Erjon Llapushi, të cilit Operacioni Forca e Ligjit i kishte kërkuar të justifikonte dhe deklaronte burimin e të ardhurave, është arrestuar si i përfshirë në trafikun e emigrantëve të paligjshëm.

Policia njofton se bashkë me Llapushin në dy aksione, në Pogradec dhe Korçë, u arrestuan edhe 3 persona të tjerë në kuadër të operacionit “Perimetri”, Tonin Hasa, Ergi Aliu  dhe Klorent Larti, ndërsa u shpall në kërkim një 22-vjeçar banues në Durrës.

Policia sqaroi operacionin e arrestimit duke thënë se në  fshatit Burimas, Maliq u ndaluan dy automjete, me 11 emigrantë. 22-vjeçari në kërkim braktisi makinën brenda sapo evidentoi policinë.

Ndërkohë Erjon Llapushi u kap në Pogradec duke transportuar me furgon 24 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Llapushi rezulton i dënuar më parë  për “kanosje për dhënien e pasurisë” “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje.