Kjo javë astrologjike vjen me energji të forta dhe sfiduese për të 12 shenjat e zodiakut. Sipas astrologes Denisa Shyle e ftuar në “Rreze Dielli në Report Tv, kemi hyrë zyrtarisht në stinën e Demit, një periudhë që kërkon stabilitet, durim dhe reflektim. Megjithatë, ndikimet planetare nuk janë të lehta: Venusi dhe Urani përgatiten të kalojnë në shenjën e Binjakëve, ndërsa kemi edhe një takim të rëndësishëm planetar në Dash, duke sjellë luhatje emocionale dhe tension të brendshëm.

“Tri ditët në vijim pritet të jenë më të vështirat e javës, ndaj të gjitha shenjat duhet të tregohen të kujdesshme në vendime, komunikim dhe marrëdhënie. Mund të ndiheni të zymtë apo sikur nuk po arrini të mbani ritmin e kohës, por është thelbësore të ruani qetësinë dhe të mos veproni me impuls”.

Disa shenja do të përballen me ndikime më të forta planetare, duke i vënë në provë në aspektin emocional dhe profesional, ndërsa të tjera do të kenë mundësi më të favorshme për të reflektuar dhe për të bërë hapa të sigurt përpara. Kjo është një javë që kërkon vetëdije, durim dhe kujdes të shtuar, sepse çdo lëvizje e nxituar mund të ketë pasoja më të mëdha seç pritet.

Dashi – Shenja më e ndikuar. Do të keni mundësi të reja, por kujdes me impulsivitetin që të qartësoheni në hapin e radhës. Fundjava do të jetë më pozitive. Do të keni mundësi të reja në investime, ndërsa nga ana sentimentale do të jeni të favorizuar.

Demi – Keni energji të lartë, por kujdes me shëndetin. Deri ditën e diel, Urani mund të shkaktojë kriza; tregohuni të kujdesshëm edhe me komunikimin. Më vonë do të keni mundësi për të rritur të ardhurat, me kontrata të reja në horizont.

Binjakët – Do të keni një javë të vështirë, por do t’ju jepen mundësi. Megjithatë, qëndroni pak dhe reflektoni; mos bëni investime. Do të merrni ndihmë nga shoqëria dhe familja. Mund të dalin në sipërfaqe disa probleme në çift, ndaj kini kujdes si t’i menaxhoni.

Gaforrja – Jeni në rritje. Tregohuni të vëmendshëm; do të keni rritje konstante dhe do të favorizoheni nga ana sentimentale. Po ndërtoni gurët themelorë në jetën tuaj.

Luani – Po krijoni diçka të re dhe jeni shumë më të hapur ndaj ndryshimeve. Në lidhjet sentimentale janë sheshuar problemet, por kujdes në punë, pasi do të përballeni me vështirësi.

Virgjëresha – Keni një ndryshim kolosal në lidhje me karrierën. Krizat gjatë kësaj jave do t’ju bëjnë të kuptoni ku çaloni dhe do të keni mundësi t’i tejkaloni. Keni zgjidhje në shumë tematika, sidomos ato që lidhen me paratë. Do të keni shumë pasion në marrëdhëniet personale në këtë periudhë.

Peshorja – Jeni futur në një javë të mirë. Do të keni shkëlqim në karrierë dhe një përqasje shumë më të mirë. Kujdes në bashkëpunimet që nuk janë funksionale; marrëdhëniet duhen shqyrtuar më mirë.

Akrepi – Keni ndikime të ndryshme. Kujdes me shëndetin, konsumoni gjëra me vlerë dhe qëndroni aktivë. Kthejeni jetën më praktike, sepse do të jeni më të suksesshëm. Në marrëdhëniet afatgjata mund të ketë kriza, por do të gjeni zgjidhje.

Shigjetari – Ka një javë me fat, por kujdes me shëndetin; mos e teproni me lodhjen. Në punë do t’ju vijnë mundësi të shumta.

Bricjapi – Ka ndikim pozitiv këtë javë. Në këtë fazë mund të ndërtoni themelet e një jete shumë të mirë. Lidhjet aktuale mund t’i shndërroni në martesa; mund të ketë edhe lindje fëmijësh.

Ujori – Jeni të favorizuar, por kujdes me krizat brenda familjes. Do të keni nevojë për ndryshim në karrierë dhe banesë, përdorini mirë mundësitë.

Peshqit – Në këto momente mund të bëni atë që dëshironi. Mos bini pre e mërzitjeve, keni mundësi të krijoni lidhje stabile. Ndërsa për sa i përket të ardhurave materiale, do të keni rritje.