Durrës, 19 Dhjetor /ATSH/- Rezultatet e projektit Ten Ecoport janë paraqitur në takimin përmbyllës që u mbajt më 16-17 dhjetor në qytetin e Barit (Itali).
Përfaqësues të 10 institucioneve dhe shoqërive partnere nga 7 vende të rajonit, mes të cilave edhe Autoriteti portual I Durrësit  morrën pjesë në takimin final si dhe në Konferencën për nënshkrimin e marrëveshjes për ngritjen e Task - Force të projektit Ten Ecoport.
Gjatë analizës së veprimtarisë mbi 2-vjeçare në kuadër të këtij Projekti u konfirmua vullneti I partnerëve për vazhdimësinë e bashkëpunimit me synim mbrojtjen e mjedisit në portet dhe në zonat bregdetare, përmes nënshkrimit të një Memorandumi mirkuptimi mes gjithë pjesmarrësve.
Zv. Drejtori i përgjithshëm Artjan Qirici, nënshkroi në emër të APD, Memorandumin e Mirkuptimit, si shenjë e vullnetit për pjesmarrjen në Task Forcen e Ten Ecoport.
Memorandumi u nënshkrua nga të gjithë partnerët e projektit: Universiteti Politeknik i Barit, (Partner udhëheqës), Autoriteti Portual Levante, Autoriteti Portual i Brindisit (Itali); Autoriteti Portual i Igumenicës, Autoriteti Portual i Patras (Greqi); Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjise (Bullgari); Autoriteti Portual i Costanca (Rumani); Autoriteti Portual Dubrovnik (Kroacia); Universiteti Politeknik i Tiranës dhe APD (Shqipëri).
Prof. Leonardo Damiani, përfaqësuesi i Lead Partner të Universitetit politeknik të Barit konfirmoi mbylljen me sukses te projektit TEN-EKOPORT si nje projekt I cili ka në vëmendje problemet mjedisore në zonat portuale dhe përreth tyre.
Damiani, pasi falenederoi te gjithë partnerët për punën e bërë, vuri në dukje se Aktivitetet e Projektit kanë synuar krijimin e një rrjeti për zhvillimin, forcimin, koordinimin e inisiativave të bashkëpunimit për menaxhimin ekologjik të rrugëve detare dhe tejkalimin e pengesave në përcaktimin e një politike mjedisore të përbashkët, pengesa që vijnë për shkak të diferencave të sistemeve në vendet e Europës Juglindore./a.g/