Një banesë është shkrumbuar mbrëmjen e sotme nga një zjarr i rënë në lagjen 1 Maji, në afërsi të Plazhit të Vjetër në Vlorë. Sipas informacioneve, banesa në pronësi të shtetases Doloresa Buqe është dëmtuar pothuajse plotësisht nga flakët.

Zjarrfikësit e Vlorës kanë mbërritur në kohë në vendngjarje dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e tij në banesat përreth.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Zjarrfikësja dhe policia kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.