Çështja gjyqësore nr. 19802 është regjistruar vetëm pak ditë më parë, më datë 27 nëntor. Paditësi Ymer Bardulla, në emër të subjektit "Bardulla shpk", ka paditur bashkarisht Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ministrinë e Financave dhe Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare se nuk ka shpërblyer dëmin e shkaktuar si rezultat i përmbytjes nga ujrat e hidrocentralit Vau i Dejës palën paditëse nga data 3 deri më datë 17 dhjetor të vitit 2010. Kompania nga Shkodra rezulton me status të pezulluar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ndërkohë që, pas krijimit në vitin 2005, ajo ka operuar në fushat e tregtisë me shumicë e pakicë, import-eksport të artikujve të ndryshëm si ushqimorë, blegtoralë, bujqësorë, elektroshtëpiakë, industrialë materiale ndërtimi, lëndë drusore, makineri dhe pjesë këmbimi, vegla auto, artikuj kinkalerie e bizhuterie, plehra kimike, bimë medicinale, dru frutorë e dekorativë. Me sa duket, ajo ka falimentuar pikërisht për faj të një dëmi të shkaktuar nga përmbytja, që qeveria nuk pranon t'ia zhdëmtojë.
Fakti që çështja ka shkuar deri në gjyq tregon se zotimet e kryeministrit Berisha, të bëra publikisht, se do të paguhej çdo dëm i shkaktuar familjeve dhe biznesit në qarkun e Shkodrës, nuk kanë rezultuar reale.
Përplasjet
Ndërkohë, më datë 7 nëntor 2012, kompania CEZ Shpërndarje ka nisur proces gjyqësor ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, duke i kërkuar një detyrim të papaguar. Sipas padisë civile, fjalë është që t'i njihet detyrimi i KESH sha, që, në zbatim të kontratës së shitblerjes së energjisë, lidhur më datë 30.09.2011 ndërmjet KESH sha (blerësit) dhe CEZ Trade Albania shpk (shitësit), të shlyejë detyrimet kontraktore në vlerën prej 1.460.349 eurosh me TVSH. Po kështu, kërkon pagesën e kamatëvonesave në shumën 52.920 euro të përllogaritura deri më 1 tetor 2012, si dhe pagesën e kamatëvonesave të barbarta me 4.99% në vit, të llogaritura për çdo ditë vonesë të detyrimit të papaguar nga data 1 tetor 2012 deri në datën e ekzekutimit të plotë të detyrimit.
Një kërkesë e dytë ka të bëjë me njohjen e detyrimit të KESH sha lidhur me një tjetër kontratë, të datës 20.10.2011 në vlerën 218.484 euro me TVSH plus kamatat.
Shuma totale e detyrimeve që kërkon CEZ nga KESH-i arrin në 1.678.833 euro, pa kamatëvonesat.
Pavarësisht nga fakti se po shkohet drejt heqjes së licensës nga ana e ERE-s për kompaninë çeke të shpërndarjes së energjisë elektrike me pakicë, kjo e fundit duket e vendosur të ndjekë të gjitha rrugët gjyqësore për të përcaktuar, edhe në rast se largohet nga investimi në vend, detyrimet e palëve.
Seanca e parë gjyqësore për këtë çështje do të gjykohet nga Ridvan Hado dhe do të zhvillohet më 18 dhjetor.
(ad.ti/shqiptarja.com)