“Duan ta nxjerrin veten që janë viktima të një goditje politike.”
Kështu tha sot në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, Romeo Kara, në përgjigje të akuzave të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë dhe deputetit Tedi Blushi, i cili akuzoi avokati se është përdorur politikisht nga kryeministri Edi Rama kur ka paditur ish-presidentin Ilir Meta për të ashtuquajturën afera e CEZ-DIA-as.
Për avokatin Kara, akuzat e Blushit nuk janë gjë tjetër vetëm se vazhdim i sulmeve ndaj aktorëve në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Metës.
“Kam dëgjuar avokatin e Metës duke komentuar kohët e fundit, edhe Metën vetë, por kjo bën kuptim tani. Po foli edhe jarani i Metës, i cili ka zgjidhur hallin e fustaneve me Metën, tani po merret me mua. Në sulmet që po bën Meta dhe stafi i tij, është përfshirë kallëzuesi që jam unë, gjyqtarja që është Irena Gjoka, dhe prokurorët Sotir Kllapi dhe Nuredin Dumani. Pra nuk kanë çfarë i bëjnë argumentimit dhe kallëzimit dhe sulmojnë kallëzuesin. Kur unë kam bërë kallëzimin, fillimisht pretenduan që e kam bërë në vitin 2019, duke qenë në funksion të inceneratorëve. Tani e pranojnë që kallëzimi është bërë në 2017. E panë që nuk e mbyllën në 2017 dhe po bëjnë lidhjen politike, duan ta nxjerrin veten që janë viktima të një goditje politike. Kur unë kam bërë kallëzimin dhe kam paralajmëruar, ditën që kam marrë informacionin përcaktues, intervistën e gruas së mikut të tij, Vojsava Ismailit, ku e lidhte qartë një aferë të qartë korruptive, të DIA-s dhe administratorit dhe pronarit të saj”,- tha Kara ndër të tjera.
Sa i përket protestave të Sali Berishës, avokati tha se nuk ndezin më të shqiptarët pasi kanë kuptuar se qëllimi i krydemokratit është vetëm monopolizimi i opozitës dhe se nuk ka asnjë kauzë që lidhet me situatën në vend.
Kara shton se Partia Demokratike është fosilizuar me një Berishën dhe një grup njerëzish që janë satelitë të këtij të fundit.
“Populli në përgjithësi ka një interes për një frymë të re në politikë. Pra nëse e marrim në këtë thelb, politika po deligjitimohet e tëra. Politika që është në pushtet, në institucione, pra edhe në opozitë, edhe në pozitë, 42-43% e shqiptarëve kanë votuar për 2 partitë e mëdhaja, dhe ne nuk mund t’i ndajmë njerëzit me thikë: “Ne jemi të mirë, ata janë të këqinj”. Po të ishte kështu, nuk merrnim nga njëri-tjetri dhe i përkthejnë direkt në figura. Këtu ne duhet të shohim realisht, se çfarë standardi kemi instaluar në politikë. Ne kur shkojmë në protesta duhet të kemi një qëllim. Qëllimi për të rrëzuar një qeveri me protesta dhe të vijë një tjetër, ka ikur ajo kohë. Atëherë qëllimi ishte i saktë një protestë të vogël, dhe ishte pa qëllim të përcaktuar, protesta e madhe. Lapaj kishte një qëllim, për një kod zgjedhor”,- tha Kara.
Komente










