Përgjegjësia e rëndë 
e punëve shtetërore

Përgjegjësia e rëndë <br />e punëve shtetërore
Me mesazhet e ditëve të fundit, politika i la dorë të lirë Prokurorisë të bënte detyren  e saj në hetimet për vjedhjen-skandal të Bankës së Shqipërisë dhe menjëherë, Guvernatori dhe Inspektorja e Përgjithshme e bankës sonë qëndrore u arrestuan për shpërdorim detyre shtetërore, nëpërmjet mosveprimit. Sikur politika të kishte vepruar dhe në shumë raste të tjera me të njëjtin standard demokratik, duke e lënë të lirë Prokurorinë të jetë profesionale, arrestimet në vendin tonë do të kishin qenë me qindra dhe dëshira e përpjekjet reale për korrupsion e abuzim me pronën shtetërore, në nivelin minimal historik në Shqipërinë e  23 viteve të fundit.

Pavarësisht se sa e rëndë apo e ashpër mund të duket masa e prokurorisë-që mund të kishte zgjedhur dhe arrestimin shtëpiak me detyrim paraqitjeje, në vijim të hetimeve-, vënia prapa hekurave e drejtuesit të bankës sonë qëndrore është mesazhi më i qartë se me pronën dhe paranë shtetërore në Shqipëri nuk mund të luhet më. Është luajtur deri tani, pse gjithnjë ka ndërhyrë politika. Në të gjitha skandalet e shpërthyera dhe në ato në prag të shpërthimit, që nuk i janë bërë të ditura publikut kurrë, politika ka shantazhuar dhe madje bllokuar prokurorinë e gjykatat.

Kemi patur me bollëk politikanë që me shumë zell bënin prokurorin dhe gjykatësin, apo që ndërhynin me kërcënime e presione të hapura në punën e këtyre institucioneve jetike për ruajtjen e autoritetit të shtetit tek ne. Mund të ketë edhe shkelje të të drejtave të njeriut me arrestimet e mbrëmshme dhe ato duhen parë me shumë kujdes dhe denoncuar, në rast se ka patur. Por shteti shqiptar ka dalë më i fortë nga më parë, me çfarë ndodhi mbrëmë. Arrestimi i Guvernatorit të bankës qëndrore të një shteti evropian është ngjarje shumë e rëndë.

Mund të thuhet se është më tronditësi në Ballkan, pas arrestimit të Ivo Sanader, ish-Kryeministrit të Kroacisë në korrik 2011. Kumti i arrestimit është shumë i qartë. Kush keqpërdor detyrën shtetërore ose nuk e kryhen si duhet atë, mund të përfundojë edhe prapa hekurave. Sado mik politikanësh të rëndësishëm të ketë qenë. Sado të ketë ndihmuar qeverira me mënyra jo fort tradicionale për një bankë qëndrore. Sado “ndere” duke futur farefis politikanësh në punë, të ketë bërë. Politika, si ajo e shumicës në pushtet, dhe ajo e pakicës, në fillim të skandalit provoi ta mbronte beniaminin e saj në bankën qëndrore. Por kur e pa se mbrojtja e mëtejshme e largonte gjithnjë e më shumë nga njerëzit dhe e bënte të urryeshme e gati të neveritshme për ta, ndërroi kah.

Përgjegjësia e rëndë e punëve të nëpërkëmbura shtetërore theu omerta-në e politikës. Skandali i vjedhjes në Bankën e Shqipërisë mori flakë sërisht, kur u panë nga të gjithë fotot se me çfarë lehtësie vjedhësi, punonjësi i Thesarit, kishte hapur portat e kasafortës më të rëndësishme të Shqipërisë, duke vepruar si në çiflig të vet, duke sfiduar rregullin bazë të të qënit të paktën tre vetë në hapjen e kasafortës. Kjo lehtësi depërtimi dhe vjedhjeje në Thesarin e Shtetit, në vendin që duhej të ishte më i sigurti në Shqipëri, ngarkon me një përgjegjësi shumë të rënde drejtuesit kryesorë të Bankës, që lejuan këtë katrahurë me paratë e shqiptarëve.

Dhe kjo përgjegjësi shpërtheu e tronditi me forcën e saj gjithë shqiptarët mbrëmë. Këtej e tutje, nuk ka rëndësi nëse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë lirohet brënda 24 orëve dhe hetohet për përgjegjësitë e tij në vjedhjen-skandal, në gjendje arresti shtëpiak. Këtej e tutje, çdo pozicion i lartë në shtetin shqiptar, sado i mbrojtur nga politika, është më i vështirë për t’u abuzuar apo për t’u keqpërdorur. Dhe kjo është një fitore e madhe për shtetin e së drejtës në Shqipëri, një fitore e madhe për të gjithë ne.            


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Zëvendëskryeministri Bratakos dhe ministri i Shtetit Papastavrou largohen nga qeveria

Greqi/ Zëvendëskryeministri Bratakos dhe ministri i Shtetit Papastavrou largohen nga qeveria