Përfundon rehabilitimi i nënstacionit elektrik në Lushnje! Balluku: Me aplikimin e teknologjive të reja ofrojmë shërbime më cilësore

LUSHNJE- Kanë përfunduar punimet rehabilituese në nënstacionin 110 kV të Lushnjes, një investim i Operatorit të Sistemit të Transmetimit me vlerë afro 1 milionë dollarë, i cili bëri të mundur një rikonstruksion rrënjësor të të gjithë impiantit 110 KV.

Siç njofton ministria Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë nënstacion u ndërtua edhe sistemi i ri SCADA, i cili siguron operim të shpejt, të sigurt dhe që krijon akses për komandimin nga distanca, një risi kjo e cila vjen si pjesë e modernizmit në tërësi të sistemit SCADA për të gjithë vendin.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Skerdi Drenova inspektuan nga afër punimet e bëra në këtë nënstacion.

Duke vlerësuar investimin, ministrja Balluku tha se aplikimi i teknologjive të reja në energjetikë rrit efikasitetin në këtë sektor, duke ofruar shërbime më cilësore për qytetarët, por njëkohësisht duke rritur edhe efikasitetin e punonjësve.

“Energjia është një fushë avangardë, një nga fushat ku aplikohen shërbimet e reja, ku aplikohen teknologjitë e reja. Sigurisht ka ardhur duke u përmirësuar edhe në Shqipëri. Të tre ndërmarrjet KESH-i, OST-ja dhe OSHEE-ja kanë investuar në teknologji. Kjo teknologji na ndihmon për të ofruar shërbime më cilësore, por mbi të gjitha për të qenë efektiv dhe efikas dhe për të qenë të lidhur në mënyrë teknologjike me njëri tjetrin, për t’ju përgjigjur dhe për të pasur ndërveprime në kohë reale”, nënvizoi ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturë dhe Energjisë shtoi më tej se synimi është aplikimi i sistemit SCADA në të gjitha nënstacionet elektrike, me qëllim automatizimin e kontrolluar, i cili jep mundësi për të identifikuar në kohë reale çdo defekt të mundshëm dhe për të ndërhyrë pa humbur kohë për riparimin e tij.

“Synimi ynë është që të mbulohet i gjithë territori, pra në të gjitha nënstacionet ne të aplikojmë sistemin SCADA, duke krijuar interaktivitet me sistemin SCADA të OSHEE-së dhe duke qenë kështu të gjithë nën një kontroll të automatizuar, për të mos pasur më nevojë për lajmerime nga qytetarët, ose kur teknikët identifikonin problematikën, por tani i kemi të gjitha në kohë reale në sistemin tonë”, u shpreh Balluku.

Drejtori i OST, bëri të ditur ndikimin, që pritet të ketë ky investim në furnizimin me energji elektrike në qytetin e Lushnjes, por edhe zonën përreth.

Investimi në nënstacionin e Lushnjes përfshiu gjithashtu demontimin dhe ndërtimin e dy trakteve të reja 110 kV Plasmas-Fier dhe Plasmas-Kavajë, pajisjet e të cilave ishin mbi 50-vjeçare, totalisht të amortizuara dhe nuk plotësonin kushtet teknike të sigurisë, si dhe u zëvendësuan panelet e vjetra të mbrojtjes dhe komandimit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave