Një polic patrulle në Elbasan është pezulluar nga detyra pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit në krim. Po ashtu, Gjykata ka caktuar ndaj Ervis Kalotit edhe masën e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Sipas burimeve për Report Tv Ervis Kaloti prej disa muajsh mbahej nën vëzhgim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Nga veprimet hetimore dyshohet se oficeri i patrullës u jepte inforcacione dhe informonte personat që shpalleshin në kërkim për vepra të ndryshme penale. Në disa raste dyshohej se Kaloti i shoqëronte në komisariat dhe i lironte sërish.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masat e sigurisë me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233, 234 dhe 242 i Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësit të policisë;
Inspektor E. K., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Përkrahje e autorit në krim” parashikuar nga nenet 248 dhe 302 i Kodit Penal.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitin 2025, ku nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale ka rezultuar se punonjësi i policisë duke shpërdoruar detyrën ka përkrahur persona me precedent penal në aktivitetin e tyre të kundraligjshëm.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundraligjshme si dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].
________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









