LEZHE- U perkujtua sot 323-vjetori i Kuvendit të Arbërit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare pas Besëlidhjes së Lezhes.

Ky kuvend kishtar i vitit 1703 konsiderohet si  moment kyç në organizimin e klerit katolik shqiptar dhe në zhvillimin e arsimit dhe kulturës në gjuhën shqipe.

Veprimtaria perkujtimore u zhvillua në kishën mesjetare të fshatit Merqi, aty ku vetë Kuvendi ishte mbledhur më 14-15 janar te 1703-ës. Bashkia e Lezhës e organizoi kete aktivitet ku morën pjesë historianë, autoritete lokale, përfaqësues të klerit katolik dhe banorë të zonës.

Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale shprehet se “pa Kuvendin e Arbërit, historia e kishës në Shqipëri nuk do të kishte qenë e njëjtë. Vendimet e tij kanë formësuar arsimin dhe kulturën shqiptare për shekuj.”

Sakaq historiani Paulin Zefi u shpreh se “Kuvendi i Arbërit ishte një moment vendimtar për edukimin dhe përparimin e kombit shqiptar. Ai shënoi angazhimin e klerit në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.”

Nenkryetarja e Bashkisë Lezhë, Eueda Molla shton se “përkujtimi i kësaj ngjarjeje na rikujton rëndësinë e kujtesës historike dhe të identitetit shqiptar”.

Banorët dhe pjesëmarrësit u ndanë me reflektime mbi rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit, klerit dhe institucioneve për të ruajtur historinë dhe traditat kombëtare.

Vendimet kryesore të Kuvendit ne vitin 1703

Kuvendi Kishtar i Arbërit, mbështetur nga Papa me prejardhje shqiptare, Klementi XI, vendosi:

  • Hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.
  • Botime dhe materiale edukative në gjuhën shqipe.
  • Organizimin e komunitetit kishtar për ruajtjen e traditave dhe kulturës kombëtare.

Këto vendime u zbatuan dhe u forcuan përgjatë shekujve XVIII dhe XIX, duke lënë një gjurmë të qëndrueshme në arsimin dhe kulturën shqiptare.