Kryeministri Edi Rama ka theksuar dhe njëherë rritjen që pensionistët kanë përfituar këtë fillim viti, një rritje kjo që do të 2fishohet në çdo janar.

Rama thotë se kjo arritje është një çlirim për të dhe se është dashur vite punë  e reforma për të arritur këtë stabilitet financiar.

“Ashtu siç u zotuam në fushatën e 83 mandateve dhe siç ngritëm 83 kartona të gjelbër në Kuvend pro rritjes graduale të pensioneve gjatë këtij mandati historik, tanimë e kemi nisur kthesën. Sipas kategorive përkatëse, pensionistët që prej këtij janari përfitojnë një rritje, që çdo janar do të dyfishohet. Pra janarin e ardhshëm do të marrin dyfishin e shtesës së këtij janari. Janarin pas tij, trefishin e shtesës së këtij janari, pastaj katërfishin e këtij janari dhe në Shqipërinë 2030 do të ndalet ky progresion tek pesëfishimi i shtesës së mirëseardhur të janarit të këtij viti.

Kjo kthesë është një çlirim i madh për mua. U deshën vite reformash, u desh një përpjekje e madhe për rritje ekonomike, u desh një përmirësim rrënjësor në mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave, u desh shumëçka që të vinim në pikën ku një Shqipëri tjetër nga ajo e dhjetë viteve më parë, të bëhej vendi i rritjes së pensioneve, pa minuar themelet e stabilitetit financiar të shtëpisë sonë të përbashkët.

Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet në vend/ Rama: Gati plani për dëmshpërblimin e të prekurve! Prurjet e plastikës në lumenj, krim! Do të merren masa