TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka shpërndarë një meme për kolegun e tij Agron Gjekmarkaj pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së opozitës, ku Gjekmarkaj përfundoi në spital.
Në story në rrjetin social Mziu shpëndau memen ku shkruhej se Gjekmarkaj është me fat që është gjallë, pasi "nuk ka shtyllë kurrizore".
Këtë postim deputeti i Dibrës e ka lënë për disa orë vetëm për miqtë e tij, pastaj në mëngjesin e sotëm e ka fshirë. Nuk dihen arsyet e fshirjes, por shumë ndjekës e kanë parë.
Incidenti ndodhi kur Gjekmarkaj ra pa ndjenja gjatë protestës, dyshohet gjatë shtyrjes me policinë dhe u ndihmua nga protestuesit, për t’u transportuar më pas në spital.
Në spital e vizitoi edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili akuzoi policinë për dhunimin e deputetit.
Ngjarja ka nxitur polemika brenda radhëve të Partisë Demokratike dhe debate mbi përgjegjësinë për incidentin.