Nuk jemi as në vitin zero në fakt, e as në ditën “D”. Pavarësisht se masa dhe numrat e zullumit të pretenduar ndryshohen në mënyrë fantazmagorike, në modelin e revolucionit në laborator, jemi në një klishe.

Me fjalë të tjera; ka një pjesë opinioni që mendon se qeveria dhe mazhoranca nuk është gjë tjetër veçse një bandë kriminale, ku vetëm grabit e vjedh gjithçka. Ka një opinion tjetër që ndan qëndrim të kundërt, madje rreket të argumentojë se një fëmijë i kësaj mazhorancës, drejtësia e re, i është qepur mazhorancës për ta dëmtuar me denoncimet që ka çuar në SPAK opozita që në fillimin e ndërtimit të tij. Kjo natyrisht me ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilët shihet qartë e shikojnë një stabilitet politik jashtë kufirit të tyre, përkatësisht në mandat të katërt, si një zhvillim “jashtë standardeve”.

Nejse ky është konteksti, fakti është se në serinë e hetimeve të mëdha që ka nisur SPAK ndaj mazhorancës qeverisëse, është aktivizuar skema e njohur e një reagimi në opinion, i cili është i ashpër pore dhe shumë i ndarë. Për ta ilustruar sa i ndarë është ky opinion mund ta ilustrojme thjeshte; të gjithë këta që riciklohen në këto fushatat revolucionare janë të njëjtët që më 21 janar 2011 kërkonin të dënohet Edi Rama e jo Sali Berisha.

Gjithsesi, situata është në këtë fazë: ka një opinion që mendon se kemi të bëjmë me një zbulim skandali që meriton një përmbysje. Ndërkohë nga ana tjetër ka një opinion që mendon se kemi të bëjmë me një përpjekje për të realizuar përmbysje, kur në realitet faktet nuk korespondojnë.

Kush e ndan këtë në një shoqëri normale; së pari dhe ligjërisht gjykata, me vendimin e saj të formës së prerë. E së dyti një reagim qytetar që imponon ndryshimet vibrante në vend.

Ne po përjetojmë fazën e një drejtësie, e cila është lindur dhe mbështetur nga shumica qeverisëse që ajo i është vërsulur. Nga ana tjetër, të gjithë bijtë e revolucioneve me numra disa shifror kanë qenë jo thjeshte kundërshtarët, por edhe më shumë se kaq. Mjafton të përmendet fakti se për këtë grup njeriu referencë ishte Adriatik Llalla dhe një ndihmëse e tij, e cila në vitin 2016, me një operacion “fshesa” largoi disa deputetë, me synimin për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Në shtatorin e vitit 2017, ndodhi rasti Tahiri. Ku Lulzim Basha i kërkoi Kryeprokurorit ta arrestojë ish-ministrin e Brendshëm dhe ai e bëri. E çoi kërkesën në Kuvend, duke e akuzuar për “grup të strukturuar kriminal”. Me një fjalë akuza më e tmerrshme që sikur e kemi dëgjuar shumë këto ditë për ca gjëra të tjera. E ne e pamë që Tahiri, Beqja, Koka, Bllako e shumë të tjerë lanë mandatet dhe postet politike, por nuk patën një dënim proporcional me akuzat. Megjithatë, kjo është punë që nuk ka lidhje me frymën, me logjikën me moralin.

Në fakt këtu është problemi, moralistët e revolucioneve të ricikluara, a janë sfiduesit e Edi Ramës dhe siç e quajnë ata “banda e tij”. Ka një rrugë, të ndërtosh një ekip apo një klasë që të sfidojë edhe moralisht këtë “bandë”. Ndërkaq, ideologjia sunduese që nuk resht së ricikluari është “teoria e tre bandave”.

Megjithatë edhe ky është muhabet i vjetër sa herë shfaqen solsticet revolucionare, pasi jemi realisht në një situatë së paku të mërzitshme.

Edi Rama është në mandatin e katërt, e ku një ndryshim pushteti konsiderohet gjëja më normale në botë, pasi po sfidon kohën. Po për ta bërë ndryshimin duhet sfiduar Rama jo ricikluar apo siç thuhet rotacioni i rekuzitës së teatrit që rrëzoi vetë Edi Rama…/ TemA