Kapllanaj rrëfen në Report Tv dhunën në selinë e PD: Po na rrezikohej jeta, policia u vonua 40 minuta! Nesturi: Protesta e 8 janarit dogji çdo urë bashkëpunimi mes Berishës dhe Bashës

Situata në Partinë Demokratike, përplasjet Berisha-Basha dhe protesta e dhunshme e ish-kryeministrit të shtunën e 8 janarit ishte temë diskutimi mesditën e sotme në emisionin 'Sot Live në Shqipëri' me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv. Të ftuar ishin anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Agron Kapllanaj dhe analisti Plator Nesturi.

Agron Kapllanaj, i cili ka qenë edhe në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PD, komentoi përjashtimin e Sali Berishës, anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit dhe pezullimit të disa deputëve. Ai theksoi se ishte një vendim që pritej dhe mund të ishte marrë edhe më herët ndërsa shtoi se më 8 janar Berisha dhe mbështetësit e tij ishin të gatshëm për të derdhur gjak.

Ndër të tjera Kapllanaj rrëfeu sulmin ndaj selisë së PD të shtunën e 8 janarit ku theksoi se policia u vonua 40 minuta ndërsa shton se rrezikohej jeta e personave që ndodheshin brenda selisë.

“Ajo që ndodhi më 8 janar nuk kishte më kuptim të vazhdonte të ishte pjesë e PD. Vetë Berisha dhe një pjesë e atyre që kanë nxitur dhunë s’mund të jenë anëtarë të PD, që e dhunuan, kërcënuan ata që ishin brenda. Kanë ardhur për të derdhur gjak, për të vrarë, erdhën me mjete dhune. Flamujt e PD ishin me bishta lopate, kazme e sopate. Ka pasur disa mendime në mbledhjen e Krysisë por u mor një vendim konsensual”-tha Kapllanaj.

Ndërsa analisti Plator Nesturi është i mendimit se tashmë kemi një realitet tjetër dhe s'mund të flitet ku njëra palë mund të përfaqësojë PD-në. Sipas analistit 8 janari nga një nismë e ashtuquajtur për alternativa dhe ide, përfundoi në një sherr që mund të kishte pasoja më të rënda. Nesturi deklaroi se tashmë palët brenda PD-së janë të ndara.

"Të dyja palët janë më gomë në dorë për të shuar emrin e njëri-tjetrit. Derisa pranohet që një pjesë ka ardhur për të vrarë, bashkëluftëtarët e tyre, kemi një realitet ku janë dy pjesë që kurrësesi s'mund të jenë bashkë me njëra-tjetrën. 8 janari ishte pikërisht nga njëra anë pjesa e asaj që në fillim u quajt betejë për ide, alternativa, përfundoi në një sherr që mund të kishte pasoja dhe më të mëdhaja për prosinë e godinës. Dogji çdo mundësi që e mbante të formësuar PD-në. Dogji urën e bashkëpunimit që mund të çonte në ruajtjen e Partisë Demokratike. Kjo ishte ndarja finale."-theksoi Nesturi.

Ndër të tjera Nesturi deklaroi se nëse Sali Berisha do të kishte shumicën, nuk do t’i sulmonte zyrat e PD, por ish-kryeministri e bëri këtë akt për tu mbivendosur ndaj Bashës. Ndërsa për kryedemokratin tha se nëse do kishte shumicën e anëtarësisë, nuk do e blindonte selinë blu.

“U pa si një betejë gjelash, por jo mbi bazën e anëtarësisë. Por mbi bazën e një ballafaqimi që më tëpër pati nota personale të dy grupimeve”-tha Nesturi në Report Tv.

Anëtari i Kryesisë së PD, Agron Kapllanaj, komentoi protestën e 8 janarit, teksa deklaroi se kanë nisur mbledhjen në orën 10:00 me Kryesinë e PD. Por pas orës 11, shtoi ai, një pjesë e protestuesve u mblodhën dhe në 11 e 20 minuta filloi sulmi i parë në godinën e selisë blu.

“Në këtë moment u shpërqendrua vëmëndja nga mbledhja. Kemi parë njerëz që ishin duke nxjerrë arsenalin e tyre, çekanë, vare, leva, kanë sjellë dhe një hekur të madh, si ato të mesjetës për të hapur dyert. Situatë shumë e rëndë. Nuk e kisha menduar. Kisha shkuar në mbledhje si një zyrtar i veshur, dhe jo për luftë. Dikush më shumë dhe ikush më pak aty është ndjerë i rrezikuar. Zonjat e përjetojnë më shumë këtë lloj situate. Për një moment u spostuam nga salla ku bënim mbledhjen pasi gurët që hidheshin na rrezikonin jetën. Nuk e di nëse ka pasur kundërpërgjigje. Sa më shumë zgjaste situata, aq më shumë rritej ankthi”-tregoi Kapllanaj.

Kapllanaj u shpreh se policia për herë të parë u thirr në 12:07 ndërsa deklaroi se u thirr nga deputetë që kërkuan ndihmë për atë që po ndodhte. Sipas tij, uniformat blu kanë ndërhyrë 40 minuta me vonesë nga momenti që u thirrën për ndihmë.

“Ato njerëz me ato mjete në dorë, kishin ardhur për të na dhënë lopatat mbi kokat tona. Agresorët në vijë të parë, skanë të bëjnë me PD. Njerëz të paguar për të krijuar atë situatë. Kishin urrejtje, në momentin që dikush ju del para ata e shprehin me vepra. Me ndërhyrjen e policisë, ka ardhur 40 minuta me vonesë nga kërkesa e parë. Policia e Shtetit kur sheh që një institucion dhunohet, duhet të ndërhyjë. Brenda ishin njerëzit në një takim, figura të PD ju rrezikohej jeta dhe policia nuk reagonte. Pse duhet të priste? Paguhet me taksat tona.”- u shpreh Kapllanaj.

Pas gjithçkaje që ka ndodhur, analisti Nesturi mendon se asnjë prej palëve nuk e ka pronësinë e PD-së.

"Ka të bëjë te anëtarësia, sa mund të grumbullojë vota nesër.”-deklaroi Nesturi.

Dita e shtunë ishte një ngjarje dramatike për Partinë Demokratike por edhe për imazhin e vendit. Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi por rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë