Familjet të cilat janë prekur nga fatkeqësitë natyrore si përmbytje, rrëshqitjet apo djegie banesë në qarkun e Tiranës sot kanë marrë dëmshpërblimet e tyre.
 
Në një aktivitet të mbajtur sot tek “Pallati i Sportit”, ku ishin të ftuar 594 familje të prekura nga fatkeqësitë natyrore, ministri Tahiri ka deklaruar se nuk mjaftojnë dëmshpërblimet por duhen bërë investime që qeveria të mos përballet më me situata të tilla.
 
Ministri i Brendshëm ka premtuar se së bashku me kryetarin e Bashkisë Erjon Veliajn, kryeministrin Rama dhe me Ministrin e Financave do të punojnë fort që përmbytjet të mos jenë më problem për askënd.
 
“Do kemi shumë probleme për të zgjidhur bashkë por jo përmbytjet. Do kemi shumë raste për tu mbledhur bashkë, shumë çështje për t’i trajtuar bashkë, por jo përmbytjet. Ndaj ky është angazhimi jonë”, është shprehur Tahiri.
 
Duke i falënderuar të gjithë për mirëkuptimin për gjërat që kanë bërë por edhe për ato që nuk kanë mundur t’i bëjnë, ministri Tahiri u  ka kërkuar të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të besojnë në këtë qeveri dhe të përkrahin njëri- tjetrin në rrugën që e kanë nisur bashkë në qershor të vitit 2013. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)