Pasi ka mbushur sallën me demokratë në takimin e tij të radhës në Korçë këtë të shtunë, Ervin Salianji është sulmuar nga portali i familjes Berisha.

Në një shënim fill pas takimit të Korçës, Salianji etiketohet si i përdorur nga Rama kundër opozitës. Kaq mjafton për të kuptuar se sa të sinqertë e ka Berisha kur i bën thirrje partive të tjera për t'u bashkuar me të.

Më poshtë shkrimi i plotë i portalit syri.net:

Nëse ndonjëri nga studiuesit më të njohur të çështjes së opozitës së opozitës do gjente kohë dhe mundësi të studionte rastin e Ervin Salianjit, do zbulonte lehtësisht se 'identikiti' i tij i përputhet çdo pike të manualit të tyre.

Një nga më të njohurit, Andreas Schedler thotë se shpesh autokratët elektoralë përdorin elementë të opozitës jo për të sfiduar pushtetin, por për të përçarë opozitën e vërtetë dhe për ta diskredituar atë.

Autokratët elektoral shpresojnë të 'vrasin dy zogj me një gur'. Edhe dobësojnë opozitën, edhe fitojnë legjitimitet në kohë të vështirë.

Prej kohësh, veprimtaria publike e Ervin Salianjit ngre më shumë pikëpyetje sesa shpresë për opozitën. Në vend që energjia e tij politike të drejtohet kundër qeverisë, ajo kanalizohet ekskluzivisht kundër Partisë Demokratike.

Ndërkohë, qeveria e Edi Ramës mbetet jashtë shënjestrës.

Nuk është aspak habi që mediat më të ndyra kundër opozitës e kanë kryelajm dhe i kanë hapur dyert më shumë se çdo aktori tjetër politik.

Salianji nuk ka organizuar asnjë protestë kundër qeverisë, asnjë tubim përballë kryeministrisë apo ministrive. Nuk ka asnjë aksion qytetar që të sfidojë pushtetin aktual. Kjo ngre pyetjen më të thjeshtë politike: pse nuk e provon një protestë kundër qeverisë, për të parë realisht sa mbështetje ka në shoqëri?

Ah, po, e vetmja protestë që ka bërë është ajo me shko bejsbolli kundër demokratëve pasi kishte thirrur më herët policinë e Ramës për t'i mbytur opozitarët me gaz lotsjellës.

Nëse pretendon se përfaqëson zemërimin qytetar, vendi për ta matur atë nuk është brenda PD-së, por përballë pushtetit.

Edhe më domethënëse është heshtja e plotë për emra dhe afera që sot janë simbol i lidhjeve të errëta të qeverisë me krimin. Asnjë fjalë nga Salianji për Suel Çelën, asnjë për Ergys Agasin. Asnjë distancim, asnjë denoncim, asnjë qëndrim publik. Një opozitar që zgjedh të heshtë për këto emra, por flet pa pushim kundër opozitës, objektivisht i shërben pushtetit.

Takimet e Salianjit në salla të mbyllura, kundër PD-së, të kujtojnë antimitingjet e organizuara nga vullnetarët e Enver Hoxhës në vitin 1991, kur sistemi po binte dhe regjimi përpiqej të krijonte iluzionin e një ‘kundërshtimi popullor’ ndaj opozitës së re. Historia nuk përsëritet identikisht, por mekanizmat janë të njohur: sulmo opozitën nga brenda, për ta dobësuar dhe për t’i dhënë frymëmarrje pushtetit.

Nuk është sekret se kushdo që del të organizojë takime kundër PD-së, gjen një gatishmëri të menjëhershme nga Rama dhe administrata për t’ia mbushur sallat. Autobusë, presion, lista, ‘ftesa’ nga drejtorë e shefa. Pyetja është e thjeshtë: sa prej atyre që shfaqen në sallat dhe ‘dhomat’ e Salianjit janë punonjës të administratës publike? Sa prej tyre janë aty nga bindja dhe sa nga frika për vendin e punës?

Po aq domethënëse është edhe mënyra se si media të caktuara e trajtojnë këtë fenomen. Televizione që censurojnë ose minimizojnë aferat e rënda të denoncuara nga Arben Ahmetaj kundër Edi Ramës, i hapin ekranet dhe i japin promovim të plotë antimitingjeve të Salianjit. Kjo nuk është rastësi, por linjë editoriale në funksion të një qëllimi politik: mbrojtja e qeverisë përmes përçarjes së opozitës.

Në fund të ditës, pyetja nuk është nëse Salianji e kupton apo jo këtë rol. Pyetja është: kujt i shërben realisht ajo që po bën? Dhe përgjigjja politike është e qartë. Kur godet vetëm opozitën, hesht për pushtetin dhe promovohesh nga mediat proqeveritare, je bërë pjesë e lojës së Edi Ramës.

Akoma më keq, po përpiqet të legjitimojë një narkoregjim dhe një narkodiktator pak pasi doli nga burgu.

Rrallë ka koincidenca të tilla në politikë!/TemA