TIRANË, 16 Shkurt /ATSH-E,Xhajanka/- Ministria e Bujqësisë parashikon se treguesit e rritjes së sektorit të bujqësisë do të jenë pozitivë për periudhën në vazhdim, pavarësisht dëmeve që pësoi bujqësia dhe blegtoria nga përmbytjet që prekën zonat jugore të vendit në fillim të muajit shkurt.
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi sot se "pavarësisht përkeqësimit  të motit, ne i mbajmë të pandryshuara projeksionet pozitive për rritje të prodhimit bujqësor vendas".
Në një prononcim për median, ministri Panariti vuri në dukje se po punohet me intensitet të plotë në rikuperimin e të gjitha dëmeve që ka pësuar ky sektor ndërsa vuri në dukje se, në bashkëpunim me bankat tregtare në vend është rënë dakort për një ndërprerje 2-vjeçare, të shlyerjes së kësteve të kredisë për fermerët e prekur nga përmbytjet.
Gjithashtu, vijoi kreu i bujqësisë po merren masa që fermerët e këtyre zonave të mbështeten me subvencione të posaçme si dhe po bëhet çështë e mundur për të përthithur mbështetje financiare nga BE-ja për ripërtëritjen e bujqësisë dhe aktivitetit rural në këto zona.
Të gjitha këto masa, u shpreh ministri Panariti, synojnë të mbështesin rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe zbutjen e efekteve negative për ngadalësim të treguesve të rritjes pozitive.
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, në fillim të vitit 2015, u shpreh se sektori i bujqësisë pritet të shënojë një rritje prej 5% gjatë vitit 2015, nga 3% që ishte një vit më parë.
Në një prononcim për mediat, ministri Panariti tha se, gjatë vitit 2015 vëmendje e veçantë do t'i kushtohet zgjerimit të sipërfaqeve me sera, rritjes së standardeve të prodhimit dhe eksporteve sidomos me vendet e BE-së./m.m/