“Shoku im bëri vetëvrasje, pasi i dënuan vëllanë, që kishte për grua vajzën e Spiro Kolekës dhe… “/ Kujtimet e panjohura të gazetarit të Radio Tiranës

“Shoku im bëri vetëvrasje, pasi i dënuan vëllanë, që kishte për grua vajzën e Spiro Kolekës dhe… “/ Kujtimet e panjohura të gazetarit të Radio Tiranës

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’.

“Armiqtë e popullit”

Në rrugën tonë edhe shtëpia e këngëtarit të njohur, Rudolf Stambolla

Në rrugën “Arkitekt Sinani” ku banoja unë, gjendej edhe shtëpia e Rudolf Stambollës ose Dolfit, siç e thërrisnim. Rudolfi këndonte këngë të muzikës së lehtë. Ai ishte mjaft popullor dhe dëgjohej me mjaft kënaqësi si nga të rinjtë ashtu edhe nga më të rriturit. Këtyre të fundit, me interpretimin e tij të butë, Rudolfi u kujtonte kohën e shkuar të kanconetave italiane. Vetë ai mbahej mjaft elegant, i krehur bukur, mbante një xhaketë së cilës i’a ngrinte jakën përgjysmë, duke krijuar kështu një profil të veçantë e tërheqës.

Rudolfi regjistroi dhe transmetoi mjaft këngë në Radio Tirana. Ai mori pjesë, në mos gaboj, vetëm në një festival të këngës në Radio-Televizion. Ky festival ishte një lloj konkursi i ngjashëm me atë që bëhej e bëhet ende sot në San-Remo në Itali apo në Eurovizion. Përmasat e tij, sigurisht, ishin shumë më modeste. Ky ekspozim fizik i tij, para publikut qe edhe fatal për të si këngëtar. Rudolfin e “sfumuan”. Një ditë pa pritur, atë e larguan nga skena dhe nga mikrofoni. Këngët e interpretuara praj tij, nuk u transmetuan më as nga Radio Tirana, e vetmja radio në Shqipëri. Ç’kishte bërë Dolfi i shkretë, që u ngjit sërish në skenë pa zë dhe gati i përlotur, vetëm pas afro 50 vjetësh, atëherë kur iu afrua të tetëdhjetave, pas përmbysjes së komunizmit?!

Rudolfi ishte i biri i Balto Stambollës. Ky ishte “mëkati” i pafalshëm i tij. Ai nuk duhet të kishte pranuar të kishte lindur nga një baba si Balto! Babai i tij, rreth 40 vjet më parë, kishte vrarë një atdhetar dhe demokrat të shquar, Luigj Gurakuqin. Këtë e kishte bërë sepse Luigji ishte kundërshtar i Monarkisë apo Monarkut, siç ishin më vonë edhe komunistët. Ky është versioni komunist i ngjarjes. Ndoshta përputhet me të vërtetën. Unë nuk kam dëgjuar version tjetër deri tani. E pra, për këtë veprim të babait të tij, para 40 vjetësh, duhet të paguante tani Rudolfi, që as u ngatërrua ndonjëherë në politikë, që donte vajzat dhe këngën.

Për regjimin, kalimi i Dolfit në surdinë duhej bërë për të mos lejuar të birin e Baltos, që vetë s’ekzistonte më, të adhurohej, sidomos nga rinia. I mbërthyer në një fanatizëm politik, ai i vlerësonte duartrokitjet e publikut për Rudolf Stambollën, si një mbështetje për djalin e armikut, pse jo edhe si një kënaqësi, pas vdekjes, për vetë babain e tij, Balton. Në logjikën komuniste armiku duhej të vuante edhe pas vdekjes. Kjo arrihej duke dënuar familjarët e tij, duke mos i lënë të ngrenë kokë, duke mos i lejuar të dallohen si nxënësit më të mirë në shkollë, duke i ndaluar të këndojnë, të recitojnë, të shkruajnë e të botojnë… Astrit Sojlin, Pjerin Shllakun, Krenar Prezën, Ibrahim Bumçin, të gjithë bashkënxënës me mua.

Familja e Shaqir Prezës

Me Krenar Prezën, kemi qenë shokë që në moshën 3-4 vjeçare. Një mur i ndante shtëpitë ku banonim. Në të vërtetë familja ime ishte strehuar në shtëpinë e Shaqir Prezës, djalit të xhaxhait të babait të Krenarit. Babai i Krenarit, Osmani, i prekur rëndë nga një sëmundje kockash, u detyrua të punojë tërë jetën, në ngarkim-shkarkim të kamionëve që transportonin arkat me bukë në njësitë e shitjes. Përse? Regjimi nxorri jasht shtëpisë së tij, në rrugë, Shaqir Prezën, të cilësuar si bashkëpunëtor i pushtuesve. Osmani e strehoi në shtëpinë e tij familjen e Shaqir Prezës. Këtë gjest njerëzor, ai do ta paguante të gjithë jetën, madje jo vetëm ai. Edhe fëmijët e tij, duhet të mos harronin se ishin bijtë e djalit të xhaxhait të Shaqir Prezës. Krenari ishte i ndërgjegjshëm dhe e vuante këtë.

Më 2 qershor të vitit 1961, në përfundim të mësimeve tona si gjimnazistë, ai më shkruante në bllokun tim të shënimeve edhe këto rreshta: “Ti (kohët e fundit), vishje atë pallton, që të paraqiste si diplomat. (Kështu të quaja unë). Sa dëshirë kisha të ishe me të vërtetë ashtu Bashkim, por ja që nuk qenka e thënë të plotësohen të gjitha dëshirat tona, dhe kjo jo për fajin tonë. Por nuk duhet të mos shpresojmë më, shpresa i mban të gjallë njerëzit”. Krenari kishte të drejtë. Unë, komunist dhe nga një familje komuniste, u bëra diplomat, megjithëse për një kohë tepër të shkurtër, pas përmbysjes së komunizmit. Ai, nga një familje me “njollë në biografi”, por me një vullnet dhe inteligjencë për t’u lakmuar, u bë një mjek i njohur, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë dhe shef i Rentgonologjisë në Spitalin Civil të Tiranës, që gjatë diktaturës. Asnjëherë nuk i dihet se ç’na rezervon jeta, ku na ka zënë pusinë lumturia apo fatkeqësia! Aksidentet dhe fati shpesh janë të pandarë.

Fati tragjik i inxhinier Shkëlqim Bumçit

Tepër i dhimbshëm është fundi tragjik i Ibrahim Bumçit. Vëllai i tij, Shkëlqim Bumçi, një inxhinier tepër i talentuar, ishte martuar me Najadën, vajzën e Spiro Kolekës, anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës. Shkëlqimi u divorcua me Najadën. Pas këtij divorci, ai u akuzua si sabotator, u arrestua dhe u dënua, më duket, me 20 vjet burg. Nuk e di si shkoi më tej fati i tij. Di që ai ishte tepër kurajoz e që nuk kishte përtuar t’i kundërvihej edhe sjelljes arrogante dhe prepotente të kryeministrit, Mehmet Shehu. Ai ishte njeri i fortë. Ndryshe ishte Ibrahimi, shoku im i mirë i gjimnazit. Ibrahimi ose Bimi, sikurse e thërrisnim, ishte tepër i brishtë. Pas arrestimit të vëllait, ai kaloi në një depresion të thellë dhe vari veten.

Në vendin tonë arrestimi ose dënimi i një anëtari të familjes, shoqërohej gjithnjë me masa nga më ekstremet, tek të gjithë pjesëtarët e saj. Ibrahimi, sikurse të gjithë ne, e njihte mirë këtë praktikë mesjetare. A nuk e kishte futur në psikiatri forcërisht volejbollistin e talentuar, Asllan Rusi, vetë diktatori sepse ai dashuronte vajzën e tij? A nuk u gjend më pas i vdekur, gjoja i vetë hedhur nga dritarja e një pallati të lartë, vëllai i vetëm i Asllanit, edhe ky i deklaruar më pas nga regjimi si i sëmurë psikik?

Në një bllok të vjetër shënimesh të gjimnazit, në mbarim të tij, Ibrahim Bumçi, më shkruan: “Miqësia e jonë qe e madhe e ndoshta e paharrueshme dhe besoj që vitet s’do të mundin të mbulojnë me pluhur dhe të çojnë në harresë kujtimet më të bukura, të miqësisë sonë”. Ibrahimin e bënë pluhur. Atij i’a vranë jetën në rininë e saj duke vrarë kështu edhe miqësinë tonë. Në një kartolinë urimi që më dërgonte për të më uruar Vitin e Ri 1962, mua “ish romantikut të klasës XI b”, sikurse shkruante ai, Ibrahimi me humor përfundonte: “Meqë s’kam se si të përqafoj, se je shumë i gjatë, të puth dorën. Bimi”. Atë e detyruan të ndahet edhe nga miqtë dhe të puthë dheun. Unë për një kohë relativisht të gjatë, nuk dija gjë për fundin e tij, por edhe po të dija, a do të guxoja të shkoja qoftë edhe sa për t’i hedhur me dorën time një grusht dhe?!

Shokut tim, Rinush Idrizit, i’a vranë rininë!

Edhe Rinush Idrizit, shokun tim të fëmijërisë, ia vranë rininë. Rinushi ishte fqinji më i afërt i Rudolfit. Vetëm një mur i ulët e ndante shtëpinë e tij, me atë të Rudolfit. Një derë e vogël e improvizuar, e vendosur në këtë mur, shërbente për të bërë më të afërt komunikimin midis familjes, Stambolla dhe Idrizi. Ajo lehtësonte sidomos takimet midis Katerinës, nënës së Rudolfit dhe Ruzhdies, nënës së Rinushit. Katerina ishte një grua shtëpiake e shëndoshë, veshur në të zeza e që dilte tek porta buzë rrugës, për të shpërndarë humorin e saj me kalimtarët e njohur. Ruzhdia ka qenë mësuesja ime dhe drejtoreshë e “Kongresit të Lushnjes”, një grua zonjë, tepër e respektuar. Në çdo vjeshtë ajo kishte kujdes të ruante të pakëputura në pemët frutore të kopshtit të saj, një kokërr ftua ose një kokërr shegë për mua.

Shoku im, Rinushi, ka botuar dy monografi për poetët e mëdhenj shqiptarë, Ndre Mjedën dhe Migjenin. Ai shkruante poezi dhe artikuj kritikë për letërsinë, si p. sh., “Nevoja e studimit më të thellë të letërsisë së realizmit socialist dhe të periudhave të zhvillimit të saj”, ose “Figura e Partisë dhe e komunistit ne tri poema”. Ai kishte shumë projekte. Kështu, për shembull, nga një letër që më ka dërguar, më 20 shkurt 1970, lexoj: “Mendoj të shkruaj një artikull me karakter studimor për Petron, me titull “Petro Marko dhe tipikja”. Si të duket”?

Një ditë Rinushi, vjen tek unë në shtëpi. Ishte mjaft i shqetësuar. Më kërkoi që t’i ruaja një tufë poezi të shkruara prej tij. I druhej një kontrolli që mund t’i bëhej në banesë nga Sigurimi. Atij vetë i ishte komunikuar pushimi nga puna si pedagog i letërsisë, në një gjimnaz të Tiranës dhe priste masa të tjera në ditët që do të vinin. Ato nuk vonuan. Rinushi mbeti disa kohë pa punë. Një ditë më tha, se do të shiste orën e dorës, një ‘GUB’ gjermano lindor, për të kontribuar në të ardhurat mujore të familjes. Atij i’u ndalua të botojë poezi, apo çdo gjë tjetër në shtypin e kohës. Ai u degdis në malësitë e thella të Tiranës. Rinushi, poezia dhe emëri i tij, duheshin harruar përgjithnjë. Përse? Do të flas sërish për Rinushin, në një kapitull tjetër.

Tani dua të them, se ai u gjykua si armik në fushën e letërsisë dhe të arteve, nga vetë kryeministri i vendit, Mehmet Shehu. Kryeministri shqiptar njihej si një besnik i tërbuar i ideologjisë komuniste, si një inkuizitor në mbrojtje të saj. Qëndrimet e tij ekstremiste janë të njohura për tërë brezin tonë. Më kujtohet, p. sh., se si ai, gjatë një kalimi të rastësishëm me veturë në qendër të Tiranës, vuri re një të ri që kishte veshur pantallona, paksa të gjëra në fundin e tyre dhe i kishte zgjatur paksa flokët. Me urdhrin e kryeministrit, i riu u ndalua, u shoqërua nga truproja e tij, në godinën e Bashkisë së Tiranës aty pranë. Vetë kryeministri i preu me gërshërë pantallonat e gjëra dhe flokët e të riut. “Ne, tha ai solemnisht, nuk do të lejojmë qafëlesh në Shqipërinë socialiste”.

Po krimi i Rinushit cili ishte?! Ai kishte botuar një artikull në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në këtë artikull, Rinushi kishte shprehur një mendim të tijin, jashtë klisheve të kohës, lidhur me trajtimin apo konceptimin e heroit pozitiv, në letërsinë e realizmit socialist. Kështu quhej letërsia e orientuar nga ideologjia komuniste. Vetëm për një artikull u dënua Rinushi. Edhe gruan e tij, Frida Zeqon, që punonte si sekretare e kolegjiumit të gazetës “Drita” e larguan që andej.

Në të vërtetë edhe Rinushi nuk ishte pa “njolla” në biografi. Babai i tij, Fetah Idrizi, ishte lënë pa punë prej regjimit komunist për një kohë të gjatë. Ai u ndëshkua, thjesht sepse nuk kishte pranuar të bënte një dëshmi të rreme në gjygjin komunist, kundër ish drejtorit të tij, Niac Naraçi. Burri i hallës së Rinushit, Beqir Çela, ishte pushkatuar nga komunizmi. Varri i tij nuk u gjend kurrë. Besim Nishani, bashkëshort i njërës prej motrave të gjyshes së tij, gjithashtu ishte dënuar nga regjimi. Në këtë kuadër të errët, ishte mjaft komode për regjimin të vendoste portretin e Rinushit të dënuar.

Unë i mbajta poezitë e Rinushit. Këto poezi të bukura, të ndjera, nuk ishin politike, por ato mund të interpretoheshin politikisht nga “specialistët” në shërbim të verbër të regjimit. Në Shqipërinë komuniste, në të vërtetë, nuk kishte asgjë që t’i shpëtonte vëzhgimit politik dhe në një moment, nëse gjykohej oportune edhe ndëshkimit politik. Siguria absolute nuk ekzistonte për askënd dhe për asgjë, as për atë që qëndronte në majë të kupolës dhe as për një familje të thjeshtë qytetare, apo fshatare, as për intelektualin dhe as për një injorant që një mbrëmje, mund të kishte kthyer një gotë më shumë dhe rrugës së kthimit për në shtëpi i jepte liri, vetes të mallkonte jo tjetër kënd, por veten e tij. Kështu ndodhi, p. sh. me një fqinjin tonë, Enver Murthin.

Burgosja e Enver Murthit, nëna e të cilit punonte në Hotel “Dajti”!

Enver Murthi, banonte përballë shtëpisë së Rinushit dhe Rudolfit, në hyrje të rrugës “Arkitekt Sinani”. Ai jetonte së bashku me të ëmën, Hajrijen dhe dy motrat e dy vëllezërit e tij. Ishin të varfër, aty ku nuk mban më. Hajrija punonte si pastruese në Hotel “Dajti”, një godinë impozante në bulevardin kryesor të kryeqytetit, që për disa dhjetëvjeçarë ishte krenaria e arkitekturës shqiptare. Hotel “Dajti” priste zakonisht të huajt, që vinin për vizitë e për punë në Shqipëri. Aty bënin takimet e tyre apo pinin ndonjë gotë edhe përfaqësues të trupit diplomatik. Shqiptarët e dinin se nuk ishte e këshillueshme të shkoje në këtë Hotel, qoftë edhe për të pirë një kafe.

Ne e dinim se aty gjithçka, ishte nën vëzhgim të rreptë dhe se bisedat regjistroheshin nga Sigurimi i Shtetit. Kështu, kush nuk donte telashe, i shmangej shkallëve të Hotel “Dajtit”. Njerëzit e shërbimit, të çdo niveli dhe sfere, ishin të besuar të regjimit, pra edhe Hajrija. Megjithëkëtë, kjo nuk do ta ndihmonte djalin e saj, Enverin, për t’i shpëtuar burgut.

Enver Murthi, një i mjerë në të gjithë qenien e tij, një gjysmanalfabet, pjesëtar i një familjeje analfabete dhe gjysmanalfabete, u gjykua dhe u dënua me burgim disa vjeçar për krimin e kryer të agjitacionit e të propagandës, kundër pushtetit popullor. E vërteta është se Enveri, për të mbytur mjerimin e tij, një mbrëmje kishte rrokullisur disa gota. Ashtu, i pirë siç ishte, me këmbët që nuk e mbanin, duke u kthyer për në shtëpi, ndalon në një qoshe të errët të një muri, për të urinuar. Duke bërë këtë palo punë, me gjuhën që i ishte trashur filloi të flasë me vete dhe t’i thotë vetes – “O Enver të hëngsha mutin, o Enver më hëngsh mutin”.

Po, por ai nuk ishte Enveri i vetëm në Shqipëri. Ai ishte, ndoshta, më i humburi i Enverëve, por në Shqipëri kishte edhe një Enver që ishte në krye të shtetit, të qeverisë dhe të Partisë së Punës (Komuniste.) Enver Murthi u arrestua dhe u dënua me burgim, sepse ai nuk mundi të bindë gjykatën se atë, me nder mut, e kishte për vete dhe jo për udhëheqësin e madh të Partisë dhe të popullit, shokun Enver Hoxha.

Diçka më larg nga rrugica e jonë, në kryqëzimin e rrugës “Hoxha Tahsim” me rrugën “Faik Trenova”, jetonte një grua e fuqishme, autoritare, së bashku me dy djemtë dhe vajzën e saj. Ajo quhej Durie Spahivogli. Durija, krenohej hapur me të kaluarën e saj aktive antifashiste. Së paku kështu na dukej ne fëmijëve. Ne e shihnim si njëlloj “gardiane”, besnike të Partisë në rrugicën e saj. Për Durien me kishte folur edhe nëna. Kjo grua e rreptë tërhoqi më shumë kuriozitetin tim prej fëmije, kur vajza e saj, Dhurata, erdhi si pedagoge e fizkulturës në shkollën “Kongresi i Lushnjes” dhe më pas në “Shkollën e Kuqe” ku vazhdova mësimet unë. Më vonë, kur do të filloja të ndiqja jetën teatrale të kryeqytetit, Durien, do ta njihja edhe si nënën e aktorit dhe regjisorit tepër të talentuar, shefit të degës së aktrimit dhe njëherësh pedagogut të artit dramatik, pranë Institutit të Lartë të Arteve, Kujtim Spahivogli. Me Kujtimin, fillon edhe fatkeqësia dhe dhimbja, që e shoqëroi deri në vdekje e Durien.

Internimi i Kujtim Spahivoglit

Kujtimi, zë kumbues, me sy blu të qeshur dhe njerëzor, në vitin 1973, do të përjashtohej nga Partia si “liberal”. Atë e larguan nga skena, nga Instituti i Lartë i Arteve. Atë e larguan nga familja. Bashkëshorten e detyruan të divorcohej. Ajo u divorcua për të mbrojtur vajzën e tyre, Ani, njëvjeçare. Kujtimin e dëbuan edhe nga Tirana dhe e dërguan në fshatin, Mbrostar të Fierit, në Jug të Shqipërisë. Aty ai punoi si punëtor krahu, me kazmë e lopatë, për vite të tëra. Dënimi e shkatërroi atë. I sëmurë, ai kthehet në Tiranë, por këtu do ta linin pa punë, për një kohë të gjatë. Në këto kushte ai jetoi vetëm me pensionin e nënës së tij dhe me frutat e kopshtit të shtëpisë. Mbaj mend Durien tek shiste tek dera e shtëpisë, fiq të zinj, të vendosur në një tepsi të madhe. Duhanin e kishte shtuar. Thinjat i ishin shtuar. Nuk ishte më ajo Duria, që s’pushonte se foluri me kalimtarët. Diktatura, megjithëkëtë, ende nuk e kishte thënë fjalën e fundit. Frutat e kopshtit të Duries, po ndihmonin “armikun”!

Më 2 shtator 1982, regjimi rrafshoi shtëpinë e Duries dhe shkatërroi kështu edhe kopshtin e saj. Duria nuk e duroi dot këtë goditje të re. Pas pak kohësh, ajo vdiq duke lënë krejtësisht të vetëm Kujtimin. Më në fund, regjimi vendosi të tregohet “zemërgjerë” dhe e emëroi artistin e madh, të punojë në një Qendër Kulture, të një fshati të largët. Kujtimi, gjithnjë optimist, u gëzua pa masë edhe pse do t’i duhej të bënte përditë disa orë, rrugë vajtje e kthim në këmbë. Ndërkohë shëndeti i tij kishte marrë të tatëpjetën. Më 7 korrik 1987, ai vdiq krejtësisht i vetmuar në moshën 55 vjeçare. Diktatura ende nuk ishte ngopur me hakmarrjen e saj. Ajo refuzoi që trupi i pajetë i Kujtimit, të vendosej në morgun e qytetit. Ai duhej varrosur menjëherë, pa u dhënë mundësi miqve dhe të afërmve të mblidheshin për t’i dhënë lamtumirën e fundit. /Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë