Përgjimet/ Opozita i kërkoi dorëheqjen, kandidati i PS: S'ka jastëk më të mirë se ndërgjegjja e pastër

Kandidati i PS-së për bashkinë e Shijakut, Elton Arbana i është kundërpërgjigjur akuzave të partisë 'Bindja Demokratike', sipas së cilit asgjë për të cilën po akuzohet nuk është e vërtetë. Duke i cilësuar përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane "Bild" si biseda boshe me qëllim baltosjene figurës së një figure politike, Arbana shkruan se ka ndërgjegjen e pastër dhe se kjo nuk është një taktikë e tij që po përdor me qëllim vetëmbrojtjen.

Në fund bën një përmbledhje të jetës së tij në qytetin e Shijakut, motivet pse ka zgjedhur që të rikthehet në vendin e tij të lindjes pas studimeve në Turqi si dhe motivet e kandidimit në krye të Bashkisë së Shijakut. Mes të tjerave, ai thekson se Shijaku e do të, ashtu si kurse edhe ai këtë qytet, ç'ka sipas tij është e mjaftueshme për të kuptuar përse ka marrë këtë vendim politik.

"Nuk ka jastëk më të mirë, sesa një ndërgjegje e pastër! Unë e dua Shqipërinë, e dua Shijakun tim, prandaj kam zgjedhur të ndërtoj jetën time këtu. Mund të kisha zgjedhur të jetoja dhe në Turqi, vendin ku kam mbaruar studimet dhe i kam pasur mundësitë pë tu integruar. 
Jam rritur me parime të forta nga prindërit e mi, që të marr atë që më takon e të mos dal nga kornizat e ndershmërisë. Ndershmëria dhe integriteti janë absolutisht thelbësore, si parime bazë në punën time. 
Përfshirja ime në politikë erdhi si një zgjedhje mendimplotë, jo me synimin për të plotësuar veten në një tjetër dimension, por sepse doja të ndikoja sadopak, për ta bërë Shijakun një vend më të mirë për të jetuar fëmijët e mi. Unë e dua Shijakun tim. Modestisht pranoj që dhe mua më duan, pavarësisht bindjeve politike socialistë e demokratë, sepse në rradhë të parë jemi njerëz. Jam krenar për punën time për të ndihmuar njerëzit, gjatë gjithë viteve të shërbimit tim politik.
Ka ardhur koha që njerëzit mos të lodhen më me biseda boshe edhe përgjime baltosëse, por të shohin përpara drejt ëndrrës europiane! Në fund të ditës, duhet të ecim përpara me shpresë dhe jo prapa me frikë dhe ndarje. Ne duhet të qëndrojmë në këmbë dhe të bashkuar për atë që ne besojmë se është më e mira për vendin tonë. Sigurimi i një të ardhmeje të ndritur për të gjithë fëmijët tanë është përgjegjësi e komunitetit, e shkollave, e familjeve dhe patjetër e gjithë klasës politike.
Të gjithë njerëzit, kur bëhen të ndërgjegjëshëm për të dalluar të mirën dhe të keqen, dëgjojnë një “zë” të brendshëm. Zëri i ndërgjegjes na flet cdo ditë, duhet ta dëgjojmë.

Askush nuk mund të manipulojë të vërtetën: Unë jam i përzgjedhur nga Partia Socialiste, a e dini pse? Sepse i dua dhe më duan të gjithë shijaksit. Sepse duke qenë prind, familjar, qytetar veproj drejt ndaj vetes dhe tjetrit, jo thjesht për shkak të frikës së ligjit, por për shkak të zërit të ndërgjegjes, të cilit i bindem për të shkuar drejt të mirës me potencial të plotë moral. Ky nuk është instikti im i vetëmbrojtjes, është vetëm një zë kumbues brenda vetes që më thotë: Nuk ka jastëk më të mirë sesa një ndërgjegje e pastër! 
Dëgjojeni dhe ju këtë zë, nëse mundeni…",
shkruan Arbana. 

Ishte një nga themeluesit e partisë 'Bindja Demokratike', Fabian Topollaj i cili më herët në një komunikim për mediet kërkoi dorëheqjen e tij nga kandidimi, pasi sipas tij është një provë që kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe synon që të marrë zgjedhjet me ndërhyrjen e personazhe të tilla.

Lidhja e Elton Arbanës me përgjimet e publikuara nga "Bild"
Njëra nga gjashtë bisedat në përgjimet që janë publikuar sot nga gazeta gjermane 'Bild' është ajo mes Elton Arbanës dhe Astrit Avdylit. Aktualisht kandidat për kryetar bashkie nga PS-ja për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, në momentin që biseda është përgjuar, 31 mars 2017 Elton Arbana ka qenë kryetar i PS-së në qytetin e Shijakut. Në bisedë Avdyli ankohet për një gjobë 5 milionë lekë që një inspektor i INUK-ut i ka vendosur në Fermë të Sukthit, por vetë Arbana sqaron që ai nuk punon më te INUK-u se sipas tij e kanë shkarkuar pikërisht pse kishte bërë disa ndërhyrje. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Elton Arbana thotë se kandidimi i tij për kryetar nuk lidhet me Avdylajt dhe se nëse vërtetohet se ka ndërhyrë në institucione për të hequr gjobën që flitet në përgjime jep dorëheqjen nga cdo post që mban.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë