Diskutimi që eliminoi gazetarin e Radio-Tiranës: “Ministri financave, Kiço Ngjela dhe Abdyl Këllezi, të na tregojnë, nga dalin fondet për ‘Bllokun’, se ne si komunistë…”?!

Diskutimi që eliminoi gazetarin e Radio-Tiranës: “Ministri financave, Kiço Ngjela dhe Abdyl Këllezi, të na tregojnë, nga dalin fondet për ‘Bllokun’, se ne si komunistë…”?!

Më 28 nëntor të vitit 1938, me rastin e festës së Pavarësisë, në një ceremoni ku merrnin pjesë autoritete të rëndësishme të vendit, me një fjalim të mbajtur në mikrofonin e Radio Tiranes, Mbreti Zog i Parë, përuroi ngritjen e këtij institucioni, që ndër vite u bë kaq i dashur dhe popullor edhe për shqiptarët jashtë atdheut. Me këtë  rast, po botojmë dossierin ’85 vjet të  Radio  Tiranes’, përgatitur nga gazetari dhe shkrimtari Skifter Këlliçi, i cili ka punuar për 40 vjet në Radio Tirana, (1959-1999), së pari redaktor dhe pastaj komentator sportiv.

Mirëpo kjo ndihmesë e madhe e tij si edhe e bashkëpunëtorëve të parë të Radio-Tiranës, u mohua krejtësisht pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi. U arrit deri në atë pike, sa u mohua edhe data e krijimit të Radio-Tiranës, 28 nëntor 1938, kur Mbreti Zog mbajti fjalimin e tij përurues më këtë rast.

Si datë e krijimit të Radio-Tiranës, u mor 28 nëntori i vitit 1944, kur diktatori Enver Hoxha, foli në mikrofonat e kësaj radioje në manifestimin e madh, të mbajtur me rastin e çlirimit të Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Katër vjet veprimtari të Radio-Tiranës, siç do ta shohim në pjesët e ardhshme të këtij cikli, u mohuan.

Kjo padrejtësi vulgare u vu në vend më 28 nëntor të vitit 1993. Asokohe, si$ shkrova më sipër, sapo kisha nisur të të shkruaja “Historinë e RTSh-së, (1938-1990)”. Në një bisedë me Skëndër Buçpapajn, drejtorin e atëhershëm të këtij institucioni, ramë në ujdi, që të organizonim një mbledhje solemne me rastin e kësaj ngjarjeje të madhe në historinë e kulturës sonë. Ashtu u bë.

Pas kumtesës që mbajta në këtë mbledhjeje, Viktori Xhaçka, këngëtare dhe pastaj redaktore  e muzikës në Radio Tirana, solli kujtime të saj nga jeta dhe puna në Radio në vitet 1938-1944,ku ajo që në ditën e parë të themelit të saj, si pjesëtare e korit të vajzave të Institutit “Nana Mbretneshë”, kishte nisur të aktivizohej së bashku me artistë të tjerë.

Që atëherë 28 nëntori i vitit 1938, hyri me të drejtë në histori si data e krijimit të Radio-Tiranës…! Dhe do të mbetet e tillë përjetësisht, ndonëse se më 2003-in, drejtuesit e mëvonshëm në  RTSh, të paktën në emisione të lajmeve, nuk zunë në gojë 65-vjetorin e krijimit të Radio-Tiranës, që ishte bërë traditë pas vendosjes së sistemit demokratik. Madje, siç do të shkruaj në pjesën e fundit, lanë në heshtje të plotë edhe botimin e librit “Historia e RTSh-së”, që doli në dritë më 2004, i cili  duhej të shënonte për këtë institucion një ngjarje të shënuar.

Radio-Tirana gjatë pushtimit fashist

Ndërsa trupat fashiste ato ditë të para të prillit të vitit 1939 po përgatisnin me shpejtësi pushtimin e Shqipërisë, thirrjet më të fuqishme që populli të ngrihej e të luftonte kundër pushtuesit, u dëgjuan nga mikrofonët e Radio-Tiranës. Për këtë dëshmon një artikull botuar në gazetën “Bashkimi i Kombit”, më 9 prill të vitit 1944, me titull “Kujtime Radio Tirana, dhe 7 prilli 1939”, ku, ndër të tjera, thuhet:

“Radio Tirana në ditët fatale u kallzua më i vlefshmi nga ç’mund të besohet, madje shumë më i vlefshëm nga shtatmadhoria e gjeneral Aranitit, që kujtoi se me shembjen e urës së Shijakut e kreu detyrën, pra, Radio-Tirana e pagoi plotësisht detyrën e vet. Në Berlin, Londër, edhe aty në Romë vetë zëri i shqiptarëve shpërndarë nga mikrofoni i saj, la jehonë të thellë. Në shumë vende të qytetëruara, lajmet e përhapura nga Radio- Tirana, shkaktuan botime të posaçme në fletoret më në zë të përditshme.

Shqipëria në ato çaste kritike mundi ta thotë fjalën e saj”. “Jehona e Radio Tiranës, në atë të premte të zezë,- vazhdon artikulli,- ka qenë më e madhe dhe më e fortë në kryeqytetet ballkanike dhe sidomos në Bukuresht, Stamboll, Sofie, ku jetojë në me shumicë shqiptarë mërgimtarë, të djegur e të zhuritur për mëmëdhenë”.

Këto thirrje u bënë së pari nga drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, drejtori i ATSH-së, Mihal Sherko, komentatori sportiv, Anton Mazreku, madje edhe nga kryeministri, Mehdi Frashëri.

Por rezistenca qe e kotë. Shqipëria ra nën sundimin fashist. Po ashtu kultura, arti, propaganda. Nuk përjashtohej as Radio Tirana, që menjëherë u vu nën kontrollin e pushtuesit…!

Për t’i treguar botës se ata nuk janë pushtues, fashistët që më 14 prill të vitit 1939, siç njofton edhe gazeta “Shtypi”, nisën të transmetonin programe në të gjitha gjuhët ballkanike: serbo-kroatisht, greqisht, bullgarish, rumanisht, turqisht si dhe frëngjisht, anglisht, në të cilat  pushtimi e cilësohej  “çlirim” i Shqipërisë.

“Vendi ynë ka fituar kështu rekordin në gjuhë të huaja midis radiostacioneve të Ballkanit,- vazhdonte “Shtypi”, në po atë datë. – Shqiptari në mërgim ka mundësi të vihet në korrent të ngjarjeve të përditshme me të gjitha hollësirat dhe komentet e duhura”. Sigurisht që ato dy dhoma në Bashkinë e Tiranës ishin shumë pak për synimet e pushtuesve, të cilët pas disa muajsh, e transferuan Radion në një godinë të re, në rrugën “Kont Urani”, në një kthesë të “Rrugës së Kavajës”, ku ajo mbeti si e tillë deri më 5 dhjetor të vitit 1965.

Godina e re e Radio-Tiranës, nisi të pajisej nga specialistët italianë me aparaturat më moderne të kohës. Siç njoftonte gazeta “Fashizmi” e datës 29 dhjetor 1939, në një artikull me titull: “Radio-Tirana vepër fashiste”, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, Xhafer Ypi dhe Valauri, kryetari i EIAR-I, (Ente Italiana Audio Radio), nënshkruan një marrëveshje, për instalimin e një stacioni të fuqishëm me fuqi prej 50 kv, që do të transmetonte me valë të mesme.

“Shqipëria do të ketë një nga stacionet më të fuqishme të Ballkanit”, – njoftonte kjo gazetë, duke i bërë jehonë marrëveshjes së mësipërme. Sipas kësaj gazete, “do të fuqizoheshin të gjitha shërbimet e radio-difuzionit në Shqipëri, të cilat me ngritjen e stacionit të ri, do të shpërndaheshin nga një ndër stacionet më të fuqishme dhe më moderne të Ballkanit”.

Në të njëjtën kohë, u modernizuan edhe më shumë dy studiot që ndodheshin në katin e tretë të godinës së re të Radios, nisi të botohej revista e përdyjavshme “Radio-programi”, që më pas u quajt “Radio-revista Tirana” dhe më pas “Vatra Shqiptare”. Në këto revista, botoheshin programet e Radio-Tiranës, si dhe rubrika kulturoro-artistike dhe letrare.

Sigurisht që botoheshin edhe materiale propagandistike fashiste. Kjo ishte e pamënjanueshme. Megjithatë, revista u bë pasqyrë e mendimit intelektual shqiptar dhe botëror. Kjo revistë pushoi së botuari, në shtator të vitit 1944.

Për të kuptuar se ç’propagandë bënin fashistët edhe për Radio-Tiranën, mjafton të përmendim një artikull të botuar në numrin e parë të revistës “Radio-programi”, (11 prill 1940), me titull “Nj vit jete në Radio Tirana”, ku shkruhej: “Brenda një vendi pak metër katror, një platformë e zezë ngjitur pas muri. Në një cep, një tryezë e vogël, një copë hekuri e bardhë, mikrofoni, pjesë kanconetash…. letra të daktilografuara.

Një djalosh flokëverdhë, i mbytur në djersë, shprehet me shumë gjeste e pak fjalë….! Mbi një karrige, disa dhjetëra disqe të prishura nga përdorimi. Një i nxehtë që të zë frymën. Jashtë 37 shkallë në hije. Brenda 40 shkallë…! Ishte qendra e Radio- Tiranës këtu e një një vit më parë. Sot në rrugën ‘Kont Urani’, një pallat i vogël dhe i këndshëm është qendra e shërbimeve të Radios, me gjithë aktivitetet e saj harmonike e kumbuese, që fillojnë në mëngjes dhe e vazhdojnë deri në mbrëmje vonë”.

Për aftësimin profesional të personelit krijues të Radios u ngritën kurse. Një ndër ta ishte kursi për përgatitjen e folësve, drejtuar nga folësja Kaliopi Plasari, shkolla e përgatitjes së këngëtarëve drejtohej nga Tefta Tashko e pianisti Tonin Guraziu, së bashku me muzikantin italian, Mario Etore. Funksiononte edhe kursi i kitarës dhe më pas shkolla e instrumenistvë, ku nisën hapat e parë Nikolla Zoraqi, Ymer Skënderi dhe Genc Bogdo, që u bënë më pas muzikantë dhe kompozitorë të njohur.

Për ngritjen teknike ndihmoi inxhinieri i njohur italian, Antonio Galeaci, i cili së bashku me pianistin Mario Etore, qëndroi në Shqipëri deri më 1948, duke dhënë ndihmesë të ndjeshme në ecurinë Radio-Tiranës. Ndër emisionet më të njohura, përmendim programet e orkestrës moderne të drejtuar, përveç Mario Etores, edhe nga dirigjenti tjetër italian, Sardeli, “Radio Posta”, emision me muzikë të kërkuar nga dëgjuesit, “Ora gazmore”.

Kishte edhe emisione të tjera interesante si: “Ora e fëmijëve”, “Ora letrare”, ku lexoheshin dhe diskutoheshin vepra të njohura të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Emisione me interes ishin dhe ato me karakter kulturor, shkencor, emisione përkujtimore për figura të mëdha shqiptare dhe të huaja, ku bashkëpunonin personalitete të kulturës dhe artit shqiptar.

Pa dyshim, ndër emisionet më të dëgjuara të Radio-Tiranës, ishte dhe “Ora e mjekut”, i cili kishe nisur që në javët e para të krijimit të Radio-Tiranës nga Dr. Hamdi Sulçebe, emisioni më jetëgjatë i Radio-Tiranës që ai e vazhdoi deri në ditët e fundit të jetës së tij, po të marrim parasysh se vazhdoi për më shumë se 50 vjet. Me shumë interes ndiqej gjithashtu edhe “Kronika Sportive”, përgatitur nga radiokronisti i njohur, Anton Mazreku.

Ndonëse në kushtet e rënda të pushtimit fashist, kur në programet e Radio-Tiranës zunë vend edhe programe në gjuhën italishte, si; lajme, komente, mësimi i gjuhës italiane, sidomos programe të muzikës së lehtë, prapëseprapë, Radio Tirana u përpoq të ruante tipare kombëtare. Kjo, u pa, veç atyre që përmendëm më sipër, edhe te emisionet muzikore që përbënin pjesën dërmuese të programeve të Radios.

Këtë e vërteton edhe një relacion mbi veprimtarinë e Radio Tiranës, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 1943, (Arkivi i Shtetit, Dosja 12, faqe 198), ku theksohet se po punohej për mbledhjen e apuntave melodike “që do të krijojnë këngën shqiptare, duke e rikthyer në një formë të re, por që do të rrjedhë vetvetiu e do të përmbledhë tërë folklorin melodik të vendit. Për të filluar këto veprime u bë një përmbledhje dhe një rishikimi motiveve të para shqiptare në volumin ‘Jeta shqiptare’, volum i cili po përhapet në të gjithë Shqipërinë”.

Në kultivimin e muzikës popullore shqiptare në Radio-Tirana, luajti rol krijimi grupit toskë dhe grupit karakteristik shkodran, me këngëtarin e njohur, Kel Sata, grupi i burrave drejtuar nga Mihal Ciko, (këngëtar i njohur dhe drejtues i sektorit të muzikës në Radio), grup që që u bë shumë popullor.

Gjithashtu duhet përmendur nisma që mori këngëtarja e njohur Tefta Tashko, punonjëse e Radios, e cila më 1942, shkoi në Itali, ku regjistroi këngë popullore shqiptare, të cilat edhe sot kanë vlera të jashtëzakonshme. Ndër këngëtarë të  tjerë të njohur të Radios, përmendim sopranon Marie Paluca, (Kraja), tenorët; Kristaq Antoniun, Kostaq Koço, këngëtaret Bardhyle Nase, Merita Sokoli, Behije Cela, (Levonja), Viktori Xhaçka, që kënduan me pasion këngë popullore shqiptare.

Vend të rëndësishëm në programet e Radio-Tiranës zinte dhe muzika klasike, e cila i përcillej dëgjuesit me disqe që erdhën posaçërisht nga Italia. Veç kësaj, në Radio jepeshin edhe koncerte me muzikë dhome, koncerte të orkestrave të vogla, komplekse karakteristike e komplekse me fizarmonikë. Dëgjuesi ynë, pati mundësi në ato vite të dëgjonte pjesë të njohura simfonike në interpretimin e Orkestrës së Forcave të Armatosura Italiane, që transmetoheshin kryesisht nga Radio-Tirana.

Në një artikull të botuar më 14 korrik të vitit 1943, në gazetën “Tomori”, vihet në dukje se Radio-Tirana, kishte transmetuar “…rreth njëzetë koncerte të mëdhenj simfonikë nga më të mirët, duke përmbledhur copa muzike klasike, nga më të mirat, copa autorësh klasikë të kohës së kaluar, dhe nga ato më të mëdhatë dhe më të shquarat të kohës sonë…ndër të cilat pesë simfonitë më të njohura të Beethovenit”.

Në këtë mënyrë gama e veprimtarisë së Radio-Tiranës u rrit shumë. Për këtë qëllim u krijuan sektorë të tillë si i radiopërhapjes, ku përfshihej dhe informacioni, sektori i gjuhëve të huaja, i programacionit, i grupit dramatik, për të cilin do të flasim më pas, sektori teknik, sektori i muzikës, i rubrikave të ndryshme, ku aktivizoheshin rreth 50 vetë, shifër e madhe për ato vite.

Më 16 prill 1943, në gazetën “Roja Kombëtare” jepej njoftimi se në Kashar, do të vendosej një stacion i fuqishëm prej 50 kv., nga 3 kv. me të cilin punonte Radio-Tirana, por ky projekt dështoi, sepse Italia fashiste kapitulloi në verë të vitit 1943.

Sidoqoftë, edhe me atë kapacitet të vogël, Radio Tirana, siç e pamë, po bënte përpara. Ndaj të vjen të vesh buzën në gaz, kur në një dosje të ruajtur në Arkivin e RTSh-së për historinë e Radios në vitet e para, shkruhet:

“Radio Tirana, e cila u vu në funksionim në nëntor të vitit 1938, ashtu si i gjithë shtypi borgjez dhe reaksionar i asaj kohe, ishte në duart e klikës feudo-borgjeze të Zogut dhe u shërbente interesave klasore…! Në kushtet e një radioje të kufizuar primitive dhe injorancës së regjimit, Radio-Tirana u shfrytëzua si mjet për të helmuar ndërgjegjen e popullit dhe për të vënë në gjumë ndërgjegjen e tij…! Shërbimi i vërtetë i Radios, fillon vetëm pas çlirimit të vendit nga okupatorët nazi-fashistë, përmbysjes së klasës feudo-borgjeze dhe vendosjes së pushtetit popullor…”!

Pushtuesit ndërrohen…!

Pas kapitullimit të fashistëve Italinë, në shtator të vitit 1943, vendin e tyre e zunë pushtuesit gjermanë, të cilët propaganduan se do të ishin kalimtarë në Shqipëri, e cila nuk bënte pjesë në planet e tyre strategjike. Por, siç dihet, nuk ndodhi kështu. Çdo gjë u vu nënë kontrollin e tyre të rreptë. Doemos edhe Radio-Tirana.

Këtë e dëshmon midis të tjerash edhe ky fakt: Pa kaluar një muaj nga ardhja tyre, me anë të agjentëve që u shërbenin pushtuesit  gjermanë, u vunë në dijeni të një celule antifashiste që vepronte në Radio-Tirana, ku bënin pjesë punonjës të saj, midis të cilëve Muharrem Pirdeni, Todo Bojdani, Tasi Kanxheri, Nazim Batalli, Spiro Qirko, Hysen Pelingu, Kaliopi Prifti, etj.

Dhe ja, befas, në Radio-Tirana ia behu një grup ushtarësh gjermanë, komanduar nga një oficer, i cili mbajti nën kontroll ata nëpunës që u gjetën aty në ato çaste, midis të cilëve ishte edhe drejtori, Gjergj Bubani. Pastaj ai dha urdhër që të paraqiteshin menjëherë aty edhe nëpunës të tjerë. Dhe kur ata erdhën, i hipën të tërë me forcë në një kamion dhe i shpunë në një rrethinë të Tiranës, ku u kërkuan se, në rast se nuk do të tregonin se cilët ishin antifashistët në Radio, do t’i pushkatonin.

Nuk dua të zgjatem se për këtë ngjarje kam shkruar tash vonë në librin “Çelentano, unë dhe polici”, por, sipas Behije Çelës, (Levonja), që u ndodh në këtë grup, vetëm gjakftohtësia e Gjergj Bubanit, si dhe shpjegimi që u dha gjermanëve një i njohur i tij që ishte njeri i besuar i pushtuesve, se në Radio nuk kishte antifashistë, solli si pasojë që tërë punonjësit të liroheshin.

Pushtuesit e rinj, vërtet nuk ndërhynë hapur në punët e Radio- Tiranës, por kërkuan që në programet e saj të përfshiheshin dhe emisione radiofonike, për të propaganduar qëllimet e tyre. Kështu, që në muajin tetor të vitit 1943, dy herë në ditë nisën të transmetoheshin lajme në gjermanisht dhe që nga janari i vitit 1944, emisioni “Për gjermanët”, i cili më pas u quajt “Ora gjermane”.

Sidoqoftë, vazhduan të transmetoheshin rregullisht rubrikat e mëparshme për të cilat kemi folur më parë. Madje u krijuan edhe rubrika të reja si “Dy fjalë me dëgjuesit”, “E dini mirëfilli…”, vazhduan të transmetoheshin programe me këngë popullore shkodrane, labe, këngë të kënduara nga kori i burrave, drejtuar nga Mihal Ciko, si dhe pjesë operistike dhe simfonike.

Në veprimtarinë muzikore, përfshihej gjithashtu edhe një orkestër simfonike ushtarake gjermane. Sipas kujtimeve gojore të Mihal Cikos, gjermanët kërkuan që në këtë orkestër, të bënin pjesë edhe orkestrantë shqiptarë, por me porosi të Këshillit Antifashist të Tiranës, ata u tërhoqën.

Po kështu ndodhi edhe me komentatorin sportiv, Anton Mazreku, që u kërkua nga ushtarakët gjermanë, të komentonte në Radio-Tirana, ndeshjen Sport-Klub “Tirana”, me skuadrën e tyre ushtarake “Vermaht Aushvald”, e cila u zhvillua në qershor të vitit 1944, në fushën e “Shallvares”. Përsëri me porosi të Këshillit Antifashist, Mazreku gjeti mënyra që t’i shmangej kësaj ftese.

Një nga risitë e suksesshme të Radio-Tiranës gjatë kësaj periudhe, qe veprimtaria e grupit filodramatik që përgatiti dhe shfaqi pjesë të njohura teatrore. Në këtë grup, nisën të shquheshin Behije Çela, (Levonja), Liza Vorfi, Mihal Popi, Xhevat Serezi, që u bënë më pas aktorë të njohur, si dhe piktorët e skenës, Qamil Grezda e Hasan Reçi, edhe ata, më pas, skenografë të shquar.

Ja çfarë shkruhet në gazetën “Bashkimi i Kombit”, të datës 12 qershor 1944, pas disa shfaqjeve të këtij grupi në Teatrin “Kosova”, sot Teatri Kombëtar: “Grupi filodramatik i mikrofonit të Radio-Tiranës, pa pretenduar për reklamë bombastike, na u paraqit siç i ka hije artit të vërtetë, i thjeshtë e serioz. Por pikërisht kjo thjeshtësi, i bëri dhe më shumë nder, dhe qe për ne sensacion. Një dramë e dy komedi. Tri pjesë të interpretuara, nga katër femra e, tre meshkuj”.

Dhe këtu ishte fjala për; Evanthi Cikon, Bardhyle Nasen, Meri Hariton…Kostaq Nasen, Mihal Stefën, etj., sidomos në komedinë “Doktori pa dorashka”, me regji të Mihal Cikos. Gjatë vitit 1944, veprimtaria e Radio-Tiranës u pasqyrua në revistën “Vatra shqiptare”, e cila, siç përmendet më sipër, ishte vijimi i revistës “Radio Tirana”, dhe “Radio-programi”.

Kjo revistë vazhdoi traditën e mëparshme, duke botuar programin dyjavor të Radio-Tiranës. Ajo u bë, gjithashtu, tribunë tërheqëse e jetës artistike e kulturore në Shqipëri./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?