Pavarësisht rënies së nivelit të ujit pas mbylljes se argjinaturës së Lagunës së Vainit, situata e krijuar nga përmbytjet në Lezhë mbetet e vështirë.
Kryesisht në Njësitë Administrative Shënkoll dhe Kolsh (Barbullojë dhe Rrilë) ka ende banesa të rrethuara nga uji dhe qindra hektarë tokë bujqësore të përmbytura.
Banorët thonë se prej 6 ditësh ndodhen nën ujë dhe pavarësisht mbështetjes me bazë ushqimore po përballen me vështirësi të shumta.
“Plasi argjinatura po se plasi apo se shkojnë njerëzit me eksavatorë dhe marrin dhe për të mbushur vendet e veta.Çdo gjë është në ujë, s’po na vjen kush”, shprehen banorët.
Në kushtet e përmbytjeve, Bashkia Lezhë ka shtuar ndërhyrjet në terren për të garantuar ndihmën për banorët e prekur.
Prej ditës së dielë, Shërbimi Social është angazhuar në shpërndarjen e ushqimeve për popullatën dhe bagatitë.
“Të gjitha ekipet në 24/7 kanë qenë në mbështetje të familjeve në nevojë. Në Shën Koll kemi mbështetur 150 familje, 100 në Kolsh dhe 60 në Zejnen. Kemi shpërndarë edhe ushqime për kafshët. Bashkia e Lezhës është në territor. Çdo familje që ka nevojë bashkia do të jetë pranë tyre", tha Marte Fetaj, drejtoreshë e shërbimit social.
Tërheqja e ujit në zonat e përmbytura në Lezhë po vijon me ritme të ngadalta, pasi kanalet kulluese vijojnë të jenë me nivele të larta, duke mos favorizuar tërheqjen e shpejtë të ujërave.
Shpërndarja e ndihmave po vijon paralelisht me monitorimin e situatës në të gjitha zonat e prekura, ndërsa strukturat e emergjencave dhe ushtria kanë rinisur punën për forcimin e argjinaturës së Vainit.
Lajmi kryesor:
Shembja e argjinaturës/ Barbulloja e Rrila e Lezhës 6 ditë nën ujë, shpërndahen ndihma për banorët! Aksi Qukës- Qafë Plloçë ende i bllokuar










