Fermerët në Fier dhe Berat kanë pësuar dëme të mëdha nga përmbytjet e fundit, ndërsa kanë apeluar për ndihmë nga shteti.

Në një lidhje skype për emisionin Studio Live në Report Tv, fermeri nga Fieri, Kosta Troka, ka bërë të ditur se këtë vit përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në serat e luleshtrydheve. Ai tha se i janë përmbytur rreth 1.5 hektarë me luleshtrydhe.

‘Unë kultivojë luleshtrydhe në sera. Lumi ka dalë disa herë po si ky vit ska dalë asnjherë. Luleshtrydhja në sera është me kosto të lartë dhe dëmet janë të konsiderueshme. Ne jemi vetëm në këtë, nuk po shikojmë askënd që të vijë, që të thotë çfarë po ndodh. Asnjë nga Ministria e Bujqësisë nuk ka ardhur dhe ne jemi takuar fermerët sot, së bashku për të ditur se ku jemi me dëmet. Unë kam rreth 1.5 hektarë të përmbytura nga uji. Tani është koha e luleshtrydhes për ta vjelë dhe dëmi që mund të përllogaritet i madh’, tha ai.

Ndërkohë, fermeri nga Berati, Alush Musta, tha se është hera e tretë që përmbytet dhe janë rreth 1 mijë kuintal mandarina që i janë dëmtuar, ndërsa dëmi është 80 milionë lekë. Ai kërkon ndërhyrje dhe mbështetje konkrete nga institucionet përkatëse.

‘Është hera e tretë që përmbytemi. Sot janë 1 mijë kuintal që janë dëmtuar dhe janë 1500 pemë. Nuk ka asnjë komision nga Ministria e Bujqësisë që të vijë dhe ta kontrollojë dëmin. Si në gjithë botën, dhe ne kemi qenë jashtë dhe kemi parë si bëhen këto punë këtij vetëm vijnë dhe bëjnë shou. Dalin dhe mbajnë fjalime po duhet që të vihet dorë. Jo më pak se 80 milionë lekë është dëmi që më është shkaktuar nga përmbytja’, tha ai.