Në sheshin qendror të fshatit Aliko u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të vrasjes në kufi të katër të rinjve, një nga ngjarjet më të rënda dhe tronditëse të fundit të regjimit komunist në jug të Shqipërisë.
Qytetarë, familjarë të viktimave, përfaqësues institucionesh dhe personalitete publike u mblodhën për të nderuar kujtimin e Thimjo Mashos, Thanas Koçit, Ajdhon Raftit dhe Vangjel Mitros, të vrarë më 12 dhjetor 1990, në përpjekje për të kaluar kufirin drejt Greqisë.
Në ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkisë Finiq, Romeo Çakuli, konsulli grek në Gjirokastër Sokratis Survinos, kryetari i partisë MEGA, Lefter Nika, ish-deputeti Niko Kuri, si dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike dhe politike.
Ra në sy mungesa e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, parti e themeluar pikërisht më 12 dhjetor 1990, në të njëjtën ditë kur ndodhi kjo tragjedi.
“Këta të rinj dhanë jetën për një jetë më të mirë. Dhanë jetën për të ardhur në Greqi, por mbi të gjitha për të përcjellë me këtë akt një mesazh të fortë: se gjendja e komunitetit lokal kishte arritur kulmin e saj, se kjo shtypje nuk durohej më",- tha konsulli grek.
Ishte 12 dhjetori i vitit 1990, një periudhë e trazuar e shënuar nga arratisjet sporadike drejt kufirit grek. Katër të rinjtë nga Aliko, në zonën e Çiflikut të Konispolit, u përfshinë në një shkëmbim zjarri me ushtarët e kufirit, ku mbetën të vrarë. Në këtë përplasje humbi jetën edhe një ushtar i postës kufitare.
Pas vrasjes, familjarëve iu ndalua tërheqja e trupave të pajetë me urdhër të Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës. Ky vendim shkaktoi revoltë masive në Aliko.
Banorët, të armatosur me hunj, sopata dhe mjete të tjera, u nisën drejt fshatit Shkallë, duke demonstruar hapur kundër pushtetit. Përballë kësaj proteste, forcat e rendit u detyruan të tërhiqeshin dhe të lejonin marrjen e trupave nga familjarët.
Të nesërmen, banorët e Alikos dhe fshatrave përreth, me katër arkivolët mbi supe, u nisën në këmbë drejt Sarandës. Marshimi u ndal në Qafën e Gjashtës, ku protestuesit u përballën me forca të shumta policie dhe ushtrie.
Për të përhapur panik, nga strukturat e Partisë së Punës u përhapën thirrje se “fshatarët e Alikos duan të shkatërrojnë qytetin”.
Situata agravoi në përleshje, ku u përdorën armë zjarri për të trembur turmën. Dhimitër Mano u plagos rëndë, ndërsa mbante arkivolin e njërit prej të vrarëve.
Pas dhunës së ushtruar, banorët u detyruan të ktheheshin në fshat për të varrosur djemtë e tyre, duke lënë pas një nga plagët më të rënda të memories kolektive të zonës.
Ceremonia përkujtimore në Aliko, 35 vite më pas, shërbeu jo vetëm si nderim për viktimat, por edhe si thirrje për kujtesë historike, drejtësi morale dhe mosharresë, për një krim që shënoi fundin tragjik të një epoke shtypjeje.
Komente










