Përgojimi i adoleshentëve kavajas

Përgojimi i adoleshentëve kavajas

Skandali seksual i tetë nxënësve të një shkolle në Kavajë po kthet në lajm jave. Televizione, gazeta, radio po e marrin dhe e rimarrin. Publikohen përditë lajme me detaje të reja, kurse në emisionet e mbrëmjes po bëhet temë debatesh.

Dhe kjo është e kuptueshme, ngjarja të shokon. Jo se kemi të bëjmë me marrëdhenie seksuale mes një 13-vjeçareje dhe një grupi prej shtatë djemsh, një apo dy vjet më të rritur.

Literatura dëshmon se rastet e marrëdhenieve të detyruara seksuale mes dy adoleshentësh janë të shpeshta në shumë vende, qoftë të zhvilluara, qoftë në zhvillim. Nuk mungojnë as ndodhitë kur vajza detyrohet të kryejë marrëdhenie me më shumë se një partner.

Por në shumicën e herëve këto janë ngjarje të momentit, vijnë kryesisht si eksese pas filtrimeve a zbavitjeve gjatë një mbrëmjeje me alegri, kërcime, alkol, drogë etj.

2.Skandali i Kavajës ka zgjatur më shumë se dy muaj dhe pas gjasash është kryer esëll, me llogaritje cinike që do të bënin të skuqeshin edhe batkçinjtë e regjur të moshave të rritura. Kjo dëshmon se s’kemi të bëjmë me një aksident a rastësi, por me një ngjarje që merr trajta simptomatike dhe dëshmon për plagë të dhimbshme në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Natyrisht ngjarjet simptomatike meritojnë kurdoherë vemendjen e publikut. Shoqëria është tejet e interesuar të mësojë për semundjet dhe plagët që e rrezikojnë.

Megjithatë ka diçka kontraversale në zellin e mediave për t’u marrë e rimarrë me skandalin, për ta rindërtuar historinë duke shtuar ditë pas dite detaje të reja, thuajse voyeuriste. Përse është aq e rendësishme psh që publiku të marrë vesh ku kryheshin marrëdheniet: poshtë shkallëve të shkollës, në magazinën a braktisur, në katin e parë të një pallati në ndërtim, në shtëpinë e gjyshes së një prej adoleshentëve etj. etj.

Akoma më e diskutueshme është prirja për ta vazhduar serialin me dëshmitë e të afërmve. Kuptohet prindërit dhe të afërmit e adoleshentëve të përfshirë në këtë skandal janë në hall të madh, përjetojnë dhimbje dhe shqetësim të thellë. Dëshmitë e tyre burojnë nga trazime emocionale, por edhe nga interesa: si thonë shaka që një ditë të shohësh fëmijen tënd, ende të parritur, të jetë ndaluar nga policia dhe të rrezikojë dënim penal.

Parë në këtë kontekst publikimi i deklarimeve të të afërmve vështirë se i shërben rindërtimit të ngjarjes dhe, ca më pak i shërben orientimit të plikut nga e vërteta. Vetkuptohet që këto deklarime i shërbejnë dukshëm serialit, e bëjnë atë më interesant e më të klikuar.

Gjithsesi, edhe për këtë mediat e kanë një justifikim: përderisa ngjarja është bërë publike, të gjitha palët kanë të drejtën e shprehjes. E kundërta do të ishte privim dhe censurë.

3.Në se të gjitha këto janë të diskutueshme, ka diçka që është qartësisht skandaloze: rrjedhja në media e deponimeve që adoleshentët po bëjnë gjatë hetimit. Po publikohen detaje të tilla si: kur dhe pse vajza vendosi të kishte marrëdhenie seksuale me djalin që pëlqente, si nisi zinxhiri i kalimit të saj dorë më dorë, shkonte vetë apo e detyruar, kush e përdorte videon, a bëhej pagesë për seksin, ç’do të blihej me paret e mbledhura etj. etj.

Detaje të tilla janë pjesë e procesit hetimor dhe, të kombinuara me shumë të tjera ndihmojnë prokurorin e më pas gjykatësin të rindërtojnë sa më saktë ngjarjet dhe të jenë në gjendje të përcaktojnë shkallën e fajit të seicilit. Çështja është pse duhen bërë publike. Për të shuar kureshtjen e lexuesve dhe teleshikuesve, për të shtuar numrin e klikimeve apo thjesht për të kënaqur qasje perverse të atyre që i përhapin?

Interpretimet mund të jenë shumë, por një gjë mbetet e sigurt: të gjitha harxhet i paguajnë të miturit e përfshirë në skandal, jo vetëm viktima, por edhe të akuzuarit. Kodi Penal sanksionon prerë ruajtjen e privatësisë së të miturve. Një nga nenet thotë shprehimisht: “Nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit që ndodhet në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale.”

Ligji është në rregull, por në rastin e Kavajës po luhet një komedi e dhimbshme, thenë ndryshe një komedi e zezë, cinike në thelb. Ndërsa po tregohet dhe ritregohet skandali, të gjithë po bëjnë kujdes që të mos përmenden emrat, të mos publikohen fotot dhe të dhena të tjera personale. Medemek ruajmë privatësinë e të miturve.

Në fakt, qoftë të akuzuarit, qoftë viktima janë identifikuar tashmë nga kavajsit, i njohin me rrenjë e me degë, me soj e me sorollop. Stigma negative që ka krijuar pasqyrimi i kësaj ngjarjeje si sensasion do t’i shoqërojë gjatë, do jetë e pranishme si një plagë në jetët e tyre të ardhshme.

4.Me sa duket ligji ynë e sanksionon të drejtën e të miturit për privatësi por, në një pjesë të mirë të rasteve nuk e realizon dot. Mospublikimi i emrave, fotove dhe të dhenave të tjera personale siguron privatësinë e të miturit në vende të mëdha, me qytete të paktën qindramijshe, por vështirë se mund ta bëjë në Kavajë, madje edhe në Durrës.

Privatësia e të miturve të përfshirë në krime do siguruar me çdo mjet, jo formalisht e sa për të larë gojën. Ky nuk është favor por detyrim i madh social, sepse ka të bëjë sa me respektimin e të drejtave të individit, aq edhe me të ardhmen e të miturve të kësaj kategorie.

Kërkimet psikologjike dëshmojnë se të miturit që përjetojnë përfolje të tilla publike reabilitohen më me veshtirësi dhe kanë probleme në jetën e mëpastajme. Këto probleme fillojnë me shëndetin mendor, rrisin mundësinë për depresion, për çrregullime të stresit post-traumatik, për abuzime me drogën dhe alkolin etj. Të gjitha këto çrregullime bëhen më të mundshme nga që adoleshentë të tillë rrezikojnë të jenë pre e bulizmit nga bashkënxënësit dhe më gjerë.

Parë kështu, një pjesë e mirë e ligjërimit publik për këtë skandal ngjan më shumë si përgojim se sa si informim dhe të kujtojnë personazhin e proverbit që u nis të rregullonte vetullat po nxorri sytë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilo: 08/02/2019 15:49

    Ata pavarsisht moshes duhen denuar si nje grup i strukturuar kriminal me qellim prostitucioni. Kurse sharabajkat Opinion, dhe Open vazhdojne si ne rastin e Xhisieles qe ne vend qe te vene vetulla te nxjerrin syte duke u kthyer ne plehren e rradhes ku valon sherri rremuja era e gojes se ndyre politike e Mark Markut, nje kakofoni e gjalle e thashethemeve mbi ngjarjen te servirur gjasme nga gazetare investigative qe imponohen ne emision sikur jane zoti i lajmeve te trilluara.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë