PRISHTINË, 4 Dhjetor/ATSH/.- Organizatat e dala nga lufta, para disa minutave kanë arritur që të bëjnë një marrëveshje me ministrin e Arsimit të Kosovës, Ramë Buja, që i ka shtyrë ata të përfundojnë protestën e sotme.
Sipas KosovaPress, ministri Ramë Buja dhe përfaqësuesi i veteranëve Xhavit Jashari, kanë treguar se i kanë dhënë kohë një javë rektorit Ramadan Zejnullahu, që kërkesat dhe propozimet e dala nga OVL UÇK për regjistrimin e studentëve të dëshmorëve, të plotësohen ashtu siç janë kërkuar edhe sot.
Buja u ka thënë protestuesve pas takimit se çështja do të zgjidhet brenda një jave.
Këto institucione janë marrë vesh që të krijojnë një komision, i cili do të verifikojë listën e paraqitur nga OVL UÇK.
Në të kundërt, Jashari ka paralajmëruar masa të tjera, nëse brenda një jave nuk do të kryhet regjistrimi i gjithë studentëve të propozuar nga OVL UÇK.
"Nëse rektori nuk reflekton atëherë do të jemi ditë e natë bashkë për të realizuar këtë të drejtë. Ne e kemi realizuar takimin në mëngjes me rektorin dhe deri sa të realizohen kërkesat tona nuk takohemi me të. Ne ramë dakord që të realizohen të gjitha kërkesat", ka thënë Jashari.
Ai u kërkoi protestuesve që të shpërndahen të qetë, duke u bërë thirrje që të grumbullohen sërish, nëse kërkesat e tyre nuk realizohen brenda një jave./m.m/











