Kryeministri Edi Rama ka mbledhur mëngjesin e kësaj të enjte Shtabin e Emergjencave, për t'u njohur me situatën më të fundit të përmbytjeve në vend.
 
Përveç përmbytjeve të shkaktuara nga lumi i Vjosës, mësohet se problematike situata paraqitet edhe në zonën e Lezhës, ku sipas ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në terren ndodhen edhe forcat e ushtrisë, ndërsa në Lezhë janë evakuuar 24 banorë.
 
Ndërkohë, në zonën e Shkodrës, sipas ministrit Gjiknuri, nuk ka rrezik për përmbytje. Ai tha gjithashtu se edhe furnizimi me energji elektrike po shkon drejt normalizimit.
 
Probleme ditën e sotme ka pasur si në jug ashtu edhe në veri.
 
 Orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka dalë nga shtrati lumi Vjosë, duke arritur në kuotat maksimale dhe duke përmbytur disa hektarë me toka në zonë e Novoselës.
 
Deri tani janë evakuuar 20 familje, ndërsa 3 banesa janë nën ujë. Sipas banorëve të zonës, nëse niveli rritet edhe me gjysmë metri atëherë do të kemi të njëjtën situatë si vitin e kaluar.

Lezhë, dëmtimi i argjinaturës në Tale, rrezik përmbytje
Fshati Tale në Njësinë Administrative të Shënkollit në Lezhë vijon të mbetet në rrezik përmbytje nga dëmtimi i argjinaturës së Lumit Mat.
 
Në zonë janë vendosur mjetet e Bordit të Kullimit dhe të Bashkisë, ndërsa forcat e ushtrisë po vendosin thasë me rërë në vendin ku argjinatura është çarë në fshatin Tale 2.
 
Drejtori i Bordit të Kullimit në Veri Petrit Gjoni thotë se po kryhen ndërhyrje emergjente në pikat ku ka më shumë rrezik, duke shtuar se kjo argjinature është problematike në të gjithë gjatësinë e lumit, ndaj sipas tij  në të ardhmen duhet domosdo
një investim konsiderueshëm për forcimin e saj.
    
Prej dy ditësh banorët e kësaj zone mbeten të frikësuar, pasi nuk kanë siguri se argjinatura mund të përballojë prurjet e shumta të Lumit Mat. Ata janë organizuar me grupe dhe bëjnë rojë gjatë natës, në mënyrë që të mund të largohen në kohë në rast se argjinatura çahet.

Vjosa del nga shtrati, evakuohen 20 familje
Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në jug të vendit.

Në Vlorë, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë janë evakuuar 20 familje në fshatrat Novoselë dhe Fitore të po së njëjtës njësi administrative.

Sipas administratorit të njësisë administrative Novoselë, Kanan Shakaj, niveli ende është duke u shtuar duke arritur në nivelin 5.80 dhe në orët e para të ditës së enjte niveli do të arrijë deri në 6 m.

Por sipas Shakaj, kjo situatë pritet të përmirësohet në orën në vijim për shkak se Niveli I Vjosës do të bjerë.

Po keshtu nga dalja e lumit Vjosë, në bashkinë e Selenicës ka pasur bllokim të rrugës kryesore e cila lidh disa fshatra me qytetin e Vlorës.