Kryeministri Rama i premton edhe një herë dëmshpërblim të gjitha familjeve të dëmtuara nga përmbytjet masive të kësaj jave.
Gjatë podcast-it të tij flasim, kreu i qeverisë njoftoi se Ministria e Financave ka gati planin e kompensimit, ndërsa pritet vetëm vlerësimi i plotë i të gjitha dëmeve.
“Dua t'u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t'i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve”, tha Rama.
Faktori njerëzor tha kryeministri ndikoi ndjeshëm në përmasat që mori situata pas reshjeve të dendura të shiut, duke paralajmëruar ndëshkim për këdo që hedh mbetjet në kanale e prita.
“Faktori njerëzor ka peshën e vet. Unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale. Do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu”, tha Rama.
Rama tha se ndryshimet klimatike dhe reshjet e mëdha të shirave ishin faktori kryesor i këtyre përmbytjeve që kanë prekur disa vende të Evropës dhe rajonit. Investimet dhe strukturat shtetërore sipas kreut të qeverisë ishin në nivelin e duhur dhe të përgatitura për të përballuar këtë situatë, pasi në të kundërt bilanci 1600 familje të përmbytura do të kishte qenë edhe më i madh.
Fjala e plotë e Edi Ramës:
“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.
Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar dhe njëherë rritjen që pensionistët kanë përfituar këtë fillim viti, një rritje kjo që do të 2fishohet në çdo janar.
Rama thotë se kjo arritje është një çlirim për të dhe se është dashur vite punë e reforma për të arritur këtë stabilitet financiar.
“Ashtu siç u zotuam në fushatën e 83 mandateve dhe siç ngritëm 83 kartona të gjelbër në Kuvend pro rritjes graduale të pensioneve gjatë këtij mandati historik, tanimë e kemi nisur kthesën. Sipas kategorive përkatëse, pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet. Pra janarin e ardhshëm do të marrin dyfishin e shtesës së këtij janari. Janarin pas tij, trefishin e shtesës së këtij janari, pastaj katërfishin e këtij janari dhe në Shqipërinë 2030 do të ndalet ky progresion tek pesëfishimi i shtesës së mirëseardhur të janarit të këtij viti.
Kjo kthesë është një çlirim i madh për mua. U deshën vite reformash, u desh një përpjekje e madhe për rritje ekonomike, u desh një përmirësim rrënjësor në mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave, u desh shumëçka që të vinim në pikën ku një Shqipëri tjetër nga ajo e dhjetë viteve më parë, të bëhej vendi i rritjes së pensioneve, pa minuar themelet e stabilitetit financiar të shtëpisë sonë të përbashkët.
Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në hapje të sezonit të 6-të të podkastit “Flasim”, ka komentuar dhe samtimin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën. Nga takimi me ministrin e Drejtësisë së Francës dhe diskutimeve me të, Rama ripërsërit për një reflektim serioz dhe largpamës mbi politikën penale në vend.
Rama thotë se akoma Shqipëria nuk ka një drejtësi të paanshme apo një drejtësi cilësore pavarësisht se është e pavarur.
“Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë.
Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish.
Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, tha Rama.
Komente











Kur do merren masa, mandatin e 5? Se deri tani ske bere gje per mjedisin, perkundrazi!
Përgjigjupo usta ke te drejte.shteti eshte ne kembe.fajin e kane njerzit.
PërgjigjuSi kallep problemi i permbytjeve eshte i ngjashem me trajtimin e ujrave te zeza, ku ato duhet te filtrohen disa here para se te derdhen neper lumenj, ose det. Zgjidheni kete si fillim qe te futet si detyrim trajtimi i ujrave te zeza per cdo leje ndertimi, dhe natyrshem s'do keni me as permbytje.
PërgjigjuPo ashtu eshte, duhet nje taks per trajtimin e ujrave te zeza ne perpjestim me volumin!