Në konviktet e Qytetit Studenti nuk ishte vënë dorë thuajse prej tre dekadash, ndaj kushtet linin shumë për të dëshiruar. Bashkia Tiranë njofton se nga sot, Godina nr. 5 jo vetëm ka ndryshuar plotësisht pamjen, por ofron edhe kushte më të mira për studentët. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e donatorëve privatë, iu përgjigj pozitivisht kërkesave të studentëve dhe në zbatim të Paktit për Universitetin, arriti që në kohë rekord të rikonstruktojë ambientet ndihmëse, pajisjet hidrosanitare, tualetet, dushet, sallën e studimit, fasadën e godinës, si dhe ka bërë zëvendësimin e mobiljeve dhe dyshekëve në të gjitha dhomat e banimit të studentëve.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, inspektoi punimet e kryera dhe vlerësoi transformimin që ka pësuar ky konvikt. Ai falenderoi bizneset që iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. “Jam jashtëzakonisht i mahnitur! Është si dita me natën krahasuar me çfarë gjetëm dy muaj më parë, me kushtet që ishin trashëguar ndër vite. Unë besoj se në fund, kur mbarojnë fjalët, ajo që ngelet është vepra. Sot ka mbaruar konvikti i parë që është rikonstruktuar me themel, falë donatorëve që iu përgjigjën thirrjes së Kryeministrit, bashkisë dhe gjithë qeverisë”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se rikonstruksioni i këtij konvikti është mbajtje e fjalës së dhënë studentëve. “Kjo është pjesa jonë që vjen nga Pakti me Universitetin; pra, rregullimi i konvikteve. Më shumë se gjysma e konvikteve janë në proces rikonstruksioni. Fillojmë shumë shpejt me KFË dhe tjetrin me TIKA-n, ndaj besoj se para verës, para se studentët të largohen për pushime, të kemi përfunduar rikonstruksionin e të gjitha konvikteve, që të mbajmë fjalën për detyrën që na u dha nga Pakti me Universitetin”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Veliaj shtoi se puna që po bëhet me konviktet është vetëm njëra pjesë e transformimit që do të pësojë i gjithë Qyteti Studenti, ku ndërtimi i një kampusi të mirëfilltë universitar është objekti i radhës. “Është vetëm fillimi, teksa i gjithë Qyteti Studenti rreth nesh është kthyer në një kantier ndërtimi. Unë besoj se në kohë rekord, me standardin që kemi vendosur, me ujë të rrjedhshëm, me dyfishim e nyjeve higjieno-sanitare, me sallë dinjitoze studimi, me veshje kapot, që tashmë në një ditë me shi si sot ndihet diferenca e ngrohtësisë në këto ambiente, kam vetëm një kërkesë të fundit: ta mirëmbajmë që brezi tjetër i studentëve që do të vijnë në Tiranë të gjejnë të njëjtat kushte, me të njëjtin standard, dhe të kemi mundësi që duke u liruar nga puna këtu, të vazhdojmë të meremetojmë hapësira të tjera për studentët, teksa jemi në pritje të fillojmë mega-projektin e kampusit universitar”, u shpreh ai.
Gjithashtu, kryebashkiaku bëri të ditur se paralelisht me punën që po bëhet për përmirësimin e insfrastrukturës në godinat e banimit, qeveria po punon për zbatimin e një tjetër pike të Paktit për Universitetin, që ka të bëjë me punësimin e studentëve ekselentë.
Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari falenderoi Bashkinë e Tiranës për punën e bërë me konviktet, ndërsa theksoi se një punë e madhe po bëhet edhe me pikat e tjera të Paktit për Universitetin. “Unë kam parë se si janë konviktet jashtë në Itali, në Angli, kudo ku kam qenë, dhe mund të them me bindje të plotë se këto janë kushte realisht dinjitoze, ku prindërit mund të ndihen shumë mirë që fëmijët e tyre po studiojnë në këto ambiente. Dëgjova që ka edhe ambiente të tjera që po rikonstruktohen dhe janë në proces përfundimi. Sigurisht, nuk është vetëm çështja e infrastrukturës që kërkon një vëmendje të madhe, por janë edhe elemente të tjerë si cilësia e arsimit, pajisja dhe furnizimi me libra, me literaturë, akses me databazë të ndryshme të universiteteve Europiane dhe parandalimi i plagjiaturës. Një element tjetër shumë i rëndësishëm që së fundmi e bëmë edhe realitet në ministrinë e Brendshme, kemi pranuar rreth 20 ekselentë, mesatarja më e vogël ishte 9.04”, tha Lamallari.