Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa një takim trepalësh

Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa një takim trepalësh

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe i dërguari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar të enjten takime në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e më pas me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e vendit.

Takim trepalësh nuk ka pasur. BE-ja ka bërë të ditur se paralelisht janë zhvilluar edhe takime ekspertësh për të pagjeturit dhe për çështje të energjisë.

Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.

Petkoviç ka thënë ditë më parë se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”. Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve ka qenë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër. Megjithatë, në takimin e së enjtes, sipas burimeve të BE-së, prioritet kryesor do të ketë Asociacioni.

Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës. BE-ja e konsideron këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.

Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.

Komisioni Evropian e ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie për t’i zbatuar obligimet që dalin prej marrëveshjeve paraprake. Në Raportin e Progresit të këtij Komisioni është konstatuar se palët nuk kanë nisur fare të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Në këtë raport, Komisioni Evropian ka bërë ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i qasen më me përgjegjësi obligimeve nga dialogu, duke rikujtuar se diçka e tillë është kyçe për përparimin e tyre në procesin e integrimeve evropiane.

Në takimet e fundit që kanë pasur liderët e Kosovës dhe Serbisë, me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, me 26 tetor, ata, sipas diplomatëve evropianë, “kanë shprehur gatishmëri që të pranojnë propozimin si bazë të mirë“.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatim të Marrëveshjes për normalizim. Ai ka thënë se ka dashur ta nënshkruajë dokumentin, pasi “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton implementim“.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka refuzuar ta nënshkruajë atë. Në BE besojnë se takimet e së enjtes do të hapin rrugën për një dinamikë të re në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë