Report Tv ishte në fshatin Ferras të Fierit, një ndër zonat që vuajti më së shumti përmbytjet. I dërguari i Report Tv, Driçim Çaka ishte në shtëpinë e banorit Ferrik Brata, ku dukej se gjithçka tashmë ishte mbuluar nga lluca. Sipas Ferrik Bratës, uji në shtëpi kishte arritur në mbi një metër e gjysmë, dhe pavarësisht përpjekjeve të tij, sendet e shpëtuara ishin të pakta. Duke parë gjendjen e shtëpisë, mes lotësh ai thotë se tashmë ajo është e pabanueshme, ndërsa i bën apel shtetit për ndihmë.
“Shtëpia tani është e pabanueshme. Ku do shkoj unë, shtëpinë e ka mbuluar balta. I kërkoj shtetit ndihmë!”, thotë Brata. Sipas tij kjo nuk është hera e parë që ai vuan pasojat e një përmbytje. Ndonëse përmbytjet e këtij viti ishin më të rënda, gati me të njëjtën situatë ai u përball edhe dy vite më parë në përmbytjet e 2015. “Jemi përmbytur edhe në 2015, por këtë herë ishte më rëndë situata. Dollapin dhe dhomën e gjumit i bëra të reja pas përmbytjeve, por edhe këto mi mori lumi këtë herë. Kam humbur tre dhoma gjumi, dy televizorë, frigoriferë”, tregon i moshuari.
Bazuar në eksperiencën e tij të hidhur të dy viteve më parë, banori tregon se që kjo shtëpi të bëhet sërish e banueshme duhet të paktën një muaj, ndërsa ai nuk ka asnjë vend për të qëndruar gjatë kësaj kohe.
“Për të jetuar sërish në këtë shtëpi duhet jo më pak se një muaj. Po kjo nuk thahet. Nuk di se si do të banoj këtu. Si ta thaj? Nuk kam asnjë shtëpi tjetër ku të jetoj. Unë jam pensionist me çfarë ta rregulloj”, thotë Ferrik Brata.
Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com

VIDEO








