Partia Demokratike i është drejtuar me një padi Gjykatës Administrative për përjashtimet nga seancat plenare dhe punimet e Kuvendit të deputetëve të saj pas seancave me tensione.
Deputetët, ndaj të cilëve është marrë disa herë masë ndëshkuese 'përjashtim nga punimet e Kuvendit', Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Fidel Kreka dhe Klevis Balliu, kërkojnë që të shpallen të pavlefshme përjashtimet e bëra në fund të vitit të shkuar.
“Gjatë shqyrtimit në Sekretariatin për Procedurën, Votimet dhe Etikën, deputetëve nuk iu është dhënë mundësia as për t’u pyetur, as për t’u dëgjuar, as për të paraqitur shpjegimet e tyre apo për t’u njohur me provat dhe dokumentet e tjera, pasi Sekretari Ulsi Manja ka vendosur mbylljen e mbledhjes dhe tërheqjen për vendim, në kushtet e një diskutimi për zhvillimi e mbledhjes me dyer të hapura, dhe së bashku me dy kolegët e tij deputetë të Partisë Socialiste janë tërhequr për vendim, duke u mbledhur në një zyrë të mbyllur dhe kanë marrë vendimin për përjashtimin e kolegëve të tyre, kundërshtarë politikë.”, thuhet në padi.
Sipas Partisë Demokratike, vendosja e masave të përjashtimit ndaj deputetëve të saj është abuzim i PS duke shfrytëzuar dominimin në numra.
“Është e qartë se vendosja e këtyre masave kaq të ashpra është një abuzim i shumicës parlamentare me pozitën e saj dominuese përballë opozitës. Dhe për më tepër, nisur nga rrethanat konkrete të përshkruara në kërkesën e datës 18.12.2025 të 34 deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, është e qartë se kemi të bëjmë me masa disiplinore joproporcionale, që kanë për qëllim ndëshkimin politik të deputetëve të opozitës për aktet e tyre të protestës, brenda dhe jashtë sallës së Parlamentit” thotë padia.
Këto masa ndëshkimore, aktualisht janë ezauruar nga 5 deputetët demokratë dhe ata i janë rikthyer jetës në parlament. Në fuqi, aktualisht janë përjashtimi me 20 ditë dhe 10 ditë për Flamur Nokën dhe Elda Hotin, masa të reja ndëshkimore të marra pak ditë më parë nga Komisioni i Etikës. (7 prill)
PD i është drejtuar edhe gjatë legjislaturës së shkuar Gjykatës Administrative për përjashtimet, e cila në 2024, në mesin e një klime të tensionuar në Kuvend pranoi pjesërisht kërkesën e saj dhe shfuqizoi ose uli përjashtimet për 24 deputetët e PD.
Shqetësimin për përjashtimet jo-proporcionale, PD i ngriti edhe në një raport të dorëzuar këtë javë Kuvendit dhe ambasadave, ku thotë se deputetët e saj përjashtohen për shkak të urrejtjes politike të maxhorancës.
Komente










