“Peripecitë e mija pas letrës të koleges së Arkivit, se kisha qeshur në mitingun e përmortshëm kur vdiq Enver Hoxha”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së

“Peripecitë e mija pas letrës të koleges së Arkivit, se kisha qeshur në mitingun e përmortshëm kur vdiq Enver Hoxha”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së

Pjesa e tridhjetë e dy

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al                                                            

 “Armiqtë e popullit”

Akuzat absurde ndaj meje, se kisha ndihmuar Greqinë me eshtrat e Shën Kozmait!

Unë nuk kisha asnjë dijeni për Shën Kozmain dhe rolin e tij e as për sa thuhej se eshtrat e tij ruheshin në kishën e Kolkondasit. Kështu që nga Fieri ne shkuam në Kolkondas. Hymë edhe në kishë. Shikuam edhe një arkë të vogël ku, sikurse ishte trashëguar gojarisht në disa breza nga fshatarët e zonës, gjendeshin eshtrat e Shën Kozmait. Përsa veprova me iniciativë pata mjaft telashe më pas. Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, unë u kisha dhënë grekëve një argument, një fakt të cilin ata do ta përdornin për të provuar drejtësinë e pretendimeve të tyre për Shqipërinë e Jugut. Për mua ky lloj arsyetimi ishte krejtësisht absurd. Grekët, me ose pa eshtrat e Shën Kozmait, gjithnjë kishin pretenduar e gjithnjë do të pretendonin se Shqipëria e Jugut është pjesë e Greqisë ose Vorioepiri grek. Sot e kësaj dite, Shën Kozmai është harruar, por Greqia nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saja. Aktualisht nga Shqipëria dhe Greqia është nënshkruar një Traktat Miqësie, ndërkohë vazhdon të jetë në fuqi edhe Ligji i Luftës ndaj Shqipërisë i miratuar në Greqi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria dhe Greqia sot janë dy vende që bëjnë pjesë në Aleancën e Atlantikut Verior, por Ligji i Luftës nuk është shfuqizuar dhe as që flitet për këtë gjë, për shfuqizimin e tij në një të ardhme, qoftë edhe të papërcaktuar. Diplomatët grekë në Shqipëri nuk ngurojnë publikisht ta emërojnë Shqipërinë e Jugut si Vorioepir, d.m.th., si Epiri i Veriut.

Historia e Kolkondasit, sidoqoftë, u mbyll. Panajotis Kristopullos u kthye në Athinë mjaft i kënaqur. Unë nuk mund të them nëse Panajotis Kristopullos ishte nisur për në Shqipëri, jo me një mision të karakterit thjesht historiko-shkencor, por në shërbim të megaloidesë. Ai ishte shkencëtar, por në histori njihen edhe shkencëtarë, që u kanë shërbyer qëllimeve të errëta. Unë e prita si shkencëtar dhe e përcolla duke menduar se vizita në vendin tonë, kontaktet me njerëzit kudo ku shkuam, do të kishin shërbyer, sadopak për një mendim, në mos dashamirës, së paku më realist ndaj Shqipërisë. Më 9 tetor të vitit 1984, Kristopullos më ka dërguar një letër ku, midis të tjerave, shkruante: “… gjeta gëzimin e bashkëpunimit me ty, sepse je nga ata njerëz dashamirës, që jep edhe zemrën tënde nëse duhet …Transmetoi të lutem përshëndetjet e mia familjes tënde, me besimin më të madh se ke një mik të vërtetë në Athinë”. A ishte mik Kristopullosi? Unë kurrë nuk e vura në provë miqësinë e tij, as që kisha mundësi. Nuk dua as ta paragjykoj atë. Sidoqoftë, telashet me Kristopullosin dhe  me Kolkondasin nuk morën fund as me largimin e tij, por do të vazhdonin më tej, madje edhe me vite.

Gjatë udhëtimit, që bëmë me Kristopullosin nëpër Shqipëri, atij i binte në sy se kudo, në sheshet qendrore të qyteteve, kishte një bust të Stalinit. Gjithnjë ai qeshte nën buzë dhe thoshte se Stalini ishte një xhelat, një gjakatar, etj. Unë gjithnjë e kundërshtoja duke mbrojtur kështu pozicionin zyrtar të Partisë Komuniste Shqiptare ndaj Stalinit, pra se ky ishte një nga klasikët e mëdhenj të marksizëm-leninizmit, udhëheqësi i ndërtimit të socializmit në Bashkimin Sovjetik dhe i lumturisë së popujve sovjetikë, një burrë shteti që ka luajtur një rol kyç në dërrmimin e nazizmit dhe në çlirimin e popujve evropianë, etj., po në këtë rrjedhë. Unë isha i sinqertë me të, pavarësisht nëse kisha apo nuk kisha të drejtë në ato që thoja. Në një rast Panajotis më tha se Stalini kishte vrarë Trockin, të cilin Lenini e kishte patur si bashkëluftëtarin me të afërt. I thashë atij se Lenini e kishte quajtur Trockin “juda i komunizmit”. Unë shtova se vetë kam patur si projekt të shkruaj një libër për Trockin në këtë kënd vështrimi, por se nuk kam mundur të mbledh materialin e duhur. Sipas Kristopullosit, unë isha “komunisti më fanatik”, që ai kishte njohur.

Disa kohë  pasi ishte kthyer në Athinë, Kristopullos dërgon me postë në adresë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, dy pako të mbushura me libra. Midis tyre ishin edhe dy libra të ndara veçmas me shënimin: “Për Bashkimin”. Njëri prej tyre ishte shkruajtur nga Trocki dhe tjetri i ishte kushtuar Trockit. Unë i mora librat dhe i vendosa në etazherin e vogël, që kisha në zyrën time. Kristopullos, me siguri, kishte dashur kështu të më ofrojë material për projektin tim lidhur me botimin e një punimi për Trockin dhe trockizmin. I lindur dhe rritur në një vend demokratik, atij as që mund t’i shkonte ndërmend se botimet me autor Trockin apo edhe ato që i bënin jehonë trockizmit, në Shqipëri trajtoheshin si materiale subversive, antikomuniste dhe kundërrevolucionare tejet të rrezikshme!

Letrat denoncuese kundër meje e përkthyeses, Efigjeni Shkreli!

Efigjeni Shkreli, që shërbeu si përkthyese gjatë kohës së qëndrimit të Kristopullosit në Shqipëri, shkroi katër letra për të denoncuar tek autoritetet më të larta partiake e shtetërore, marrjen nga ana ime të këtyre librave. Një letër i’u dërgua ministrit të Brendshëm, një tjetër zëvendëskryeministrit që mbulonte si institucion Arkivin e Shtetit, një tjetër sekretarit të Komitetit Qendror për ideologjinë dhe e fundit sekretarit të Komitetit të Partisë për Tiranën. Në letrat e Efigjenit, që kishin të gjitha të njëjtën përmbajtje, përpos arritjes së librave, thuhej edhe se unë, gjatë bisedave me Kristopullosin, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, i kisha thënë atij se “këtu nuk ka demokraci”. Do të isha i gëzuar sot nëse do ta kisha thënë atëherë këtë gjë. Në të vërtetë, me Panajotis Kristopullosin, kam reflektuar gjithnjë qëndrimin zyrtar, i cili në atë kohë ishte edhe qëndrimi im personal. Letrat e Efigjenit, gjithsesi, nuk do të kalonin pa lënë gjurmë, pa krijuar stres, mërzi, pasiguri tek unë. Nga ana tjetër, ndoshta këto letra, nga mënyra se si u trajtuan, më bënë të shoh më qartë realitetin në vend, “drejtësinë” e praktikës komuniste në Shqipëri. Të tjerët vendosën mjaft pikëpyetje ndaj meje. Unë gjithashtu vendosa mjaft pikëpyetje ndaj tyre.

Një nga sekretarët e Komitetit të  Partisë së Tiranës, Konstandin Hoxha, më thërriti në takim në selinë e këtij Komiteti. Nuk mu tha paraprakisht asnjë fjalë përse u kërkua ky takim. Shkova në orën që ishte caktuar. Më shoqëroi, me këtë rast, Reshat Alia, që ishte sekretari i organizatës bazë të Partisë në Arkivin e Shtetit. Edhe Reshati nuk më tha asgjë përse më kishte kërkuar Konstandin Hoxha. Sidoqoftë, mua nuk më shkonte mendja për të keq, sepse edhe nuk kisha dijeni për letrat e Efigjenit.

Në Komitetin e Partisë së Tiranës, Konstandin Hoxha më priti ftohtë dhe me këmbët e para, siç mund të pritej dikush që i kishte sjellë shqetësime serioze Partisë! Edhe ai nuk më foli për letrat e Efigjenit. Më pyeti për librat që më kishte postuar Panajotis Kristopullos. Sipas tij, me faktin e dërgimit të këtyre librave, ai ishte njohur nga shtypi grek. Gjithnjë sipas tij, ishin gazetat greke që kishin botuar artikuj në të cilët shkruhej se: “në Shqipëri po vërshon literatura trockiste”, pra se unë i kisha hapur derën vërshimit të kësaj literature armiqësore për ideologjinë e Partisë së Punës. Pas këtij ekspozimi grotesk, ai më bëri pyetjen: “Përse të duhej ty literatura trockiste”? I përsërita Konstandinit të njëjtën gjë që i kisha thënë edhe Kristopullosit, lidhur me një dëshirë timen, të shkuar për të botuar një libër kritik ndaj teorisë dhe praktikës trockiste. I thashë kështu të vërtetën.

Atij nuk i interesonte kjo. Përpara tij ndodhej armiku i Partisë dhe jo një komunist, jo një njeri, një qytetar, që edhe mund të kishte gabuar. Ai vazhdoi me një pyetje tjetër në stilin grotesk, siç e kishte nisur takimin. “Përse ke dashur ta shkruash këtë libër’, tha Konstandini, ‘nuk të mjaftojnë ty ato që ka shkruar shoku Enver për Trockin dhe trockizmin”? E përkthyer pyetja e tij donte të thoshte: “Mos na i shit ne këto profka. Nuk na e hedh dot ti. Mos të duket gjë vetja më i zoti, më i zgjuar se shoku Enver, ty që kërkon të trajtosh një subjekt të rrahur tashmë prej tij”? Në të vërtetë shoku Enver nuk kishte shkruajtur asgjë për trockizmin apo për Trockin. Në ndonjë fjalim ai ka akuzuar kundërshtarët e tij, midis të tjerave, edhe si trockistë. Vetëm kaq. Edhe Konstandini e dinte këtë gjë. Unë, megjithëkëtë, heshta. Ndryshe do të bija në grackën e provokimit të tij.

Konstandini kërkoi që librat që më kishte sjellë Panajotis Kristopullos, t’i dorëzoja menjëherë në Komitetin e Partisë së Rrethit. Ai dha porosi që Byroja e organizatës bazë të Partisë së Arkivave të Shtetit, të qëndronte mbi këtë rast. Partia duhet të më dënonte. Cila do të ishte masa që do të merrej ndaj meje? Deri ku do të shkohej? Këtë gjë Konstandini nuk ma tha as mua dhe as Reshatit në praninë time. Kjo i’u tha, me siguri, Reshatit në mungesën time. Ky i’a përcolli byrosë së organizatës. Në mbledhjen e byrosë, mua mu bënë një sërë pyetjesh që ishin, të gjitha pa përjashtim, të stilit të pyetjeve të Konstandin Hoxhës.

Përgjigjet dhe shpjegimet e mia as i dëgjonte njeri dhe as kish nevojë dikush t’i dëgjonte. Gjithçka ishte paravendosur. Shumë agresivë ishin sidomos Kristaq Teneqexhiu dhe Ruhi Sinani. Të dy më kujtuan se për gjëra të tilla apo të ngjashme, të tjerë kishin përfunduar në burg. Më kujtuan edhe “varjen” si dhe “plumbin e pushkës”! Unë e dija se këto nuk ishin fjalë në erë dhe as mendime të Kristaqit apo të Ruhiut. E dija si funksiononte mekanizmi i luftës së klasave edhe në gjirin e Partisë. Në bazë të parimit të “centralizmit demokratik”, ishte qendra ajo që orientonte, udhëzonte dhe vendoste se si duhej vepruar në bazë në njërin rast apo në një tjetër. Në rastin tim ishte, së paku, Konstandin Hoxha, sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës, ai që kishte “frymëzuar” shokët e byrosë së organizatës. Partia ime e dashur po më tregonte dhëmbët.

Fatmirësisht, ndërsa prisja të mblidhej organizata bazë e Partisë për të më dhënë “demokratikisht”, goditjen e orientuar, ndodhi diçka që e pengoi këtë gjë. Reshat Alia, sekretari i organizatës, i kishte bërë një vizitë vëllait të tij, Ramiz Alisë, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë për problemet ideologjike. Ramizin e kishin informuar për rastin tim. Siç duket, Konstandin Hoxha ka kërkuar të dëshmojë devotshmërinë e tij para udhëheqjes, por edhe t’i shmangej çdolloj përgjegjësie për masën që do të merrej ndaj meje. Për këtë i duhej miratimi i Ramiz Alisë.

Ramiz Alia e pyeti të vëllanë, Reshatin, si isha unë, “ç’thotë Bashkimi”? Reshati i tregon për telashet e mia. “Bashkimi të bëj një autokritikë në organizatë, ka thënë Ramiz Alia, organizata të vendosë që ai të mos zgjidhet më në udhëheqje të saj. Problemi të mbyllet. Kush do ta hapë atë sërish do të mbajë përgjegjësi para Partisë”. “Mirë, thua ti kështu, i ka thënë Reshati, por ata poshtë teje thonë ndryshe”! Ramizi i ka thënë të vëllait, se do të bisedonte ai me “ata poshtë”. Kështu u mbyll përkohësisht ky problem për t’u hapur sërish disa vite më pas nga Thoma Murzaku. Organizata veproi ashtu sikurse kishte thënë Ramiz Alia. Në thelb, vendimi nuk ishte i drejtë edhe parimisht. Ai shkelte statusin e Partisë në bazë të të cilit çdo anëtar Partie, kishte të drejtë të zgjedhë e të zgjidhet në organet drejtuese. Mua si komunist më kufizoheshin kështu të drejtat që mi garantonte statusi i Partisë, ndryshe – Bibla e Partisë. Unë tashmë isha komunist me hije, me njollë në biografi. Sidoqoftë, kështu u shmang kryesorja, e cila nga fjalori që u përdor në byro, dukej se do të ishte diçka tepër e rëndë për mua dhe familjen time.

Pas gjashtë apo shtatë vitesh, kur ende ishte në pushtet Partia e Punës, por në Parlamentin Shqiptar vepronte tashmë si opozitë e saj Partia Demokratike, shkoja shpesh për të ndjekur sesionet e tij nga salla. Në grupin parlamentar të Partisë së Punës bënte pjesë edhe Konstandin Hoxha. Vazhdimisht më tërhiqte vëmendjen me agresivitetin e tij, me pozicionimet ekstreme kundër zhvillimeve demokratike. Ora i kishte mbetur tek diktatura e proletariatit. Unë punoja në këtë kohë në gazetën e Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”. Një nga shkrimet e mia të para në këtë gazetë ishte: “Unë, Shën Kozmai dhe Trocki”. Tregova thjesht telashet e mia me Trockin e Shën Kozmanë të vdekur dhe me Konstandin Hoxhën, ithtar fanatik i një kohe që po vdiste.

Akuzat ndaj meje se kisha qeshur në mitingun e përmortshëm të Enver Hoxhës!    

Në Arkivin e Shtetit shqetësimet vazhduan në rritje gjatë tërë viteve në vazhdim. Vetëm disa muaj pas mbylljes së dosjes “Kristopullos”, u gjenda për pak kohë në një situatë edhe më absurde. Me 11 prill  të vitit 1985, pas 40 viteve në pushtet, vdiq diktatori Enver Hoxha. Me këtë rast, për të nderuar dhe përjetësuar emrin e tij, udhëheqja e Partisë së Punës organizoi edhe një miting madhështor në sheshin qendror të kryeqytetit. Ishin urdhëruar të gjitha shkollat, të gjitha qendrat e punës e të prodhimit, të gjitha institucionet që detyrimisht të merrnin pjesë në këtë miting për të shprehur dashurinë dhe respektin e tyre të pakufishëm ndaj Enver Hoxhës, për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit, si edhe për t’u betuar se do t’i qëndronin besnikë edhe pas vdekjes. Në këtë miting, morën pjesë edhe punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Pas përfundimit të mitingut do të vazhdonte ceremonia mortore. Enver Hoxha do të përcillej për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Radio Tirana dhe Televizioni Shqiptar, do të vazhdonin të transmetonin edhe këtë pjesë të ceremonialit. Ndërkohë ne u kthyem në zyrat tona dhe prej këndej ndoqëm këtë transmetim. Unë dhe disa kolegë u grumbulluam tek zyra e Thoma Murzakut. Punonjës të tjerë u grumbulluan pranë zyrës së dezhurnit ku edhe ishte instaluar një aparat radioje. Në fund u mblodhëm të gjithë si kolektiv në sallën e mbledhjeve “për të ndarë dhimbjen së bashku”, ashtu siç ishte dhënë orientimi nga Partia.

Kur u mblodhëm të gjithë, një nga punonjëset e Arkivit, Hafsa Krutani, u ngrit për të shprehur trishtimin e saj të thellë dhe të të gjithë kolektivit. Ajo foli pastaj për qëndrimin tim të padenjë, gati sa nuk tha armiqësor, në mitingun e banorëve dhe të punonjësve të kryeqytetit me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës. Sipas saj, unë nuk isha bashkuar me këtë trishtim të thellë e mbarëkombëtar. Gjithnjë sipas saj, unë madje edhe kisha qeshur në miting! Akuza nuk ishte e lehtë. Nuk është se unë nuk kisha qeshur, por kjo gjë nuk kishte në të vërtetë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen e diktatorit apo me ndonjë kënaqësi që mund të kisha ndjerë për fundin e tij. Duke qëndruar për një kohë të gjatë në pritje të hapjes së mitingut në sheshin qendror të kryeqytetit, unë dhe shokët e mi biseduam edhe për gjëra që nuk kishin të bënin me vdekjen e Enver Hoxhës. Në këto biseda edhe kam qeshur.

Hafsaja i shtoi akuzës së parë edhe një të dytë. Sipas saj, fakti që ne nuk u mblodhëm të gjithë në sallën e mbledhjeve pas kthimit nga mitingu, por e ndoqëm transmetimin e ceremonisë mortore në grupe, ishte një veprim që kishte si synim të përçante unitetin e kolektivit në këto momente tejet të vështira, që po kalonte vendi dhe populli ynë. Përçarësi isha unë! Isha unë që kisha sabotuar atë që kërkonte Partia! Nëse do të ishte qëndruar dhe do të analizoheshin “me partishmëri” fjalët e Hafsasë të hedhura pa përgjegjësi, unë duhet të meritoja jo vetëm përjashtim nga Partia, por edhe më shumë. Pse jo edhe burgun! Nuk duhej më shumë për t’u deklaruar armik i Partisë dhe i pushtetit popullor.

Hafsaja ishte komuniste. Ajo kishte ardhur në Arkivin e Shtetit direkt nga radhët e klasës punëtore. Ajo mendonte se ishte syri, veshi dhe ndërgjegjja e Partisë në Arkivin e Shtetit, se Partia e kishte dërguar në këtë institucion për të qenë në roje e për të denoncuar çdo devijim, që mund të ishte në kundërshtim me vijën edhe orientimet e saj. Fjalët e saj nuk gjetën jehonë. Mua m’u desh të shpjegohesha, se si kisha vepruar praktikisht për të drejtuar organizatën e Partisë dhe kolektivin, në këtë provë të dhimbshme që po kalonim. Mendoj se në ato ditë kur e gjithë propaganda zyrtare kishte si synim kryesor të dëshmonte se si i tërë një popull po derdhte lot për vdekjen e udhëheqësit të tij, të pranohej se kishte edhe të tillë që nuk ishin në këtë unison, nuk do të ishte diçka e mençur. Edhe vite e vite më pas, e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, do të deklarojë: “Një popull i tërë e qau Enver Hoxhën dhe askush nuk e detyroi atë të derdhte lotë”. Kështu u mbyll edhe ky rast. Më e keqja më priste në vitet në vazhdim, sidomos pasi u zgjodha sekretar i organizatës bazë të Partisë.

Me kohë unë fillova të njihem me problemet e punës dhe me punonjësit e Arkivit Qendror të Shtetit. Duke qenë sekretar i organizatës bazë të Partisë, doja apo nuk doja, isha i detyruar të dëgjoja këdo që vinte në zyrën time për të ngritur një problem, për të shprehur një pakënaqësi, për t’u ankuar ndaj një padrejtësie sikurse mund ta gjykonte ai ose ajo, etj., etj. Problemet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit shtriheshin në raportet Drejtori-punonjës, më saktë në raportet e drejtorit të kësaj Drejtorie, Thoma Murzaku, me punonjësit e saj. Në Shqipërinë komuniste, punonjësit që guxonin të ngrinin ndonjë problem viheshin edhe para pyetjes: “E di Partia këtë gjë? A ia ke thënë Partisë? Përse ia ke fshehur deri tani Partisë? Përse ke grumbulluar pakënaqësi dhe i zbraz tani”?! Këto etj. pyetje të ngjashme mund ta kthenin të drejtën tënde kundër teje.

Konfliktet e ashpra me Drejtorin e Arkivit, Thoma Murzakun!

Nuk ishin të pakta shqetësimet e punonjësve në Arkivin Qendror të Shtetit. Unë nuk kisha çelësin magjik për t’i zgjidhur ato. “Çelësi” ishte në zyrën përballë meje, në zyrën e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, Thoma Murzakut. Unë vetëm mund të bisedoja me të, ta vija në dijeni për problemet dhe shqetësimet që ekzistonin në institucion, t’i propozoja dhe t’i kërkoja që t’i zgjidhte ato. Thoma Murzakut, për një kohë të gjatë, shoqërisht e jo në mbledhje të kolektivit apo të organizatës bazë të Partisë, i kam ngritur një sërë problemesh. Ato kishin të bënin me qëndrimin e tij sfidues e injorues, jo vetëm ndaj punonjësve të veçantë, Bashkimeve Profesionale, por edhe ndaj vendimeve të Këshillit të Ministrave. Duke u ndjerë si bir i përkëdhelur i Partisë, në raste të caktuara, Thomai i jepte të drejtën vetes të injoronte edhe ndonjë orientim apo vendim konkret të saj, që nuk i shkonte për mbarë.

Thoma Murzaku as  që donte t’ia dinte për Bashkimet Profesionale. Kemi patur një bisedë të acaruar së bashku për rolin e tyre. Unë jam munduar t’i shpjegoj se ato kanë për mision mbrojtjen e të drejtave të punonjësve. “Po unë’, tha, ‘si drejtor, mos jam pronar e nuk i mbroj këto të drejta”?! I thashë se në bazë të kësaj logjike, meqë të drejtat e punonjësve i mbrojnë drejtorët, nuk duhet të ekzistonin Bashkimet Profesionale. Në të vërtetë ai sillej si pronar dhe Bashkimet Profesionale i konsideronte në pronësi të tij, ashtu sikurse edhe punonjësit, sikurse edhe vetë organizatën bazë të Partisë. I veshur me pushtet, ai ishte pjesë, ingranazh i dhunës së ushtruar nga pushteti shtetëror, i arbitraritetit e megalomanisë së tij. Ai i lejonte vetes gjithçka të paligjshme, të pamoralshme në kuptimin e gjerë të fjalës, sepse ndjehej i mbrojtur nga ky pushtet. Unë ende nuk e kisha kuptuar këtë të vërtetë. Mendoja se drejtues si ai ishin ingranazhe të ndryshkura, që dëmtonin veprimin normal të aparatit shtetëror. Kisha nevojë për disa goditje të tjera që të shihja drejt e në sy të vërtetën.

Duke i parë tani në retrospektivë vitet e punës në Arkivin e Shtetit, më duket se Thoma Murzaku, ishte i “specializuar” për të krijuar konflikte me punonjësit. Ai nuk mund të drejtonte ndryshe. Unë që u largova nga «Zëri i popullit», për të mos qenë pjesë e konflikteve, u gjenda në Arkivin e Shtetit mes konflikteve, grindjeve, thashë e themeve, intrigave e gënjeshtrave të pafund. Dëshira ime për t’u dhënë fund atyre nuk përputhej me atë të Thomait, që në mes tyre e gjente veten si person dhe si drejtues. Kështu mosmarrëveshjet me Thomain me kalimin e viteve erdhën duke u shtuar. Arritëm deri aty sa, pothuajse në gjithçka ne kishim pozicione të kundërta.

Në të vërtetë ishin përplasjet e tij të vazhdueshme me punonjësit e Arkivit të Shtetit, që reflektonin edhe në marrëdhëniet tona. Nuk kishte mbledhje apo analizë pune në kolektiv, ku ai të mos kritikohej me të drejtë e pa të drejtë. Në një moment, në një mbledhje të organizatës së Partisë, unë u solidarizova me disa kritika që i ishin bërë atij nga punonjësit e institucionit. Ai, si gjithnjë, reagoi keq. «Ti’, tha Thoma Murzaku, ‘tani ke ardhur dhe nuk i di fare gjërat”! “Ti kërkon të dalësh si shpëtimtar”, më tha. Njëkohësisht ai më paralajmëroi që të mos mendoja se meqë isha sekretar i organizatës bazë të Partisë, do të më lejonin të bëja si të doja! Gradualisht ai nisi të më shohë si armik i tij dhe më pas edhe si armik i Partisë, i shtetit shqiptar. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi