Sipas ekspertit të mjedisit, Abdulla Diku, përmbytjet në vendin tonë u shkaktuan nga disa faktorë.
Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" në Report TV, Diku u shpreh se kanë ndikuar ndryshimet klimatike, ku reshjet po përqëndrohen në fashë kohore më të ngushtë.
“Duhet ta ndaj problematikën. Është shkaktuar në 3 aspekte. Ndryshimet klimatike, ne po përjetojmë situatë, ku kemi një ndryshim të ndarshmëri në kohështritje të reshjeve, në njëtrajtshmërinë kohore në dimër, reshjet po përqëndrohen në fashë kohore më të ngushtë. Kemi dimra me më pak borë, kjo e përkeqëson situatën. Kemi përjetime të situatave anormale, ku ditë të njëpasnjëshme janë me reshje. Këto ditë që ne kemi përjetuar, përmbytjet kanë qenë jo me reshje intensive.", theksoi ai.
Për ekspertin, problem kryesor është keqmenaxhimi i baseneve ujore.
"E dyta, problemi më kryesor, është keqmenaxhimi i baseneve tona ujore. Ky keqmenaxhim lidhet kryesisht me pjesën e sipërme të banesve, i dedikohet dëmtimeve dhe shkatërrimeve të pyjeve.", deklaroi Diku.
Diku shtoi se ndërhyrjet e paautorizuara dhe të pastudiuara në shtretërin e lumenjve, ka shkaktuar dëmtime në ekosisteme.
"Kjo ka ulur kapacitetin thithës të tokës dhe pyjeve, që kanë ndaj reshjeve të shiut. Tjetër, ka të bëjë me ndërhyrje të paautorizuara në shtretërin e lumenjve. Marrja e inerteve ka shkaktuar destabilizim të shtretërve dhe brigjeve të lumenjve. Dëme edhe të pakthyeshme në ekosisteme. Faktor tjetër, janë hidrocentralet e vegjël në kanalin e derivaconit, sasinë e ujit e shmangin dhe e derdhin në pika të caktuara.", nënvizoi eksperti.
Gjithashtu, Diku tha se në vend është ndërtuar në mënyrë të pastudiuar.
"Lidhur me infrastrukturën, është problem i madh për Shqipërinë, ka vite që kemi ndërtuar dhe vazhdojmë të ndërtojmë në mënyrë të pastudiuar. Efekti i ndryshimeve klimatike, agresioni i erozionit bregdetar nuk janë marrë në konsiderate, është ndërtuar tani për tani, pa menduar për të ardhmen.", tha Diku.
Sipas tij, Shqipëria ka humbur 32% të pyjeve, duke i shkaktuar një dëm kolosal ekosistemit.
"Sigurisht, është ndër shkaqet madhore, kemi humbur 32% të biomasës pyjore në Shqipëri. Përafërsisht 1/3, është dëm kolosal që i kemi bërë ekosistemit. Vitin e kaluar u dogjën rreth 60 mijë hektar pyje e kullota, përkthehen nga 120-140 milionë kub ujë të papërthyer nga toka. Ky është volume i ujit që ka hidrocentrali i Ulzës. Në 20 vitet e fundit, sipërfaqja e djegur është rreth 500 mijë hektar, po ta konvertojmë në meter kub ujë të papërthithur nga toka, kjo shifër kalon 2 miliardë meter kub, sa hidrocentrali i Fierzës.", përfundoi eksperti.
Komente











