Grupi parlamentar i Partisë Demokratike thotë se deputetët e saj janë përjashtuar nga delegacioni i kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, në Bundestag.
Në reagimin zyrtar, PD thotë se caktoi Tomorr Alizotin dhe Klevis Balliun, por Peleshi ka vendosur “pa arsye” të përjashtojë grupin e PD nga vizita zyrtare që zhvillohet këtë javë.
“Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional”, thuhet në reagimin e grupit parlamentar të PD. Më tej shton se kjo tregon që qeveria është “vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut”. Gjithashtu, thuhet se “nuk priten standarde europiane” nga kryetari i Kuvendit, të cilin e akuzojnë për lidhje me bandat e krimit.
“Në përgjigje të interesit të medias lidhur me mungesën e Grupit më të madh të opozitës në Kuvend, në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani, Grupi Parlamentar i PD sqaron si më poshtë:
Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti - Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri - Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu - Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri - Gjermani.
Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.
Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i mazhorancës parlamentare.
Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj mazhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!
Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës.
Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag”, thuhet në reagim.
Megjithatë, tre deputetë të PD, konkretisht Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu po zhvillojnë takime në Bundestag dhe me CDU, të planifikuara më herët.
“Mirëpo, kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë. Opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane, në nivelet më të larta, të planifikuara më herët. Ne po përfaqësojmë PD dhe Shqipërinë me dinjitet dhe me qëndrime të qarta për shtetin ligjor dhe integrimin europian”, përmbyll sqarimi.
Një ditë më parë, Tabaku, Balliu e Bardhi takuan deputetin gjerman Olav Gutting, ku sipas një postimi, diskutuan mbi ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe faktorët që po bllokojnë zgjerimin e BE-së.
Sakaq, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i është përgjigjur interesit të Report Tv teksa sqaron se anëtarët e partisë opozitare të PD-së ndodhen në Bundestag me një axhentë të miratuar sipas kërkesës së tyre, që parashikon takime në të njëjtën ditë.
"Në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit në Gjermani marrin pjesë edhe dy deputetë nga opozita, ashtu siç ka ndodhur në çdo delegacion zyrtar. Sa i përket përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Kryetari i Kuvendit ka miratuar, sipas kërkesës se tyre një agjendë e cila parashikon zhvillimin e takimeve në të njëjtën ditë në Bundestag, përfshirë angazhime me komisionet parlamentare përkatëse", thuhet në reagim.
Lajmi në përditësim...
Komente












