Në ambientet e Prefekturës së Vlorës u zhvillua këtë të martë mbledhja e Komisionit të Mbrojtjes Civile (KMCQ), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe qendrore. Takimi u drejtua nga Prefektja e Qarkut, Evis Allushi, ndërsa i pranishëm ishte edhe Haki Çako, kreu i emergjencave civile.

Në fokus të mbledhjes ishte analiza e situatave të përballuara gjatë periudhës vjeshtë-dimër 2025–2026, gjendja aktuale në territor, si dhe masat për përballimin e emergjencave, veçanërisht zjarreve në kushtet e rritjes së temperaturave.

“Nga analizat e kryera në nivel qarku, shihet se përballja me situatat emergjente vijon të shoqërohet me problematika. Problematikë janë pastrimi i kanaleve që nuk kryhen në kohë, teksa disa hidrovorë janë në gjendje të amortizuar. Në disa Bashki ka mungesë të zjarrfikëseve dhe punonjësve të trajnuar. Kërkohet që të gjitha Bashkitë të marrin masa të menjëhershme”, tha Evis Allushi.

Gjatë raportimit u evidentua se qarku u përball me situata problematike si përmbytje, dëmtime infrastrukturore dhe rrëshqitje dherash, kryesisht në bashkitë Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol, Vlorë dhe Selenicë.

Ndër problematikat e diskutuara  ishin:

Në hidrovorin e Vlorës, nga 4 pompa, aktualisht janë funksionale 2, pas ndërhyrjes dhe mbështetjes nga strukturat emergjente.

Në disa akse rrugore, si Vlorë-Selenicë, Dhërmi-Himarë dhe Kuç-Qeparo, janë konstatuar rrëshqitje dhe dëmtime, ndërsa lëvizja vijon me kufizime në disa segmente.

Rrugë rurale dhe ura të dëmtuara janë riparuar përmes ndërhyrjeve emergjente dhe vendosjes së urave provizore.

Masat dhe kapacitetet Institucionet raportuan mbi angazhimin e kapaciteteve në terren, ku vetëm në zonën e Mifolit u përfshinë dhjetëra mjete dhe mbi 100 forca nga bashkia, Forcat e Armatosura dhe policia.

“Desha të falënderoj të gjithë drejtuesit e institucioneve. Në mënyrë kategorike është mbrojtja e qytetarëve, ndaj edhe ky komision merr rëndësi të veçantë. Viti 2025 jo vetëm për Vlorën por edhe bashkitë e tjera patën pasoja jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në ekonomi. Jemi në prag të sezonit veror kështu që duhet të veprojmë, jo të presim dhe ta pësojmë. Secili nga ne duhet të bëjë detyrën që i takon", tha Çako.

Në mbledhje u theksua nevoja për:

Hartimin dhe miratimin e planeve sezonale të masave dhe veprimit nga bashkitë

Rritjen e gatishmërisë për përballimin e zjarreve gjatë sezonit të verës

Forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional

“Ka ardhur momenti që të reagojmë në mënyrë vullnetare për fatkeqësitë natyrore. Ne si bashki kemi hapur një grup vullnetarësh dhe shpresojmë që të na bashkohen sa më shumë të rinj. Ndërkohë sezoni i dimrit do ta gjejë qytetin me një hidrovor të ri”, tha kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini.

Autoritetet bënë thirrje për vigjilencë dhe koordinim më të mirë për të përballuar situatat emergjente, duke synuar minimizimin e dëmeve dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.