Përmbytjet kanë prekur edhe fshatin Miliskajë të Krujës. Banorët e zonës, prej 4 ditësh kanë mbetur në qiell të hapur, për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar banesat e tyre. Për Report TV, ata shprehen se nuk mund të largohen, pasi kanë çdo gjë në fshat. Banorët u shprehën se autoritetet nuk kanë shkuar për t'i ndihmuar.
“Jemi përmbytur, ka 4 ditë. Jemi përmbytur të gjithë banorët e këtij fshati. Kanë sjellë dy pako oriz, dy pako makarona. As për t’u veshur jo. Këtu nuk ka ardhur as shteti, as komuna, as bashkia. I kanë frikësuar njerëzit. Unë nuk kam lidhje me asnjë. Ne jemi këtu, ka fermerë, këtu është fshat, kanë bagëti, nuk ka asnjë ndihmë. Edhe media ka pasur frikë që të vijë. Pa i marrë në telefon nuk vijnë. Ju faleminderit që erdhët. Të paktën një çadër të kemi. Sa të duash, është përmbytur edhe gjëja e gjallë. Nuk është rrugëzgjidhje, ti ke investuar, ke 20 vjet, unk është rrugëzgjidhje që të ikim.
Nuk kemi nevojë, një makinë e kemi. Ka 30 vjet që jemi këtu, nuk shohim as kryetar bashkie, as kryetar komune, vijnë vetëm për vota. Këtu askush nuk vjen për të na pare, vetëm për vota. Nuk ia kam nevojën asnjeriu. Unë jam pukjan, problem ynë është që nuk do t'ia dijë askush. Nuk janë pastruar kurrë kanalet. Njerëzit kanë hallet e veta, kanë frikën e vet. Nuk do t’ia dijë askush që jemi gjallë, tha një banor.
“E kanë hapur vetë, nuk na ka përmbytur uji”, u shpreh një tjetër.
Ata i bëjnë apel shtetit për ndihmë, teksa kanë dëme edhe në gjënë e gjallë. Ata thonë se kanë larguar familjarët tek të afërmit, por nuk mund të braktisin shtëpitë dhe gjënë e gjallë.
“I bëjmë apel Edi Ramës dhe të gjithë në shtet. Ka mbi dy metra ujë në zonë, janë përmbytur të gjitha shtëpitë. Janë të gjitha shtëpitë nën ujë. Me zor e kam nxjerr familjen. Kërkoj dëmshpërblim. Këto ditë, nga kemi mundur. Fëmijët e vegjël janë në spitale, janë me temperaturë 40. Asnjë nuk ka ardhur. Ka ardhur vetëm një makinë e ushtrisë, çfarë do bëjë e vetme? Ngeci në ujë. Është përmbytur e gjithë bagëtia, e ka marrë uji”, tha një banor.
Report TV ishte edhe mes banorëve të fshatit të mbuluar tërësisht nga uji, në Katund i Ri në Durrës. Në dëshpërim ata tregojnë se vërshimi i lumit Erzen ka shkatërruar gjithçka. Në jug, ende banesa dhe qindra ha tokë nën pushtetin e ujit në fshatin Bishan të Vlorës dhe Ferras të Fierit
Pas denoncimit nga Report TV të gjendjes së banorëve të përmbytur në fshatin Miliskajë të Krujës, një përfaqësi e bashkisë ka shkuar për t'i parë nga afër.
Në zonë, shkuan nënkryetarja e bashkisë, Sheta Kukalaj, Shefi i Emergjencave Isuf Tanuzi, si dhe efektivë të komisariatit të policisë.
Sipas nënkryetares Kukalaj dhe Shefit të Emergjencave të bashkisë, grupet e do fillojnë punën ditën e hënë për të vlerësuar dëmet.
Komente






