Ministri i Brendshëm Bledar Çuçi i akordoi sot medalje nderi Carlo D’Achille, drejtues i Projektit PAMECA V, në përfundim të misionit në Shqipëri. Medalja është akorduar me motivacionin për kontribut të çmuar dhe asistencën e dhënë në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, për përmbushjen e objektivave për një luftë proaktive kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit.
Propozimi për këtë dekorim u bë nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Njëherësh me D’Achille, nga Gledis Nano u dekoruan edhe ekspertët afatgjatë të Projektit PAMECA V, Gilles Locchi, Giovanni Pasqua dhe Maurizio Mirarchi.
Të tre ekspertëve të huaj iu akordua Certifikata për Shërbime të Dalluara, me motivacionin “Për kontribut të çmuar dhe asistencën e dhënë në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, për përmbushjen e objektivave për një luftë proaktive kundër krimit dhe përafrimin me standardet evropiane të policimit, si edhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët shqiptarë”.
Medalja e nderit dhe certifikatat u dorëzuan gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ditën e sotme.
Në ceremoni ishin të pranishëm zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci dhe përfaqësues të tjerë të Projektit PAMECA V dhe të Policisë së Shtetit.
Zv.ministri Hodaj, Drejtor Nano dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri Bucci kanë vlerësuar maksimalisht rolin dhe kontributin e drejtuesit të Misionit PAMECA V, Carlo D’Achille, në forcimin e marrëdhënieve të Policisë së Shtetit me Policinë italiane, delegacionin e BE-së dhe ambasadën italiane në Tiranë.
Drejtuesi i Misionit PAMECA V, Carlo D’Achille falenderoi Ministrin Çuçi, për medaljen, Drejtorin e Policisë së Shtetit, për vlerësimin e bërë, si dhe ambasadorin Bucci, për gjithë mbështetjen e dhënë gjatë kohës që ai ishte në drejtim të këtij misioni.
D’Achille ka falënderuar edhe delegacionin e BE-së në Shqipëri, për mundësinë e dhënë për të drejtuar Projektin PAMECA V.
Gjithashtu, z. D’Achille shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin dhe rezultatet që Policia e Shtetit ka arritur në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Projekti PAMECA V pritet të ndiqet nga një projekt pasardhës në fushën e agjencive ligjzbatuese.