Tiranë- Prokuroria e Posaçme jep pretencën për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, në lidhje me përgjimet e dosjes “Toyota Yaris” dhe lidhjet me elementë kriminale duke ndërhyrë në çështjet e tyre penale.

SPAK kerkon 4 vite burg, duke llogaritur edhe gjykimin e shkurtuar, duke e zbritur me një të tretën dhe përfundimisht me 3 vite izolim.

GJKKO ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga Zarka dhe avokati i tij. Gjykata caktoi seancën e radhës në datën 5 maj, ora 09:00, kur do bëhet mbrojtja e të pandehurit dhe më pas shpallja e vendimit.

Në seancën e sotme (15 prill), Zarka nuk ishte i pranishëm, por përfaqesohej nga avokati, ndërsa prokurori i SPAK, Klodian Braho, në leximin e kërkesës për gjykim në mënyrë të përmbledhur u shpreh:

“Nga hetimet ka rezultuar se Aurel Zarka ka qenë një nga përdoruesit e Sky Ecc, që mundësonte komunikime të fshehta. Ka rezultuar e provuar se ka kërkuar vlera monetare për një çështje në Prokurorinë e Vlorës. Është provuar se ka kërkuar vlera monetare për favorizimin e një tjetër çështje, në bashkëpunim me Radovan Çela. Oficerja e Policisë Gjyqësore Daupaj, mori 10 mijë euro në mënyrë që të ushtronin ndikim për të zbutur masën e sigurisë. Astrit dhe Radovan Çela i kanë dhënë 50 mijë euro Erjona Daupajt që të ndikonte më pas te punonjës të Gjykatës së Tiranës”.

SPAK kërkon që Zarka të shpallet fajtor për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Ndërkohë, lidhur me këtë dosje vijojnë hetimet në një procedim tjetër të ndarë, ku po hetohen persona dhe episode të tjera korrupsioni dhe ushtrimi të ndikimit të paligjshëm.