…Këto ditë nuk ndodhi si disa vjet më parë. Askush në datat 18 dhe 19 nëntor nuk vuri re “lëvizjet e hënës” për të paracaktuar përmbytjet. Ato ndodhën, sikundër dy vjet më parë dhe nuk pritën 100 vjet, sa e kishte parashikuar ish kryeministri Berisha! Shiu i vrullshëm, rreshjet me dendësi maksimale në vetëm pak orë, rikthyen pamje të frikshme e të njohura të përmbytjeve në zona të cilat historikisht kanë përjetuar e vijojnë të përjetojnë një gjendje të tillë.

Në fakt, më shumë se sa përshkrimi apo pasqyrimi i asaj që ndodhi, media, gazetarët, duhet të kërkojnë edhe në parashikimin apo paralajmërimin e asaj që pritej të ndodhte. Nuk do të bënte profetin askush, por ama parashikimin dhe paralajmërimin e një dukurie që pritet sot e bën teknologjia dhe njerëzit që dinë ta përdorin atë.

Unë e kam thënë edhe më parë dhe do të shpjegoj edhe në këtë rast atë se e quaj të pafalshme nga autoritetet atë që ka të bëjë me paralajmërimin. Fjala është për institucionet përgjegjëse, që duhet dhe mund të bëjnë për qeverinë, popullatën dhe të tjerë informimin e nevojshëm të paktën për të minimizuar dëmet që vijnë nga dukuri të tilla si këto të këtyre ditëve.

Konkretisht çfarë? Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit është një njësi kombëtare kërkimore shkencore që vepron nën ombrellën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Ky institucion, në të cilin punojnë e paguhen dyzina njerëzish, publikon “Buletini i Rrezikut nga Dukuritë HidroMeteorologjike" që i dedikohet më shumë parashikimit të reshjeve.

Ai ofron një parashikim të detajuar për çdo qark të Shqipërisë (12 gjithsej). Ato qarqe që kanë të bëjnë me lumin Drin, janë ndarë në 2 ose 3 pjesë, për të monitoruar më mirë situatën. Për çdo qark jepet mesatarja e reshjeve, maksimumi lokal dhe, nëse të pranishme, edhe reshjet që tejkalojnë vlerën e 30 mm në 3 orë. Më bukur “prishet”! Por edhe kur rreshjet tejkaluan 400 për qind këtë detyrimin e IGJEUM-it, ky institut duket se ka humbur “pa nam e nishan”!