Është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile në Qarkun e Korçës, ku i pranishëm ka qenë edhe ministri i Bujqësisë Niko Peleshi.

Prefekti i qarkut të Korçës, Dhori Spirollari ka thënë se situata është normalizuar dhe se ndërhyrja më e vështirë e këtyre ditëve të përmbytjes ka qenë ndërhyrja në nënstacionin e Zëmblakut, por që u menaxhua me sukses.

“Ne arritëm të bënim shkarkimet e ujrave pa shkaktuar dëme të mëdha. Dëmet e tjera do të evitohen në ditët në vijim por janë minimale. Konstatuam se në të gjithë qarku ishin marrë masa paraprake dhe kjo na ndihmoi për të përballuar situatën”, u shpreh Spirollari.

Ndërkohë ministri i Bujqësisë Niko Peleshi ka thënë se dëmi i shkaktuar në Korçë, më i vogël se dy vite më parë.

“Veprimi për decentralizimin ishte i duhuri, iu dhamë fuqi dhe përgjegjësi bashkive dhe kjo na u kthye pozitivisht. Nuk mund të quhet e mbyllur, kemi edhe 2-3 ditë reshje dhe pse ato do të jenë me intensitet më të ulët, do të kërkoja vigjilencë maksimale. Jemi të gatshëm që tu transferojmë bashkive edhe rezervuare dhe kanalet që sot i ka bordi i kullimit. Të qartësojmë urgjentisht edhe çështjet e ndarjeve institucionale”, u shpreh Peleshi, i cili theksoi se që neser duhet të nisë verifikimi i dëmeve dhe se këtë e ka kërkuar shkresërisht në të gjitha instancat në vend.

 

Er.K/Shqiptarja.com