Shqipëria është prekur ditët e fundit nga përmbytjet masive. Përpos infrastrukturës si një problem madhor për mosparandalimin e vërshimeve masive të ujit në banesa si edhe në toka bujqësore, problem i shtuar është dhe hedhja e mbeturinave nëpër kanalet kullues nga vetë qytetarët.
Eksperti i mjedisit Ferdinand Bego në një lidhje direkte për Report Tv, tha se reshjet masive të siut vijnë si pasojë e çrregullimeve klimaterike ndërsa përmbytjet më pas nga kombinimi i këtij faktori me infrastrukturën, apo konkretisht sistemin e kullimit.
“Është një kombinim i dy faktorëve, nga njëra anë një klimë që po bëhen e paparashikueshme, një dimër shumë i ngrohtë gjë që bën që pjesa më e madhe e reshjeve të bien në trajtën e shiut. Nga ana tjetër mospërgatitja në kohë atëherë kur është thatësirë. Në mënyrë kapilare duhet të mbajmë në gjendje funksionale sistemin e kullimit”, tha Bego.
Bego komentoi dhe hedhjet masive të mbeturinave nëpër kanale nga qytetarët. Një problem i tillë u shfaq në Durrës ku pati përmbytje masive pas kanalet kulluese ishin jashtë funksioni për këtë shkak.
“Plastika është një problem i madh. Jo vetëm ajo që duket, por të gjithë lumenjtë dhe kanale kryesore të kullimit, janë të mbushura me lloje mbeturinash. Vjen një moment që të gjitha këto grumbullohen dhe bëhet një gjendje emergjente. Shteti duhet të procedojë të gjithë ata që bëjnë krime të tilla mjedisore”, tha eksperti.
Duke folur për situatën kaotike në Gjirokastër, Bego tha se rrëshqitjet masive të dheut kanë ardhur si pasojë e mungesës së pyjeve. Për këtë ai bën me faj njerëzit që nuk ka arritur të ruajnë këto kapitale kaq të rëndësishme natyrore.
“Nëse shikoni me kujdes sesi është vendosur Gjirokastra dhe fshatrat, rreth e rrotull tyre ose mbi shpatin e maleve nuk ka pyje. Po nuk pati pyje, nuk ka kush e mban ujin. Shiu do të ngopi argjilat, ato do të rëndohen dhe shpatet do të rrëshqasin bashkë me shtëpisë në këto shpate. Ne kemi dështuar si shoqëri për të mbrojtur atë që është kapitali jonë, pyjet. Ne duhet të kuptojmë që të presësh pyllin, të marrësh inertet nga lumenjtë të hedhësh plastikën është krim mjedisor. Se i paguan kjo shoqëri dëmet”, tha Bego.
Lajmi kryesor:
Moti i keq në Shqipëri/ Lumenjtë dalin përsëri nga shtrati, hidrocentrali i Fierzës nis shkarkimet










