SPECIALE/ Si u shpëtuan disqet e Radio Tiranës në ‘44, nipi arbëresh sjell historikun e medias shqiptare e lidhjen me Italinë

Do të mbërrinte për herë të parë në Shqipëri 7 vite më parë, për një projekt kërkimi me Fondacionin Gramsci. E tashmë Vito Saracino, prezanton  në Arkivin Marubi të dytin libër pas “Così vicini, così lontani”, që lidh në studime Shqipërinë e Italinë. “Ciao Shqipëria” , është një vështrim i thelluar mbi historikun e medias shqiptare duke nisur prej viteve ‘800 e deri në ditët e sotme.

Shpalosen në të, të gjitha nyjet kulturore, historike e edukative që e lidhin  median tonë, me Italinë, si pikë kyçe referimi në sektorin e informacionit… Studimi mendohet të integrohet më tej në një vëzhgim të Universitetit të Foggia-s mbi mediet e Adriatikut, ku siç thotë Saraçino, Shqipëria ka peshën e saj… Por, në fakt, lidhja e tij, si nip arbëreshi me vendin tonë është e hershme.

“Gjyshi im ka qenë nga Chieuti, një vend shumë i vogël arbëresh, midis Puljas dhe Molise, ndaj, kur isha i vogël, historitë që më tregonte gjyshi lidheshin me Skënderbeun. Kështu që kur shkova në universitet, duke dëgjuar këtë pjesë të historisë, mendoja me vete: Por unë këtë histori e di tashmë! Pra rizbulimi im lind nga historitë që kam dëgjuar kur kam qenë i vogël. Kështu le ta mendojmë pak se si një përrallë e treguar një fëmijë të vogël në një farë pike mund të hyjë në shpirtin e tij, aq sa mund ta bëjë edhe profesion të vetin”, shprehet Saracino.

Lidhja shpirtërore, e trashëguar nga të parët, qe një shtysë më shumë që 5 vite më parë kërkimet e tij mbi historikun mediatik ti përqendronte fillimisht në Shqipëri duke shfrytëzuar burimet e dy vendeve. Shkon deri në kapërcyell të shekullit të XVIII.

“Duke qenë arbëresh kisha kuptuar se ka pasur një afërsi mediatike mes dy vendeve, që prej kohës së Crispit. Kështu, nga gazetat kalabreze të kombit shqiptar, më tej mundëm të vijojmë në këtë linjë historike, duke prekur edhe pika të palëvruara. Në fakt protagonistët e shtypit që në fillim ishin kalabrezët. Dhe pastaj puljezët me Gazeta Shqiptare, bëhen më tej protagonistë të Radios. Të një radioje që bëhet thelbësore edhe në Shqipëri me fillimin e ardhjes së italianëve. Madje mund të guxojmë e të themi se duke marrë radion, fashizmi vendosi rrënjët e në Itali e  Shqipëri. Dhe pas radios shkuam më tej tek televizioni. Televizioni është një faqe shumë e rëndësishme e këtij libri sepse në të do të shikohen edhe të gjitha proceset e personave që për absurd u dënuan për shkak se kishin parë televizion, apo se kishin shitur antena, apo thjesht sepse kishin parë shumë perëndimore…”, tha ai.

Thotë se gjatë viteve të para të zhvillimit mediatik shqiptar, Shqipëria shikohej përtej Adriatikut si toka e premtuar.

“Shqipëria shihej si toka e premtuar për milionerët e Italisë apo për arbëreshët, ku çdo gjë që nuk ishte e mundur të bëhej në Jug, mund të bëhej në Shqipëri. Në fakt është diçka shumë e bukur që të shikosh këto gazeta të viteve ‘800, në të cilat pasqyrohen faqe ku flitet për shembull për projektin hekurudhor në Shqipëri dhe pastaj ka hapësira publicitare të destinuara për sipërmarrës italianë, të cilët që në atë kohë donin të investonin në territorin shqiptar. Kështu që kishte një patriotizëm të përzierë edhe me dëshirën për të bërë biznes, që është një ‘fil rouge’ që e mbajmë përgjatë gjithë shekullit”, vijon ai.

Dëshmon më tej qasjen e Shqipërisë, në hapat e para si shtet i pavarur me zhvillimin e medias dhe kinemasë në Evropë, prej të parit  dokument kinematografik në vend, që shënohet në 7 mars të vitit 1914. Është dita e ardhjes në Durrës, të princit Vilhem Vid.

E më tej në vitet  ‘20 vendi ynë përfshihet nga nisma e Bashkimit Radiofonik Italian, ku regjimi fashist, po e përdorte radion si mjet komunikimi e propagandistik…

Operatorët italianë do të përfshiheshin edhe në 25 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë kur do të bëheshin tentativat e para për të transmetuar nën valët e Radio Tiranës.  Dhe kështu, në orën 11 të  28 nëntorit të ‘38-ës  do të mbahej ceremonia zyrtare e themelimit të radios nën prezencën e mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë.  Por, Lufta do t’i prishte këto ekuilibra. Pushtimi italian do të shënonte edhe pushtimin radiofonik…

“Përgjatë Luftës radioja italiane ishte shumë e rëndësishme. Është ndër të parat gjëra që morën italianët, kështu që si në disa filma amerikanë, apo si në disa histori, vërejmë se si nga radioja flitet për pushtimin italian, kur pushtim nuk kishte. Pra një pushtim mediatik, përpara një pushtimi të vërtetë...real”, tha Saracino.

Ndërsa në nëntor të 44-ës, kur gjermanët tentonin të shpërthenin godinën e Radio Tiranës, shqiptarët arrijnë të shpëtojnë 2500 disqe, deri në rijetësimin e radios, në një tjetër regjim, atë të diktaturës.

“Por është pikërisht radioja, që u shpëtua nga shqiptarët pas 8 shtatorit. Edhe italianët bënë copë-copë studion e regjistrimit në radio. Disa disqe u shpërndanë në familjet që gjendeshin në Bllok duke shpëtuar disa pjesë. Dhe pastaj kur gjermanët u larguan rindërtuan stacionin radiofonik, që pastaj u bë qendra e propagandës. Në fakt ‘Radio Tirana’ është e pranishme edhe në këngën e Franco Battiato, këngëtar shumë i famshëm në Itali, por edhe në imagjinatën kolektive.

Ëndërrimtarë të kësaj parajse marksiste leniniste, si përkufizohej nga disa lëvizje italiane dhe evropiane, që shikonin dhe dëgjonin emisionet që transmetoheshin në të gjitha gjuhët që kishte radio Tirana. Vetëm Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin programe në të gjitha gjuhët si Radio Tirana. Kështu në këtë aspekt shënonte sukses në një botë globale, edhe pse ishte një arritje në shërbim të propagandës”, shprehet Saracino.

Kinemaja e vjetër, e jetësuar nën regjimin komunist bëhet pjesë e studimit të tij, që në prezantim të librit. E zgjedh filmin ‘Radiostacioni’ të Rikard Ljarjas, si imazh të kopertinës . E më tej rrëfen propagandën e imazhit në letër gjatë diktaturës, si dhe kontributin kinematografik e letrar në hegjemoninë mes dy vendeve fqinjë….

“Në fakt kopertina është e një filmi shumë të njohur shqiptar, që flet për faktin se si radioja shikohet si një pikë rezistence. Një rezistencë që vijon deri sot, deri tek televizionet private mbi të gjitha në ëeb, si dhe në ëebet dygjuhësh. Mbi shqiptarët e Italisë që ndërtojnë sitet e tyre, vetëm në gjuhën shqipe, apo edhe vetëm në gjuhën italiane. Kështu që ky rrugëtim i gjatë, kjo lidhje e fortë mes dy vendeve po vijon. Dhe kjo e imja është një tentativë modeste për të sjellë këtë linjë të gjatë të kësaj kohe kështu që të tjerët të mund të zgjedhin mjetin e tyre të referimit duke  analizuar, gazetat ,shtypin , radion, televizionin, apo ëebin. Është një burim  i madh kërkimor që të gjithë mund të vijojnë , ndaj ndihem shumë i gëzuar që e prezantoj këtu në Tiranë, që ishte pak qendra e të gjitha këtyre kërkimeve. Qoftë në arkiv, ashtu edhe në bibliotekë e literaturë , por edhe prej shumë intervistash”, vijon ai.

Filli lidhës mes dy vendeve, siç rrëfen Saraçino, mbeti i pakëputur në popull, ndonëse diktatori Enver Hoxha, sipas tij ndoqi një politikë të lëkundur në raport me Italinë. Ndërsa riafrimi do të hasej në vitet ‘80.

“Le të themi se gjatë kësaj periudhe duket sikur Italia e mbyll një der me Shqipërinë. Madje ka një histori mjaft interesante. Në një kuiz të Mike Buongiornos në një moment ai bën pyetjen me spec, si thuhet në gjuhën shqiptare Buongiorno, që ishte mbiemri i tij,  dhe ishte një pyetje e vështirë. Dhe kur ai tha Mirëdita. zëri mbërriti në Shqipëri, ku shqiptarët u munduan ta shikonin me idenë që janë duke folur për ne! Pra, ishte si një histori dashurie,  ku Italia nuk shikonte më drejt Shqipërisë, po shqiptaria vazhdonte të shikonte Italinë edhe pse fshehurazi...Kjo më tej nisi të ndryshojë në vitet ‘80, edhe në këndvështrimin arkeologjik. Shohim të ashtuquajturën diplomaci kulturore falë Deas së Butrintit. Kështu që falë arkeologjisë, nisin të bëhen hapa të vegjël . Dihet që shumë prej produkteve e televizionit shqiptar merrnin edhe nga televizioni italian, kështu që le të themi se ishte një shkollë e vetme për televizionin vendas”, shprehet Saracino.

Kështu në tentativën për tu formuar media shqiptare do të imitonte Italianë e madje do të përpiqeshin të lidhnin edhe zyrtarisht një dialog me shtetin fqinj…

“Kishte dokumente që vinin nga Shqipëria, ku i kërkohej Italisë një dialog. Një dialog, që për fat të keq nuk ndodhi kurrë në atë kohë, përkundrazi, nëse Italia do të kishte kuptuar rëndësinë e medias, rëndësinë e gjuhës italiane që po depërtonte në Shqipëri, situata socioekonomike, e mbi të gjitha ajo e raporteve diplomatike do të kishte qenë frytdhënëse për të dyja vendet. Mund të bëjmë një shembull si në rastin e Gjermanisë me Poloninë. Le të themi se polakët gjermanfolës patën shumë më shumë mundësi pas rënies së murit. Kështu që pas rënies së mureve shqiptarët patën mundësi të ndryshme, por nëse këto mundësi do të ishin garantuar edhe përmes korridoreve ligjorë duke u favorizuar edhe nga mediat do të kishte qenë një histori shumë më e thjeshtë...”, tha Saracino.

Pas viteve ‘90, me fluksin e emigrantëve që do të shkonin në Itali, s’do të qe e lehtë për shqiptarët të rindërtonin imazhin e tyre në mediat e shtetin fqinj, por në këtë proces siç thotë Saracino kanë ndihmuar edhe figura qendrore të televizionit italian si Ezio Greggio, Maria de Filippi e të tjerë, që kanë përkrahur talente e shembuj pozitiv prej vendit tonë. E sot, ndonëse Shqipëria është i dyti vend për nga numri i pjesëmarrësve që provon lotarinë amerikane, dashuria e madhe mbetet sërish Italia…

“Shqipëria pas viteve ‘90 shihej si armiku shumë i largët, ndërsa Shqipëria e tanishme edhe falë një fushate publicitare ,por edhe një fushate televizive që e ka sjellë  Shqipërinë, shumë më afër traditave, por mbi të gjitha kulturës italiane Shqipëria tani shikohet si një destinacion pushimesh. Një alternativë pushimesh, më ekonomike se Italia dhe Greqia. Dhe në fakt kjo vërehet edhe gjatë këtyre ditëve nga fluksi i turistëve në Shqipëri”, u shpreh Saracino.

Pra Shqipëria, nga dikur, që shikohej si vendi nga vinin emigrantë, me ndryshimin me ndryshimin e flukseve migratorë sot është shndërruar në një tokë turistike, apo vendqëndrim për pensionistët shtetërorë italianë, që e preferojnë edhe në raport me Portugalinë , edhe pse afërsia është më e madhe.

Kjo afërsi, si dhe thirrja e vendit të të parëve, bën që Saraçino të mendojë sot edhe për një kontribut të përbashkët në ruajtjen, promovimin e  Arkivit të Filmit shqiptar si dhe përgatitjes së të rinjve në sektorin audio vizual. Vjen këto ditë me një projekt ende në letër…

“Një projekt me Arkivin  e Filmit Shqiptar që është një nga arkivat më të bukur të gjithë Evropës. Është një bashkëpunim me rajonin e Puljas dhe po përpiqemi që të kërkojmë mjete financiare për shpëtimin e të gjithë kinematografisë shqiptare, si dhe për digjitalizimin e plotë të tij. Ëndërrohet të krijohet një shkollë për ata shqiptarë që duhet të merren me filmat. Të rinjtë që janë pjesë e Marubit mund të jeni pjesë e kërkuesve të të ardhmes...”, përfundoi ai.

Në një artikull Vito do të lexonte për Marco Lenan, sot përgjegjës i Laboratorit Vizual të Arkivit të Filmit në Senegal, se si ky i fundit në bashkëpunim me Tiziana Manfredin do të shpëtonte Arkivin e degraduar në Ministrinë e Kulturës të këtij vendi. E bën të mundur që Lena të sjellë eksperiencën tij në vendin tonë…

“Bashkë me Vito Saraçinon dhe Fondacionin Gramshi jemi këtu në Shqipëri për të bërë një trajnim për studentët e apasionuar pas kinemasë dhe arkivit, në bashkëpunim me Arkivin SHtetëro të Filmit Shqiptar. Diferencat mes Senegalit dhe Shqipërisë janë si dita me natën. Gjëja e bukur e këtij arkivi është se është i strukturuar , që ka kompetenca dhe mbi të gjitha që ka njerëz të pasionuar. Kështu që ajo që vumë re është se mungojnë disa pajisje teknike dhe që ka probleme klimatizimi. Por, është një arkiv që ekziston, është një arkiv që ka një histori, e që mbi të gjitha ka një të ardhme. … Ideja është që të përfshijmë në të ardhmen edhe institucione të tjera evropiane. Kjo edhe sepse mendojmë se mënyra më e mirë që vendet të njihen mes tyre është përmes kulturës. Ka pasur tashmë një interes nga ana e ambasadës italiane drejt këtij projekti kështu që le të themi se jemi besimplotë”, shprehet Marco Lenan.

Lena rrëfen se ndërgjegjësimi, zgjimi i interesit pas kësaj pjese kaq të rëndësishme të historisë shqiptare për vendasit e  të huajt do të tërhiqte më vonë edhe interesin e politikës.

“Por puna që duhet bërë tani është të gjejmë partnerë për ta çuar Arkivin në standartet evropiane, por mbi të gjitha duhet bërë i ditur fakti që ky arkiv ekziston. Duhet që njerëzit të ndërgjegjësohen për imazhin e historisë së tyre. Sepse brenda këtyre arkivave është me të vërtetë historia e Shqipërisë, prej kohës kur është shpallur e Pavarur. Po bisedojmë  edhe për rikthimin e imazheve të dëmtuara, për mundësinë e rikrijimit të imazhit vizual të Shqipërisë. Mendoj se është një detyrë dhe një e drejtë për të ri zbuluar historinë e Shqipërisë, sidomos në ditët e sotme ku jetojmë në një shoqëri të bazuar mbi imazhe”, vijon Lenan.

Si njohës i filmit “gjenerali i gramafonit”, restaurimin e të cilit e ka marrë përsipër fondacioni Gramsci, Lena tregon se si e shikon trajtimin që i është bërë italianëve gjatë diktaturës në kinematografinë vendase.

“Është e vërtetë ka një prezencë italiane aty dhe si italian mendoj se është diçka e bukur të shikoj se si na kanë perceptuar shqiptarët.  Është e drejtë që edhe italianët ta shikojnë këtë film për të zbritur nga piedestali, për të kuptuar si i thonë se “Bota është e rrumbullakët”. Pra, ndërrimi i vendeve të bën mirë edhe për autokritikë, për të kuptuar më mirë historinë vendase, dhe ne italianët jemi pak tekanjoz në këtë pik. Për të fshirë pjesë të caktuara të historisë. Mendoj se është një bashkëpunim i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë”, tha ai.

Sa i përket filmave shqiptarë të realizuar në diktaturë thotë, se janë një tregues që në atë periudhë është të bëhet film në Shqipëri, pavarësisht mendësisë që është ndjekur, që e dallon nga vendet e tjera, por ku gjen edhe ndikime të huaja..

“Thuhet se gjuha kinematografike është e njëjta, por në fakt nuk është kështu. Çdokush vendos përbërësit e tij, vendos kulturën, grintën, kohën , ngjyrat, tingujt e tij.  Kinemaja shqiptare është  një kinema cilësore, Është një kinema që nuk është e njohur, por fakti që nuk është e njohur nuk do të thotë që nuk është e bukur, por që duhet zbuluar.Filmi më i njohur shqiptar është “Skënderbeu” një produksion ruso-shqiptar por edhe produksionet shqiptare, mund të konsiderohen filma cilësorë. Sepse kinemaja shqiptare nuk ka qenë një kinema fastfood si në ditët e sotme. Ishte një kinema ku kishte refleksione, mesazhe. Edhe pse këto mesazhe nuk janë më aktualë duhen për të njohur periudhën”, shprehet Lenan.

Ka një qëndrim të vendosur sa i përket debatit të hapur vitet e fundit, mbi shoqërimin e filmave që i shërbyen propagandës me pullë, apo akoma më keq, asgjësimin e tyre…

“Të gjithë filmat, kanë një mesazh politik. Të gjithë filmat kanë një histori. Duhet paë sipas kontekstit,. Sigurisht filmat e periudhës së diktaturës komuniste ishin filma propagande për të forcuar sistemin. Le ta pranojmë këtë, të mos kemi frikë, ta shikojmë sipas kontekstit. Por të mos harrojmë se kishte edhe një mesazh dhe që ndoshta ka edhe një mesazh aktual. Ndoshta duhet të reshtim së menduari se bari i fqinjit është gjithnjë më i gjelbër. U zbulua se Italia tek e fundit nuk ishte ajo parajsa e bukur që mendohej. Filmat vendosen në kontekst pa pasur frikë.,Dhe Italia gjatë fashizmit ka bërë filma të bukur, edhe pse ata ishin filma propagandistik.  E sidoqoftë kemi të drejtën ti shikojmë qoftë edhe për të mos rënë sërish në të njëjtën grackë. Duhej tek e fundit edhe ai prezantimi i italianeve si ngrënës breshkash, edhe ne mendonim të vinim këtu të sillnim qytetërimin, por ka gjithmonë edhe një këndvështrim tjetër, dhe ne italianëve na duhet të shikojmë këtë…”, thekson ai.

Pra, kemi filma të bukur, filma propagande, e atëherë çfarë të bëjmë, ti djegim? Jo, le ti shikojmë sipas kontekstit kur janë bërë, dhe t’i analizojmë me sytë e vitit 2022.

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja