tregojnë se objektivi i qeverise për rritjen e perfomancës së administratës fiskale, e shoqëruar me politika ekonomike dhe fiskale që nxisin konsumin dhe prodhimin, është në udhë të mbarë.

Nga opozita (lideri i saj, ministrat, deputetë, media dhe analistë  që mbështesin opozitën në cdo aksion politik) është deklaruar që ekonomia pas muajit Shtator po përkeqësohet, perfomanca e administratës fiskale është shumë më e dobët se ajo e kohës së tyre, zbatimi i politikave ekonomike dhe fiskale ka dekurajuar sipërmarrjen dhe  ka rritur papunësinë  e të tjera si këto.

Deklarimet politike të opozitës apo opinionet e analistëve që kanë mbështetur për 8 vite rrënimin e ekonomisë po i ballafaqoj duke krahasuar mbledhjen e të ardhurave totale në raport me GDP (PPB - prodhimin e përgjithshem bruto) dhe perfomancën e administratës tatimore në vitet e fundit. Treguesi kryesor i matjes së perfomancës fiskale  është mbledhja e të ardhurave në raport me GDP që paraqitet në tabelën e mëposhtme.

tabel performanca ekonomike

P.S. Për vitin 2013 mbledhja e të ardhurave në raport me PPB në fund te vitit  është 24.2%, shifra 23.8% është në momentin që u ndryshuan qeveritë në muajin shtator.
Ndryshe nga sa deklaron opozita, krahasimi përmes shifrave i të ardhurave të mbledhura, numri  i bizneseve dhe punonjësve të siguruar na pasqyron një realitet krejt tjetër; perfomanca e administratës fiskale është në rritje të përmuajshme dhe e ardhmja duket optimiste.

Për vitin 2014 parashikohet që mbledhja e të ardhurave në raport me GDP të jetë 26.1%, por me projeksionin e deritanishëm të ecurisë së mbledhjes të të ardhurave pritshmëria është më e lartë. Rritja minimalisht me 2.3% e të ardhurave ne raport me GDP në një vit me situatën financiare katastrofike të trashëguar, me kulturen negative të administratës fiskale dhe atë të  tatimpaguesve që konsolidoi qeverisja e ikur, është një tregues shumë pozitiv dhe një e dhënë shumë inkurajuese për vitet e ardhshme. Shifrat e mësipërme tregojnë qartësisht se perfomanca fiskale në vitet e fundit te qeverisjes së djathtë ka qene më e dobët edhe se viti 2005, dhe se viti 2014  është fillimi i ndryshimit pozitiv në administrimin e të hyrave publike.

Rritja e punësimit deklaruar në tatime me 30 000 punonjës dhe numrit të bizneseve me 4 500  sipërmarrje në kaq pak muaj, janë tregues të rëndësishëm jo vetëm i luftes ndaj punës së zezë dhe bizneseve të paregjistruara, por dhe i politikave  të qeverisë për rritjen e punëzies dhe hapjen e bizneseve të reja duke i dhënë mbështetje sektorit privat.
Për të shkuar më tej në analizën e perfomancës fiskale shikojmë treguesit e të ardhurave tatimore krahasuar me vitet e mëparshme.


tabel performanca ekonomike
 
Të ardhurat tatimore bruto janë rritur me 13% ose me me rreth 60 milion USD krahasuar me periudhen janar-maj të vitit 2013, ndërsa kontributet janë rritur me 9%.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi i vlerës së shtuar janë rritur me rreth 13 milion USD  krahasuar me një vit më parë, kurse tatim fitimi është rritur me rreth 19 milion USD. Analiza  që deputetët dhe analistët e opozitës nuk është e drejtë kur e vlerësojnë mbledhjen e të ardhurave nga tatim fitimi duke e  shumëzuar me 1.5 të arkëtimit të një viti më parë. A është manipulim apo padituri nuk mund ta them, por në gjykimet e tyre ata duhet të bëjnë kalkulime duke marrrë parasysh se në muajin mars, tatim fitimi i derdhur nga mbyllja e bilanceve financiare për vitin 2013 nga tatimpaguesit, është 10% ( dhe jo 15%).   

Edhe pse viti 2014 e uli ndjeshëm nivelin e tatimit mbi pagat ku përfituan 97.5 të punonjësve (mbi 20 milion USD ndikim negative në të ardhurat personale), ato kanë pritshmëri të jenë në shifrat e programuara në buxhet, me tendencë për të shkuar në të njëjtin nivel me vitin 2013.

Të ardhurat nga kazinote dhe lodrat janë rritur me 30% krahasuar me një vit më parë, por që është shoqëruar dhe me pakësimin e subjekteve që operojnë në këtë fushë për shkak të paligjshmërisë që kanë qenë në vite. Miratimi i një ligji të ri brenda këtij viti dhe fillimi i koordinimit midis Drejtorisë së Lojërave të Fatit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve  do te sjell formalizimin e këtij sektori dhe rrtijen e të ardhurave në buxhet.

Vlen për tu theksuar se për periudhën 5-mujore janë tkurrur shpenzimet kapitale nga buxheti i shtetit  krahasuar me vitit 2013 me rreth 200 milion USD (viti 2013 ishte vit elektoral) që ka sjellë një mungesë prej rreth 15 milion USD në TVSH dhe me ndikime ne negative në zërat e tjera të të ardhurave. Pritshmëria e rritjes së shpenzimeve publike në muajt në vijim do të sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.
Kultura që formësoi qeverisja që iku ishte gjoba për biznesin e ndershëm dhe rimbursime për biznesin klientelist.

Rimbursimet janë vërtetë më të larta për vitin 2013 që opozita po e përdor në debatet publike si kapital politik, por për të qene të ndershëm me publikun në krahasimet që bëjmë duhet të shikojmë cilësinë e rimbursimeve dhe natyrën e tyre; kujtojmë se shumica e rimbursimeve për vitin 2013 kanë qenë abuzive; si skema e rimbursimit fiktivë për subjekte inekzistente, apo  që shkuan deri atje sa të rimbursojnë dhe shoqëri të lojërave të fatit.
I vetmi zë të ardhurash që ka shkëlqyer në qeverisjen e mëparshme janë dënimet administrative, gjobat ndaj biznesit. Të ardhurat nga gjobat në krahasim me vitin 2012  janë rreth  2.8 herë më pak, kryesisht të ardhurat nga gjobat për vitin 2014 janë arkëtimet nga penalitet e vendosura në vitet e mëparshme.

Kjo kulturë rrënuese e administratës fiskale ndërtuar për vite me radhë nuk mund të ndryshohet në pak muaj, ajo kërkon kohën  e vet si në infrastrukturën ligjore ashtu dhe në reformimin e administratës. Të dhënat tregojnë se fillimi  është i mbarë.

Mjafton të shikosh të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, ku vetëm arkëtimi nga TVSH është rritur me 2.5 herë krahasuar me 5 muajt e parë të vitit 2013 apo të vlerësosh mjedisin pozitiv që ka krijuar dhe komunikimin efektiv që ka ndërtuar me biznesin  Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Ekonomisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Financave për të gjykuar se si ka filluar ndryshimi i perfomancës fiskale.
Kthesa sapo ka nisur, ky është vetëm fillimi i një rruge drejt reformimit rrënjësor të sistemit fiskal në vendin tonë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë