TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka pritur në takim ambasadorin e Polonisë në Shqipëri, Karol Bachura me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik.
Referuar njoftimit zyrtarë të shpërndarë nga Presidenca, Meta shkruan se Bachura ka luajtur një rol të rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si edhe e ka falenderuar për mbështetjen që i ka dhënë vendit në rrugën për integrimin në BE.
"Pata kënaqësinë të takohesha sot me Ambasadorin e Republikës së Polonisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Karol Bachura, me rastin e përfundimit të misionit të Tij diplomatik. Vlerësova rolin dhe kontributin e Tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nënvizova nivelin shumë të mirë dhe rëndësinë e forcimit më tej të tyre në dobi të popujve e vendeve tona.
Falënderova për qëndrimin mbështetës të Polonisë për proceset e integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi, si dhe për ndihmën e mbështetjen e Polonisë veçanërisht në kuadrin e V4 dhe V4-ËB6. Shumë i lumtur nga statistikat dhe interesi në rritje i turistëve polakë për të vizituar Shqipërinë, e sigurova se ne mirëpresim një numër edhe më të madh të tyre për ta kthyer turizmin shqiptar dhe Shqipërinë në destinacionin e tyre të preferuar. E falënderova Ambasadorin për ndihmën e Polonisë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmetit të vitit të kaluar, si dhe për ndihmën e vyer në përballimin e pandemisë COVID-19 në vendin tonë", shkruan Meta.