TIRANË- Këtë të mërkurë është regjistruar një bilanc i rënduar i personave që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore. 2 viktima dhe disa të plagosur janë regjistruar ditën e sotme brenda pak orësh në 7 aksidente.

Aksidenti i parë është regjistruar në qytetin e Vlorës, ku një 75-vjeçari humbi jetën pasi u përplas nga një makinë, pasi kishte bërë pazarin. Viktima është identifikuar si Qemal Lamani. Ai u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës, por nuk mundi t'u mbijetonte dot plagëve të marra. Makina tip BMW me portobagazh, me targa AA 469 SV përplasi 75-vjeçarin, i cili kishte bërë pazarin në atë moment, pasi në rrugë janë shpërndarë domatet dhe maska që mbante vënë pak para aksidentit që i mori dhe jetën.  Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit Klaudjo Ibrahimin, 35 vjeç, ndërsa vijon hetimet në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Aksidenti tjetër me vdekje është regjistruar në Kavajë tek mbikalimi i Harizaj. Burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se makina e cila drejtohej nga S.B., ka aksidentuar 47 vjeçen e identifikuar si Trëndafile Velitusha, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Bulqizë kanë mbetur të plagosur 3 persona në një aksident të trefishtë që u regjistrua mesditën e sotme. Aksidenti i trefishtë ka ndodhur në rrugën nacionale Bulqizë – Peshkopi. Dyshohet se parakalimi i gabuar i njërit prej automjeteve ka qenë shkaktar i aksidentit. Përplasja ka qenë shumë e fortë, siç mund të shihet në pamjet që Report Tv sjell.

Foto nga aksidenti në Bulqizë

Ndërkohë, në autostradën Lezhë- Milot, fatmirësisht ka patur vetëm dëme materiale dhe jo pasoja me jetë. Në aksident u përfshinë një kamionçinë e sipërmarrjes së gjelbërimit në bashkinë e Lezhës dhe një mjet tjetër tip 'BMV'. Si pasojë mbeti i plagosur shoferi i kamionçinës, që u dërgua në spital, por nuk ka rrezik për jetën. Ndërkohë kamionçina e cila ishte e ngarkuar me pemë dekorative ka mbetur e përmbysur.

Foto nga aksidenti në Lezhë

Edhe rrugët e Vorës janë përgjakur ditën e sotme me dy aksidente brenda pak minutash, ku mbetën të plagosur 4 persona me tyre dhe një fëmijë 2 muajsh. Gjatë pasdites, rreth orës 17:15, tek pallati me shigjeta, një motor ka përplasur një këmbësore, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur të dy. "Motori me drejtues R.B., ka aksidentuar këmbësoren L.Ç., 40 vjeçe,. e cila u dërgua në spital.  dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, gjithashtu nga aksidenti është dëmtuar dhe drejtuesi i motorit shtetasi R.B, i cili ndodhet ne spital, jashtë rrezikut për jetën", njofton Policia.